Ai praktikisht ishte një dështim klasik dhe ndihmoi kryesisht në rastet e kthimit të pronave në zonat urbane. Pjesët më të rëndësishme të këtij ligji, u shfuqizuan gjatë po atij viti nga vendime të ndryshme të Gjykatës Kushtetuese... Shqipëria e jetoi postkomunizmin e vet me jetë të dyfishtë. Me kushtetutën e vitit 1998, shtetit shqiptar i lindi detyrimi i zgjidhjes përfundimtare të pretendimeve për kthim të pronave drejt pronarëve të ligjshëm. Pamjen më të plotë për "pronën" në Shqipëri e jep Banka Botërore e cila në raportin e saj më të fundit vlerëson se "Qeveria dhe gjykatat në Shqipëri kanë dështuar në zgjidhjen e çështjes së pronës". Banka Botërore e lidh ekzistencën e qindra ndërtimeve të paligjshme në Shqipëri me moszgjidhjen e çështjes së pronës. Sipas saj një e treta e të gjithë ndërtimeve të kryera në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve janë të paligjshme. Për zyrën e OSBE në Tiranë zbatimi i plotë i ligjit është penguar nga fakti se shumë afate kohore të parashikuara në legjislacionin e pronësisë janë shkelur dhee institucionet përkatëse shqiptare s'kanë marrë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre. Ajo vëren se zonat kryesore urbane dhe zonat bregdetare mbeten të paregjistruara. Mungesa e titujve të pronësisë ka sjellë në Shqipëri edhe një fenomen tjetër i cili emërtohet si "pronat e papërdorshme". Pronarët që nuk i kanë marrë këto tituj nga zyrat e kadastrave nuk mund t'i përdorin pronat e tyre për ndërtime apo investime. Për çështjen e pronave në Shqipëri, Gjykata e Strasburgut ka kaluar nga paralajmërimet në veprime konkrete. Ndëshkimi më i freskët i Strasburgut ishte ai i gjobës prej 3,2 milion eurosh, që kjo Gjykatë i ka vënë qeverisë aktuale për moszbatimin e vendimit të saj. Dhe ky është vetëm fillimi! Në Gjykatën e Strasburgut ka sot rreth 530 ankimime të pranuara për të hapur procese gjyqesore.
Strasburgu ka kërkuar që cështja e pronave të zgjidhet nga shteti shqiptar dhe të respektohet Konventa Europiane e Lirive dhe të Drejtave themelore të njeriut ku ai aderon. Në këtë situatë dramatike të pronës në Shqipëri, Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar Shqipërisë të bëjë publike faturën financiare që ai ka marrë përsipër ndaj shtresës së pronarëve të ligjshëm. Ajo ka kërkuar që kthimi dhe kompensimi i pronave të jetë konform parimeve të jurisprudencës së Strasburgut. Këto parime janë në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë. Eshtë e qartë që për cështjen e pronës sjellja e shtetit shqiptar bie ndesh me parimet që ka pranuar në ligjin themelor të tij. Në këto kushte, Gjykata e Strasburgut mbetet shansi i fundit për pronarët shqiptarë. Deri më sot në Gjykatën e Strasburgut të gjitha çështjet kundër vendimit të komisionit të Kthimit të Pronave janë fituar në 100 % të rasteve nga ana e pronarëve. Ata kanë pasur përballë Avokaturën së Shtetit, e cila është palë kundërshtare në proceset gjyqësore. Ajo përfaqëson shtetin shqiptar në këtë organizëm ndërkombëtar si për të përforcuar zyrtarisht keqbërjen e shtetit karshi pronarëve të ligjshëm. "Lufta e Ftohtë" midis qeverisjes dhe pronarëve vazhdon thuajse e padukshme për opinionin publik. Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese shpalli si antikushtetues tre nene në ligjin shqiptar për kthimin e pronave. "Hilja" qeveritare ishte që nëse një qytetar ankohej në Gjykatën e Strasburgut, të lejohej që Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave, të anullonte vendimin e mëparshëm të marrë në vite prej saj. Pas këtij "veprimi ligjor" Gjykata e Strasburgut nuk kishte cfarë të gjykonte pasi nuk ekzistonte vendimi mbi të cilin duhej të shprehej... Manovrat qeveritare në marrëdhënien me pronën bënë që pronarët të ishin të parët që e vlerësuan dhënien me qira të tokave bujqësore të pandara si një strategji të qeverisë për të shmangur kompesimin fizik të pronës. Konflikti vjen për arsyen e thjeshtë se "kompensimi tokë me tokë" është strategjia e vetme realiste që i ka mbetur shtetit shqiptar në marrëdhënien detyruese me shtresën e pronarëve. Në 5 gusht të këtij viti ka hyrë në fuqi strategjia e re qeveritare për pronën. Kjo strategji ka në themel edhe kompensimin fizik dhe synohet që deri në vitin 2020 të kenë marr zgjidhje çështjet e pronave. A thua të jetë e vërtetë kjo!? Kompensimi financiar, është një ëndërr e bukur për tu besuar. Deri më sot shteti shqiptar ka përdorur për kompensimin financiar një fond minimal vjetor.
