Portieri francez i Milanit, Mike Maignan, ka shprehur edhe një herë dashurinë dhe besnikërinë e tij ndaj klubit kuqezi në dokumentarin 'Beyond the Magic', i cili rrëfen rrugëtimin e tij njerëzor dhe profesional.

'Gardiani' i portës së Milanit theksoi se klubi kuqezi ka pasur një rol vendimtar në karrierën e tij dhe se për të është një nder i madh të mbrojë këtë fanellë.

“Milani është vendi ku u bëra i njohur për botën. Duhet të vish këtu për të kuptuar se çfarë do të thotë vërtet të veshësh këtë fanellë. Kur luajmë, ndjen madhështinë e këtij klubi”, u shpreh Maignan.

Portieri francez nënvizoi gjithashtu rëndësinë e tifozëve dhe përgjegjësinë që lojtarët kanë ndaj tyre.

“Sapo mbërrijmë në 'Milanello' duhet të japim maksimumin për fëmijët, për gjyshërit dhe për të gjithë ata që bëjnë tifo për Milanin prej vitesh. Ky është shpirti ynë dhe kjo është arsyeja pse do të jem përjetësisht milanist”, deklaroi ai.

Maignan, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te Milani, vendosi të rinovojë kontratën me klubin deri në verën e vitit 2031 pavarësisht interesimit nga disa skuadra të tjera të mëdha evropiane.

“Të jem kapiten i Milanit është një përgjegjësi e madhe dhe një krenari, sepse në një grup me 20-30 lojtarë është vetëm një kapiten. Duhet të jesh shembull për të gjithë dhe këtë përpiqem ta bëj çdo ditë, pa abuzuar me shiritin apo me statusin”, theksoi portieri kuqezi.

Ai zbuloi se në të kaluarën nuk e kishte kërkuar këtë rol, pasi ndjehej lider edhe pa shiritin e kapitenit.

“Në të kaluarën u kam thënë trajnerëve të ekipeve të moshave se nuk e doja shiritin, sepse ndihesha kapiten edhe pa të. Tani për mua është një krenari e madhe”, përfundoi Maignan.