TIRANE - Në 14- vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, ish kryeministri, Pandeli Majko, shkruan me nostalgji për mikun e tij, ndërsa cilëson se 12 shtatori është një reflektim për të kujtuar “armiqtë mik” siç i cilëson Majko, të gjithë ata që humb gjatë rrugës së jetës të mbushur me moralistë, shokë, njerëz të mirë, karaktere prostitutash dhe qen pekmez”.

Reagimi i Majkos vjen nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social Facebook, ku shkruan ndër të tjera se “më ka marrë malli ta pi një kafe me “kokëderrin” Azem! Të “zihemi” sërish…Dhe të qeshim me kohën dhe kalimtarët e saj”.

Nga ana tjetër, Majko rikujton edhe takimin e djeshëm në qytetin e Vlorë me familjen e gjykatësit të vrarë, Konomi. “Dje në Vlorë, ishim së bashku me kolegë socialistë në shtëpinë e gjykatësit Konomi në një tjetër përvjetor vrasjeje. Ai u hodh në erë në mes të qytetit”, shkruan ish kryeministri.

E në lidhje më këtë vrasje, e ndoshta dhe atë të mikut të tij Azem Hajdari, Majko thotë se “një mafie tokash nuk ka dyshim se qëndron pas këtij krimi makabër”.

“Ironia, sipas shpjegimeve të familjarëve, ishte se ende drejtësia shqiptare nuk ka guxim as të zbardhi vendimet gjyqësore për pronat e ligjshme të fituara me vendim gjykate”, tha Pandeli Majko.

Heshtja e drejtësisë nuk është lajm në Shqipëri, shkruan Majko, e për këtë ai tregon se Azem Hajdari do të thoshte “Mos u mërzit”, po të ishte gjallë, sigurisht”.

“Nga dhjetori i 1990-ës, kujtimi i Azem Hajdarit dhe Arben Brocit mbetën stacionet e pandryshuar të kësaj jete për të mos harruar kohën dhe ecjen e saj”, përfundon reagimin e tij Majko, në 14 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)