Në ditën e 23 të grevës së urisë, përfaqësues të gazetarisë, sindikatave si dhe deputeti i PS-së Pandeli Majko u vendosën pranë çadrave të ish të brugorsurve politik grevist, për të shprehur indinjimin e tyre ndaj pengesës që i bëhet gazetarëve por edhe personave të tjerë për të hyrë brenda çadrave e për të raportuar mbi atë që ndodh. Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa në emër të gazetarëve tha se duhet lejuar raportimi mbi atë çka ndodh me grevistët. Ndërkaq, deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko pasi realizoi një takim sëbashku me përfaqësues të gazetarisë me grevistët brenda çadrave tha se situata është vërtetë dramatike dhe se qeveria duhet të relizojë, të paktën një komunikim njerëzor me ta. Përfaqësues të Avokatit të Popullit, të cilët ishin prezent në çadrat e grevistëve thanë se si pasojë e negociatave me qeverinë u mundësua që grevistëve t'i rikthehen sërish lëngjet dhe të lejohen vizitat e të afërmve e personave të tjerë të cilët janë të interesuar për të pasqyruar çka ndodh brenda çadrave. Disa orë më vonë, vajza e Gjergj Ndrecës, ish të përndjekurit i cili tentoi i pari të vetëflijohej, i bëri apel të rinjve që të marshojnë të martën nga Piramida për të shprehur mbështetje ndaj ish të burgosurve politik.
KUSHTE CNJEREZORE NE CADRAT E ISH TE PERNDJEKURVE
Dita e 23 e grevës së urisë së ish të burgosurve politik është bërë edhe më e vështirë për shkak të motit të keq. Vetë ish të përndjekurit politik shprehen se greva e tyre po zhvillohet në kushte çnjerëzore. Në çadrat e grevistëve mungon edhe energjia elektrike, ndërsa shiu ka depërtuar brenda tyre duke lagur gjithçka, dyshekët ku grevistët qëndrojnë si dhe duke nxjerrë jashtë funksionit edhe ilaçet që ata konsumojnë. E pavarësisht këtyre kushteve, grevistët shprehen të vendosur për ta çuar deri në fund misionin e tyre. Skënder Tufa thotë për Tv A1 Report se “grevistët janë në gjendje shumë të rëndë, por nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat"
ZHVILLIMET ME TE RENDESISHME TE GREVES TE NDJEKURA ORE PAS ORE
VAJZA E GJERGJ NDRECES, APEL TE RINJVE PER TE MBESHTETUR GREVISTET
Ora 16:20 Vajza e ish-të përndjekurit Gjergj Ndreca, grevistit të parë, i cili u vetëdogj në shenjë proteste u ka bërë apel të gjithë të rinjve shqiptar që të marrin pjesë në një tubim, që do të organizohet të martën në kryeqytet në mbështetje të grevistëve.“Të martën në orën 14.00 duhet të bashkohemi të gjithë të rinjt shqiptar, në një tubim në shenjë solidariteti për kërkesat e ish-të dënuarve politikë”, u shpreh Ndreca vajza e Ndreces në një lidhje direkte në tv A1 Report.
Ajo tregon se gjendja e babait të saj, Gjergj Ndreca, i cili ndodhet për kurim të specializuar në Greqi është jashtë rrezikut për jetën, dhe vijon të ndjekë grevën.
“Babi e ka kokën mbrapa me shokët e tij, në grevën e urisë në Tiranë”- tha e bija e Ndrecës.
Pritet që nesër të organizohen marshime në Elbasan dhe në Shkodër nga qytetarët në mbështetje të ish të dënuarve politikë.
(Në foto, vajza e Gjergj Ndrecës)
AV.POPULLIT NEGOCION ME GREVISTET
Ora 14: 30 Institucioni i Avokatit të Popullit po negocion me qeverinë për të ndërprerë izolimin. Ky fakt është bërë i ditur në një deklaratë për shtyp nga përfaqësuesi i Avokatit të Popullit.
“Avokati i Popullit është i pranishëm ne grevë dhe po bën negociatat e duhura që grevistëve t’u lejohen lëngjet, familjarët të takohen me ta, media të jetë e pranishme, si edhe koordinatorët brenda çadrave”, tha ai.
Nga zyra e Avokatit të Popullit i është kërkuar edhe policisë të marrë pjesë në këtë ndërmjetësim, për qetësimin e situatës së grevistëve. “Presim që policia të mos sjellë asnjë shqetësim. ...Policia ka për detyrë të mbrojë jetën e secilit. Me të drejtën që u jep ligji ata bënë kontrollin për të shmangur subjektet e rrezikshme”, tha përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, duke shtuar se të gjitha rekomandimet e kësaj zyre për grevistët kanë gjetur zbatim. Nga ana tjetër, koordinatori i grevës, Skënder Tufa e ka vlerësuar këtë ndërmjetësim, për të lehtësuar ditët e grevës.
MAJKO: GREVA S’ESHTE POLITIKE, POR DRAME, BERISHA TE KOMUNIKOJE ME TA
Ora 13: 30 Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko i cili iu bashkua sot protestës së Unionit të Gazetarëve dhe sindikalistëve, pas takimit me grevistët brenda çadrave ku janë vendosur, tha se “situata është jashtë çdo logjike njerëzore për shkak të shiut.” Majko foli për një gjendje mjaft të rënduar shëndetësore të grevistëve, sidomos “ata mbi 80-vjeç të cilët nuk ngriheshin dot nga krevati”. Majko u prezantua para grevistëve por edhe para mediave si nje person i thjeshtë dhe jo politikan, pasi sipas tij kjo nuk është një histori politike, por një dramë. Duke iu referuar këtij perifrazimi, Majko tha se për këta njerëz të cilët po luftojnë me vdekjen në mbrojtje të misionit të tyre, “duhet komunikimi njerëzor nga ana e qeverisë”. “Ata njerëz që i kanë mbajtur në krah nuk vijnë as të komunkojnë me ta. Siç ecin rrugës për të takuar bizneset e duke folur për taksa biznesi, të vijnë të takojnë edhe këta njerëz. Kjo nuk është një histori politike, është një dramë. Sot nuk jam si politikan i Partisë Socialiste, jam si njeri. Këta njerëz po vdesin dhe askush s'po komunikon me ta nga ana njerëzore.”tha Pandeli Majko. Deputeti i PS-së vijoi duke thënë se në lidhje me këtë kauzë “po përpiqet te krijohet nje grup i shoqërisë civile për të komunikuar me qeverinë pasi diskutohet marrëdhënia njerëzore, nuk është histori politike. Të gjithë duhet të ndihen ndopak fajtorë për këta njerëz që janë në çadra.”, përfundoi fjalën e tij Majko.
TUFA: AVOKATI I POPULLIT DO NEGOCIOJE ME QEVERINE
Ora 13: 20 Një përfaqësi e ish- të përndjekurve politikë zhvilluan sot një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Koordinatori i grevës, njëherësh kreu i shoqatës së ish të përndjekurve politik, Skënder Tufa tha se në takim është diskutuar për gjetjen e një zgjidhje për situatën e grevistëve. Ai tha se Avokati i Popullit garantoi të jetë negociator me qeverinë, ndërsa kjo e fundit me ndërkombëtarët. “U takuam me Avokatin e Popullit rreth çështjes se grevistëve. Diskutuam që të ulemi në bisedime e të shpëtojmë jetët e grevistëve. Totozani po ndërhyn për zgjidhjen e problemit tone, pasi greva ka marrë një rrethim dhe është në terror. Totozani na garantoi se do të na ndihmojë për mbarëvajtjen grevës”, u shpreh Tufa, ndërsa i ka bërë apel Kryqit të Kyq për ndihmë.
GAZETARE E SINDIKALISTE TE CADRAT: LEJONI GAZETARET TE RAPORTOJNE, TE LARGOHET POLICIA
Ora 13:00 Përfaqësues të sindikatave dhe të Unionint të Gazetarëve janë vendosur në ambientet pranë çadrave te “Komuna e Parisit” ku janë vendosur grevistët në shenjë mbështetje ndaj tyre por edhe si protestë ndaj pengesës nga forcat e policisë që i është bërë gazetarëve për të raportuar mbi atë që ndodh brenda çadrave të grevistëve. Gazetari Aleksandër Çipa në emër të gazetarëve shprehu kërkesat e tyre dhe sqaroi arsyet se përse ndodhen pranë çadrave. Sipas tij çdo gazetar i kronikës duhet të lejohet të vendoset brenda çadrave për të pasqyruar ngjarjet në këtë mjedis. “Duam që çdo gazetar i kronikës të vendoset brenda çadrave për të pasqyruar këtë që po ndodh në këtë mjedis ku ish-të përndjekurit prej 23 ditësh kërkojnë disa të drejta që janë sociale dhe të ligjshme. Duam të hyjnë reporterët e kornikës brenda çadrave për të na informuar mbi atë që ndodh”, tha Çipa.
Ora 13: 05 Përfaqësues të sindikatave, të solidarizuar mbi këtë grevë ka kërkuar largimin e policisë, pasi sipas tij kjo është thjesht një grevë dhe ska pse të konsiderohen si në burg duke u ruajtur nga polica me thirrjet “Të largohet policia, grevë urie jo burgim.”
GREVISTET: QEVERIA TE DIALOGOJE, NDRYSHE DO MARRIM MASA EKTREME
Ora 12: 33 Grevistët paralajmërojnë nesër masa ekstreme nëse nuk do të gjendet dialogu, për të zgjidhur çështjen e ish-të përndjekurve politik. Ky fakt është pohuar në një lidhje direkte për televizionin A1 Report nga grevisti Ramazan Spahiu, 72 vjeç, i cili thotë se qëndrimi i qeverisë ndaj kësaj kategorie është krejtësisht indiferent.
“Sot në ditën e 23-të të grevës së urisë, interesimin e qeverisë shqiptare e shohim indiferente ndaj halleve dhe kërkesave tona. Kam hyrë në grevë urie se veten time e konsideroj të dënuar e deri më sot qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë për ish- të dënuarit politik. Kemi njoftuar kryetaren e parlamentit, presidentin, Berishën, por deri tani nuk ka asnjë zgjidhje. Ne e shohim veten njësoj si kosovarët me serbët”,-shprehet grevisti Spahiu. Ai thekson se gjendja e grevistëve sot është përkeqësuar, ndërsa shumë prej tyre që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kanë nevojë për medikamente.
GAZETARET NE PROTESTE, ALARM ”SOS” PER NDALIMIN E KOMUNIKIMIT ME GREVISTET
Ora 12: 31 Gazetarët shqiptar janë ngritur sot në protestë para selisë së Kryeministrisë, pasi policia i pengoi të pasqyrojnë grevën e urisë së ish-të përndjekurve politik. Në pankartat e gazetarëve shkruhej fjala "SOS" në shenjë proteste kundër ndalimit të komunikimit me grevistët, si dhe për të raportuar gjendjen e tyre pranë mjediseve ku po zhvillohet greva. Mësohet se protesta e gazetarëve është mbështetur edhe nga deputetët e Partisë Socialiste, si dhe shumë qytetarë e ambientalistë. Me pankarta në duar, përmes të cilave dënohen aktet e ndalimit të reporterëve për të komunikuar me ish të përndjekurve, gazetarët janë nisur në drejtim të grevistëve. Pak ditë më parë, një kordon i forcave të policisë izoloi grevistët, duke mos lejuar askënd të afrohej pranë tyre, përfshirë këtu edhe gazetarët.
