Një objekt luksoz përballë qendrës tregtare “Elkos” në Gjilan ka kohë që është përfunduar. Disa apartamente këtu janë shitur, e disa të tjera janë hedhur në shitje, përmes zyrës së kompanisë e cila është mu në hyrje të objektit. Ndërkaq, një tjetër objekt, po ashtu me një stil arkitektonik të veçantë, ka filluar të ndërtohet buzës magjistrales Gjilan –Bujanoc.

Hyrja në kompleksin në fjalë pak a shumë i ngjan portës triumfale, e cila është ndërtuar para pak kohësh nga qeveria maqedonase, mu në mes të qendrës së Shkupit. Pavarësisht se në objektin e parë janë shpenzuar shuma marramendëse parash, deri më tash askush, asnjë biznesmen nuk qëndron mbrapa këtij kompleksi. Njëjtë është edhe me rastin e objektit të dytë, i cili është në proces të ndërtimit.

Të gjithë mund të dinë diçka, por asnjëri nuk flet. Mirëpo, këto janë vetëm dy nga qindra komplekse gjigante banimi që janë ndërtuar, e po ndërtohen në vazhdimësi në Gjilan, Prishtinë, Peje, Mitrovicë, Ferizaj. Ndërtimet me intensitet pak më të ulët po vazhdojnë edhe nëpër qendra më të vogla të Kosovës.

Aktualisht mijëra banesa janë hedhur në shitjes në Prishtinë, por edhe qytete tjera të Kosovës, përmes zyrave të patundshmërisë, mijëra të tjera janë në proces të ndërtimit. Por, edhe shumë e shumë po planifikohen të ndërtohen, e ku thuajse gjithmonë investitorët po mbesin misteriozë. Rritja enorme e ndërtimit në vend është paksa shqetësuese, pasi që në vazhdimësi është thënë se përmes këtij sektori mafia po i pastron paratë.

Ndërkaq, politika po i legalizon paratë që i ka marrë si përqindje përmes proceseve të shumta të prokurimit në vend. Brenda një viti në Kosovë përmes proceseve të prokurimit shpenzohen rreth gjysmë miliardë euro, e nëse bosët e politikës, kompanive u kanë marrë në emër të korrupsionit 10 për qind, del që brenda një viti në dorë të mafisë politike kanë rënë hiç më pak se 50 milionë euro, por kjo shumë mund të shkojë deri në 100 milionë euro, pasi që nuk janë të rralla rastet kur kompanitë duhet të japin 20 për qind të shumës së tenderit për ta marrë atë.

E nëse e bëjmë një kalkulim vetëm për pese vjetët e fundit, del se në këtë fushë janë futur nga 250 deri 500 milionë euro para që janë marrë në emër të përqindjeve për dhënie të tenderit, apo fitim jo të ligjshëm të parave. Por pavarësisht fjalëve, deri më tash biznesi i ndërtimit thuajse ka qene i paprekur nga shtetit, edhe në rastet kur pronarët që po i ndërtojnë ato kanë falsifikuar edhe lejendërtimet e taksat të pagesës.

Deri tash, shumë pak komplekse ndërtimi janë bërë nën logo të kompanive mbrapa të cilave qëndrojnë biznesmenë të fuqishëm vendorë, apo edhe ndërkombëtarë. Në pjesën dërrmues të rasteve, mbrapa tyre “zyrtarisht” qëndrojnë persona fizikë, ku disa prej tyre, deri më tash nuk kanë arritur të bëjnë zgjidhje banimi për vete dhe familjet e tyre, e lëre më për biznes.

Marrë nga "Zëri"