'Plakat e Jetës' të Kadaresë dhe magjistaret e Tiranës dhe Korçës

 'Plakat e Jetës' të Kadaresë dhe magjistaret e Tiranës dhe Korçës

Foto ilustruese

Paolo Sorrentino do ta kishte zili një skenë të tillë për të mrekullueshmin “La Grande Bellezza”: Një Festë në qendër të Tiranës, në një lokal luksoz, të ftuar “ajka” e biznesit dhe administratës. Në sfond Ilir Meta që bërtet ndërsa mbështet Sali Berishën në katin e tetë. Muzikë fantastike dhe ushqim si në lokalet më të mira të Europës, me një ndryshim: Në qendër të lokalit në vend të një DJ, një fallxhore me nam, që me letrat e saj pret në radhë të lexojë të ardhmen e të gjithë pjesëmarrësve në festë. Radha para saj nuk pushon, deri në pushim të festës. Të gjithë duan të dinë, të gjithë duan të njohin se kush po i sulmon e kush i mbron, sa para’ do të bëjnë, ndërkohë që para’ lenë në tavolinën e letrave të fatit. Askush nuk pyet për dashurinë, për shëndetin!

Është një kohë që në Shqipërinë e 2024, në oborret e pushtetit dhe ish-pushtetit fallxhore dhe “astrologe” marrin kohë dhe vëmendje. Dikush thotë se ka qenë përherë kështu, dikush thotë se ky fenomen është shtuar marrëzisht dy-tre vitet e fundit, por të gjithë bien dakord se një pushtet të tillë të fallxhoreve e të atyre që bëjnë horoskopin, nuk e kishin parë prej kohësh.

E njëjta gjë kishte ndodhur dhe në Gjirokastrën e “Kronikë në gur” të Kadaresë, kur papritur të gjithë flisnin për magji, bënin magji dhe kërkonin se ku ishin fshehur magjitë. Por në qytetin e gurtë dhe ngjyrë gri jetonin dhe “plakat e jetës”; “…këto ishin plaka shumë të vjetra, që nuk çuditeshin nga asgjë. Ato prej kohësh nuk dilnin nga shtëpitë, sepse bota u dukej e mërzitshme, ngaqë për to, të gjitha ngjarjet, duke përfshirë këtu dhe ngjarjet e mëdha, siç ishin përmbysjet dhe luftërat nuk ishin gjë tjetër veçse një përsëritje…”

“Për magjitë, plakat e jetës thanë ca fjalë shumë të kursyera dhe përmendën ca shembuj të vjetër, prej të cilëve mund të nxirrej pak a shumë përfundimi se të tilla shpërthime magjish ndodhin zakonisht në prag të ngjarjeve të mëdha, atëherë kur shpirtrat e njerëzve janë të shqetësuar si gjethet përpara furtunës…”

Atëherë, përse janë të shqetësuar sot shpirtrat e shqiptarëve dhe cilat janë ngjarjet e mëdha që shumë presin të zbulohen nga letrat pa shpirt dhe yjet e largëta të fallxhoreve?

Dikush thotë se fallxhoret e Korçës janë bërë me nam, por të tjerë tregojnë se edhe në Tiranë, Durrës, Kavajë, ka të tilla që nuk mbeten mbrapa. Por të gjithë harrojnë se veprimet e tyre nuk kanë forcë  kur “magjitë”, “gatuhen” te... “Rruga e Elbasanit” dhe te SPAK, gjithësesi luftojnë dhe shpresojnë. Këto magjistarë, askush nuk i kishte menduar e parashikuar. As plakat e jetës.

a.m./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë