'Magjia' në Elbasan Arena flasin heronjtë, Reja: Çunat më kënaqën! Cikalleshi: Ëndrra Europiane vazhdon

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, pas fitores me Islandën në Elbasan Arena me rezultat 4-2, u duk i kënaqur, por megjithëse fituam, për të nuk është arritur asgjë. Ai shprehet se gabimet e pjesës së dytë nuk duhet t’i dhurojnë më gola kundërshtarit. I pyetur nëse kishte një situatë problematike me vijën e mbrojtjes Reja ka thënë se golat mund të evitoheshin.

"Më bëhet qejfi që kemi fituar ndeshjen, por më vjen keq që kemi pësuar gola që mund të evitoheshin. Hymë në pjesën e dytë të përgjumur, dhe i dhamë një gol të shpejtë Islandës. Duke qenë se janë të fortë nga gjendja fizike, prisja që të dominonin. Por, ndodhi e kundërta dhe arritëm këtë rezultat." ka thënë Reja në një intervistë për 'Super Sport'.

Për sa i përket formacionit Reja ka thënë se ishte i kënaqur me lojën që bënë 'kuq e zinjtë' dhe me përgjigjen që ata dhanë në bazë të formacionit të rreshtuar.

"Me formacionin çunat më kënaqën të gjithë. Kemi një mesfushë teknike, Memushaj, Bare dhe Gjasula, që bëri rolin e digës. Gjetëm forca të reja, dhe lojtarë që mund të na japin për të ardhmen. Edhe në ndeshjen e parë me Islandën bëmë një takim të mirë, dhe nuk meritonim të humbnim. Skuadra po rritet. Kjo fitore na ndihmon. E vërtetë që ajo që ndodhi në fillim të pjesës së dytë nuk duhet të ndodhë më. Duhet të dyfishojmë sforcot kur jemi në avantazh. Jo gjithmonë fati do jetë me ne. Për mua nuk është problem kontrate. Nëse gjejmë akordin, mund të vazhdoj, por edhe mund të kthehem në shtëpi duke bërë akoma më mirë. Më pëlqen klima e grupit, dua ta rris akoma nivelin. Sot nuk kemi bërë asgjë. Morëm një fitore të madhe, por duhet të shohim të ardhmen. Kemi dy ndeshje në transfertë, duhet të marrim pikë dhe atje, të jemi të kënaqur." ka thënë Reja.

Mbrojtësi Kastriot Dermaku i cili arriti të shënonte golin e parë ndaj Islandës, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh. Në një prononcim për “RTSH”, ai u shpreh se koha e tij me Kombëtaren tani ka nisur duke shtuar se ka kohë për të ecur para.

“Shënova gol të rëndësishëm dhe u hap loja e u bë ndeshje e bukur. M’u realizua një ëndërr. Nuk ishte lehtë të zëvendësoja Mavrajn pasi ka shumë konkurrencë. Jemi të kënaqur dhe duket se rruga është e shtruar. Duhet edhe fat siç ka ndodhur. Memushaj më dha një top perfekt dhe jam shumë i kënaqur për golin e shënuar. Kur bën ndërrime dhe ndeshje të shpeshta, duhen lojtarë të rinj. Ishte diçka pozitive. Me Kombëtaren duhet të jesh grup dhe pozitiv pa pasur parasysh nëse luan apo jo. Te goli nuk e kishim shumë mendjen pasi atmosfera ishte elektrizuese.Më para kam luajtur në Serinë C në Itali dhe tani jam ngjitur lart. Jam ende 27 vjeç dhe kam pasur një karrierë shumë të vështirë. Nuk jam vlerësuar ndoshta por gjithçka bëhet kur i vjen koha. Më vjen mirë që u riktheva sot dhe tani jam në Kombëtare”, tha Dermaku.

Për sa i përket Rey Manajt, ai ishte një ndër lojtarët më të dalluar duke dhënë një asist perfekt për Hysajn, ndërkohë që u shpreh se për të nuk ka rëndësi që të shënojë por me rëndësi ka që të fitohet ndeshja.

“Bëmë një nga ndeshjet më të mira dhe golin që nuk e shënova nuk ka rëndësi. Shpresoj vetëm që të bëjmë të tjera ndeshje si kjo dhe të marrim pikë. Zgjedhjet i bën trajneri. nuk kam pakënaqësi se pse nuk shënova por jam shumë i lumtur që fituam.Asisti për Hysajn? Hysaj më falënderoi pas golit dhe në dhomat e zhveshjes. E meriton pasi ka pasur kritika dhe është lojtar i madh dhe e ka merituar. Nuk më ka premtuar as drekë dhe as darkë”, tha Manaj.

Ndërkohë 'bomberi' Sokol Çikalleshi arriti të shënonte një tjetër gol ndaj Islandës dhe për “RTSH” u shpreh se ishte i lumtur për fitoren dhe më shumë për ecurinë e skuadrës.

"Më shumë se goli më kënaqi fitorja pasi nuk kishim kohë të mirë. Me Manajn ecëm mirë si për herë të parë dhe kishim shumë kombinime, por kishim edhe gjëra për t’u përmirësuar. Është mirë kur shënon në të gjitha mënyrat siç fituam sot. Shënuan edhe mbrojtësit dhe ishte e rëndësishme kjo fitore me shumë gola. Nëse do të vazhdonim ëndrrën Europiani, duhej të fitonim sot. Kemi edhe një finale me Turqinë por për të shkuar atje duhej të fitonim sot. Bëmë gjysmën e punës dhe gjysmën e kemi atje. Herën e kaluar u mundëm nga Luksmeburgu dhe fituam më pas 0-3 me Izraelin në transfertë. Është hera e parë që babai erdhi në stadium, këtë surprizë ia bëri Lila dhe pa to, nuk do të isha këtu. Këtë gol mund t’ia dedikoj shumë vetave por shënimi i golit dhe i shokëve të tjerë i dedikohet frymës dhe grupit që kishim sot. U mblodhëm para ndeshje dhe donim reagim dhe ia arritëm. Ky gol ishte për ne. Ne kemi pasur gola me pikatore me ish-trajnerët dhe para kësaj ndeshje. Mund të them se ju e dini mirë se nëse sulmuesi del shpesh para portës, shënon më shumë por nëse bëjmë analizë të ndeshjeve të shkuara, nuk shënonte i gjithë ekipi. Në çdo ekip e zgjidhin ndeshjen edhe mbrojtësit. Kjo është ndeshja e tretë që shënoj dhe kam qenë i pafat me shtyllat. Goli në Francë nuk më gëzoi por ishte rezultat zhgënjyer”, tha Çikalleshi.

Ndërsa një nga afrimet e reja në Kombëtare, Klaus Gjasula i cili luan me maskë në kokë ka zbuluar të vërtetën e dëmtimit që e ka detyruar të jetë me maskë. Në një prononcim për “RTSH”, ai u shpreh se Kombëtarja mund të fitojë edhe në Turqi.

“Ndihem mirë që fituam pas humbjes në Francë dhe pas një muaji kemi dy ndeshje të rëndësishme. Duhet stërvitje e fortë për ato ndeshje. Është ndeshje e vështirë me Turqinë por po të luajmë si sot me ofensivë të fortë dhe më pak gabime në mbrojtje, mund të fitojmë edhe atje. Maska? Kam thyer një kockë në kokë dhe e vura atë. Kur e hoqa, më ra një portier sërish te vendi i dëmtuar dhe vendosa ta mbaj gjithmonë. Jurgen Gjasula? Vëllai im është shumë i mirë dhe jo se është vëllai im. Ka shumë talent por nuk i ka ecur me Kombëtaren. Dua të ndihmoj skuadrën tani që erdha këtu”, tha Gjasula.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emi: 11/09/2019 10:25

    Mas pilafite tash ca te duhete je jash.

    Përgjigju
  • Fredi: 11/09/2019 09:35

    Shyqyr më në fund se nja katër ndeshjet e fundit midis nesh dhe Islandës ky ishull i vogel pa histori futbolli na i ka shkepur be thën keq. Eshte turp për një kombëtare si Shqiperia të rrihet nga Islanda, Zvicra, Malta etj si këto.

    Përgjigju
    • Fvjb: 11/09/2019 10:29

      Zvicra?!

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan