PERUXHA - Një superaksion i policisë italiane ka vënë në pranga 54 persona pjesë të mafias italiane Ndragheta dhe asaj shqiptare, si dhe ka sekuestruar asete me vlerë 30 milionë euro.
 
Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane sipas të cilave, Mafia shqiptare dhe Ndrangehta kalabreze kishin “pushtuar” Peruxhan për mes trafikut të drogës,  armëve, si dhe zhvatje e vënie gjobash deri në 20% të fitimit ndaj bizneseve lokale.
 
Sipas hetimeve të policisë, ky ishte aktiviteti që organizata kriminale e jugut të Italisë kishte ngritur në qytetin verior në bashkëpunim me një grup shqiptarësh, ndërsa zbulimi i tyre u bë i mundur falë përgjimeve që zgjasnin prej disa muajsh.
 
Kjo pasi sipas mediave italiane për të maskuar gjithë skemën, kalabrezët dhe shqiptarët kishin investuar në biznese ndërtimi dhe paneleve diellore.
 
Mes 54 të arrestuarve edhe një shtetas shqiptar me emrin Bledi, nga Napoli që në rrjetin mafioz njihej me nofkën “Daja”.
 
Përveç Bledit, në listën e të arrestuarve është edhe Ervis Lyte, i cili sipas autoriteteve italiane ishte i përqendruar edhe në trafikun e armëve, përveç se të drogës.
 
Sipas përgjimeve në fakt është mësuar se ai kishte në dispozicion një arsenal të vërtetë armësh zjarri, përfshi edhe snajperin TT-33 Tokarev, një armë e prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik dhe që momentalisht gjendet vetëm në Shqipëri dhe Rusi.
 
Nga hetimet rezulton se droga në Peruxha vinte përmes Napolit me rrugë tokësore, por edhe duke shfrytëzuar rrjetin e aeroportëve ndërkombëtarë italianë. “Dërbora”, siç quhej ndryshe droga në bisedat telefonike të përgjuara nga policia italiane, më pas ndahej, paketohej dhe shitej në një rrjet të mirëorganizuar.
 
Ndërkohë, policia ka arritur të sigurojë edhe dëshmi nga personat e shantazhuar të cilët thonë se kërcënoheshin duke iu djegur makinat e duke i vënë koka qingjash në dyert e shtëpisë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)