Qeveria quan sukses që fondi për kompensim finaciar nga 2005 deri në 2011 është rreth 37 milion dollarë. Kjo është një shifër qesharake krahasuar me detyrimin prej shumë miliardë eurosh të kompensimit të pronarëve. (shifrat lëvizin deri në 20 miliardë euro!) Në vitin 2014, qeveria pasardhëse sipas "strategjisë" së mësipërme do të duhet krijojë "fondin e tokës" dhe të fillojë kompensimin fizik të pronarëve. Sot në Shqipëri realiteti plaçkitës flet për ish-repartet ushtarake të cilat do të privatizohen e një praktikë ku çdo tokë fitimprurëse po ndahet ose po jepet me qira. A do të fillojë kompensimi fizik i pronave në vitin 2014? Përgjigja pohuese është tallje me veten! Përgjigja negative është para syve të të gjithë publikut. Eshtë e qartë se qeveria aktuale me vetdijë po e dështon këtë proces. Zgjidhja e problemit të pronësisë përbën një nga 12 rekomandimet që Bashkimi Europian i ka vënë Shqipërisë për ecurinë e integrimit të saj. Rezerva e Brukselit zyrtar në çështjen e pronës po merr tendencë ndëshkimi për Tiranën zyrtare. Përpara presionit ndërkombëtar nga qeverisja ka disa deklarime publike për cështjen e pronës. Nga ministria e drejtësisë pretendohet se ka kaluar në fondin e kompesimit fizik rreth 71 hektarë pyje, 17 mijë hektarë tokë bujqësore dhe mbi 100 objekte. Pyetja është se "Ku janë këto prona!?" Gërxhet e mbetura paprivatizuara, duket se do tu jepen pronarëve me "solidaritet kushtetues". Tallja po vjen si në një ballo me maska! Në këtë "ballo" postkomuniste, Shqipëria ka aktualisht mbi 8 institucione që veprojnë mbi të drejtat e pronësisë në varësi të ministrive të ndryshme. Sipas analizës që ka bërë vetë Ministria e Drejtësisë, këto institucione trajtojnë në mënyrë të fragmentarizuar çështjen e fitimit të pronësisë dhe të regjistrimit të titujve të pronësisë. Në këtë "xhungël" agjencish shtetërore ka funksionuar një mafie e mirëfilltë tokash.
Aktualisht agjensia e kthimit të pronave administron 6556 kërkesa fillestare për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave. Sot gjendja e marrëdhënieve pronësore në Shqipëri ka krijuar qartazi një shtresë pronarësh të vjedhur publikisht me makinacione ligjore dhe vendime të korruptuara gjykatash. Në mes të kësaj drame shqiptare qëndrojnë pronarët të cilët janë njerëz me një profil qytetar dhe fisnik. Ata flasin rrallë në publik dhe organizimet e tyre nuk janë aspak të një karakteri agresiv. Të mbushur me premtime ata qëndrojnë si një nga shtresat më tolerante të shoqërisë shqiptare të gatshëm për të negociuar me shtetin e tyre. Ku ka të "vjedhur" ka edhe "hajdutë". Në se ligji shqiptar i njeh të vjedhurit, ai do të refuzojë ti njohë "hajdutët". Kjo, pasi vjedhja sic deklarohet rëndom është bërë për interesat e shumicës(!). Këtu nuk flitet për ligjin 7501(ndarja e tokës bujqësore). Kam folur me pronarë tokash, dhe pavarësisht pakënaqësisë, ja u ndjen mirëkuptimin. Përballë këtij mrëkuptimi, sjellja shtetërore karshi tyre ka qenë denigruese. Dhjetë vite më parë shikoja me bisht të syrit sallën e kuvendit për të vëzhguar sa kishte rënë në sy "gabimi" në programin e qeverisë. Atëherë, nuk e dija se keqtrajtimi i shtetit fillon nga prona. Në Shqipëri, ai është një "krim kolektiv" i politikanëve për vota, dhe pushtet...Shumica e tyre ishin mirëkuptues dhe me një inerci kulturore që vinte nga komunizmi. Makutët dihen! Koha që jetojmë është efekt anësor i fuqisë së tyre... Padyshim!
*Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)