PERKEQESOHET GJENDJA SHENDETESORE, FATMIR LLOSHI NE SPITAL
Ora 12:20 Një tjetër ish i përndjekur politik është detyruar të braktisë grevën e urisë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Sipas gazetares së televizionit A1 Report, Gentiana Haxhiu, grevisti Fatmir Lloshi është dërguar menjëherë për në qendrën spitalore universitare “ Nënë Tereza”. Ai ka shfaqur komplikacione me shëndetin e tij për shkak edhe të kushteve të vështira në të cilën vijojnë grevën në ditën e sotme ku reshjet e shiut kanë depërtuar brenda çadrave duke lagur dyshekët ku ata flenë.
PERFAQESUESI I AV.POPULLIT PËR A1 REPORT: PO KRYHEN INSPEKTIMET
Ora 10: 30 Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit tha për mikrofonin e televizionit A1 Report se po kryhen inspektimet por ende nuk mund të flitet për konkluzione. Duke iu referuar shprehjeve të grevistëve, se Avokati i Popullit, Igli Totozani i ka lënë në harresë, ai tha se “Avokati po merret me çështjen nga institucioni” dhe se sipas tij, informacionet i dërgohen vetë avokatit. Megjithatë ai nuk përjashtoi edhe mundësinë e prezencës së vetë Avokatit të Popullit në çadrat e ish të burgosurve politikë grevist.
GREVISTET: KUSHTE TE VESHTIRA, I KEMI HEQUR VIZEN QEVERISE
Ora10:21 Një prej grevistëve rrëfen për TV A1 Report kushtet e vështira në të cilët ish të burgosurit politik po kalojnë ditën e 23-të të grevës së urisë. Është shumë e vështirë të qëndrojmë. Jam shumë i sëmur, jam lag jam bërë qull te krevati im e më kanë lëvizur shokët te krevati i një tjetër grevisti, e kam refuzuar ndihmën mjekësore, meqenëse qeveria na ka heq vizën edhe ne ja kemi hequr vizën.”, u shpreh ish i përndjekuri politik.
Koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa u shpreh për mikrofonin e televizionit A1 Report se për të folur mbi vështirësitë e zhvillimit të grevës në këto kushte, ka kërkuar ndihmën e Avokatit të Popullit, por sipas tij ky i fundit nuk i është përgjigjur në telefon, ndërsa të pranishëm në çadrat e stacionuara te “Komuna e Parisit” në kryeqytet janë dërguar katër përfaqësues të tij.
“Avokati i Popullit të kryejë detyrën e tij, i bëjmë thirrje Totozanit që të vijë tek grevistët”, tha Tufa. Ndërkaq, grevisti Fatmir Lamaj thekson mbi këtë fakt, se “Avokati i Popullit nuk po mban qëndrimin që i takon solli vetëm përfaqësues të tij”.
(Në foto, një grevist duke shmangur rrëzimin e çadrës nga rreshjet e shiut)
E pavarësisht këtyre kushteve, grevistët shprehen të vendosur për ta çuar deri në fund misionin e tyre. Skënder Tufa thotë për Tv A1 Report se “grevistët janë në gjendje shumë të rëndë, por nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat"
Njëri prej pjesëtarëve të grevës, Fatmir Lamaj thotë se vendosmëria e tyre për të vazhduar para me grevën, i përgjigjet faktit që sipas tyre, kërkesat janë plotësisht të realizueshme pasi janë vetëm ekonomike e jo politike.
Lamaj ka kërkuar edhe mbështetjen e komuniteteve fetare që të ngrenë zërin e tyre ndaj kësaj kauze, ndërsa për mikrofonin e Tv A1 Report shprehet i i zhgënjyer mbi heshtjen e presidentit Bujar Nishani, pas takimit që ky i fundit zhvilloi me disa përfaqësues të ish të përndjekurve politik disa ditë më parë.
(Gre.M/s.f/Shqiptarja.com)