Magjia e Pragës,qyteti i artë
me guidën e Piro Milkanit

Magjia e Pragës,qyteti i artë <br />me guidën e Piro Milkanit
Nuk është ekzagjerim ta quash Pragën qytet magjik apo si i thonë më së shumti ”Praga e artë e njëqind kullave”. Praga të ofron mundësinë ta vizitosh brenda një dite, e ndoshta edhe në këmbë. Gjëja e pare që duhet të bëni është blerja e një harte të vogël të qytetit për tu orientuar më mirë. Pasi të mbërrish në Sheshin e Malostranske Namesti të rrethuar nga disa kisha madhështore dhe bashkia e vjetër e qytetit do ta kuptosh se kur afron ora e plotë njerëzit presin me padurim tingujt e Orloit, një orë mesjetare gjigande që bashkë me trokitjen e këmbanës të ofron shfaqjen e 12 apostujve që lëvizin përmes disa kamareve të vogla. Këmbanën e tund një skelet i vogël ndërsa gjithë këtë ritual e mbyll kikirima e një gjeli të artë. Eshtë kaq pamje e magjishme sa turistët drejtojnë aparatet filmike dhe fotografike për të fiksuar këtë magji. Por kujdes, tamam nga kjo magji përfitojnë dhe xhepaxhinjtë që u futin duart turistëve të hutuar nga kjo shfaqje. Bëni kujdes dhe kujtoni shprehjen e ushtarit të mirë Shvejk: “Jetë e mot në stacionet e trenave dhe në sheshe është vjedhur dhe do të vidhet zonja Myller”. Po të jeni me fat, në një prej kishave, në ato momente, mund të jepet një koncert me kor dhe organo e me pak të holla mund të magjepseni nga muzika e Mozartit që një pjesë të jetës e kaloi në Pragë ku ndodhet dhe shtëpia muze e tij. Ishte kjo arsyeja që Milosh Formani preferoi të rikrijojë jetën dhe veprën e Mozartit në Pragë dhe jo në Vienë apo Budapest. Ata që e njohin “Amadeusin” e Formanit do t’i shijojnë më shumë rrugicat e kalldrëmta që ndodhen pranë sheshit të qytetit të vjetër. Nuk duhen më shumë se dhjetë minuta për të shkuar nga sheshi te ura e gurtë e Karlit që lidh dy brigjet e lumit Vltava. Para se të kaloni mbi atë urë mos harroni të shikoni monumentin e mbretit Karli IV, që e ndërtoi atë në vitin 1343 bashkë me Universitetin që po ashtu mban emrin e tij. Eshtë ndër pesë- gjashtë urat e gurta më të vjetra që u ndërtuan në ato kohë në Europë. Mbi urë prej vitesh nuk kalojnë me mjetet e motorizuara dhe mos harroni se po kaloni në një objekt të trashëgimisë botërore që mbrohet nga Unesko. Pasi të kaloni përmes Malostranske Namjesti zgjidhni rrugicën e përpjetë, si rrugicat e Gjirokastrës që shkojnë drejt qafës së pazarit, e duke admiruar bukurinë e godinave mesjetare do të mbërrini në Hradcani. Nga sheshi i tij do ta keni si në pëllëmbë të dorës gjithë pamjen e qytetit përfshi pamjen e lumit që gjarpëron përmes qytetit. Pallati i Hradcanit është selia e Presidentit të Republikës. Dikur ka qenë seli perandorake kur perandori Rudolf, i dashuruar me Pragën, u transferua nga Viena dhe la gjurmë sidomos me ndërtimin e një pallati që edhe sot quhet Rudolfinum ku vazhdojnë të jepen koncerte me muzikantët më të shquar që vijnë sidomos për koncertet e majit, një manifestim muzikor me traditë dhjetravjeçare. Shikoni të paktën nga jashtë fasadën e Rezidencës së arqipeshkopit katolik të Çekisë. Eshtë kaq mirë e konservuar dhe kaq e pasur nga brenda sa që interieret e saj u përdorën në filmin “Amadeus” si interiere të pallatit perandorak të Franc Jozefit të Parë. Përbri kështjellës së Hradcanit qëndron katedralja më e madhe e stilit gotik, ajo e Shën Vitit. E filluar në shekullin e 14-të nga Peter Parleri u përfundua plotësisht pas dyqind e ca vjetësh. Ndodhen në të edhe varret e mbretërve çekë. Por që të kënaqeni plotësisht vizitoni edhe Zllata Ulicken( Rrugicen e Artë) që është po në atë zonë. Aty ka banuar për disa kohë edhe shkrimtari i famshëm hebre Franz Kafka. Pasi të keni pare këto objekte sigurisht që do të jeni pak të lodhur dhe ia vlen të shkoni ne nje restorant karakteristik me gjellë çeke. U Kalicha apo U Fleka jane dy restorante ashtu si i keni imagjinuar kur keni lexuar “Ushtarin e mire Shvejk”. Do të ishte mirë të provonit një pjatë me mish rose e lakra të ziera, bashkë me një gotë birrë të zezë që prodhohet direkt në lokal qysh prej 350 vjetësh. Mbasdite ia vlen të shëtisni në sheshin Vencelav apo më mirë në Vaclavak si i thonë çekët. Të gjitha dyqanet e bukura të bizhuve që vezullojnë prej floririt në 90% të tyre janë pronë e komunitetit kosovar që u instalua aty pas viteve nëntëdhjetë. “Këto butika të arta bëjnë që Praga ta meritojë emërtimin “Praga e artë” - më tha Kadareja kur erdhi në vitin 2000 së bashku me Helenën për një vizitë në Pragë. Dhe nëse do të jeni aty vetëm për një uikend ia vlen që të merrni trenin dhe të shkoni në Ceski Shternberg. Eshtë një qytezë romantike, 40 km larg Pragës, buzë lumit Sazava. Aty do të gjeni aty ambientet e kështjellës së bukur që i keni parë në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria humb me Italinë, a ka shanse të kalojë grupin në Euro 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Kombëtarja rikthehet në stërvitje pas humbjes me Italinë, Rey Manaj: Aaaa, për pak

VIDEO/ Kombëtarja rikthehet në stërvitje pas humbjes me Italinë, Rey Manaj: Aaaa, për pak