Çfarë ndodhi në Kombet e Bashkuara?
Ishte një këshillë e miqve të mi që unë mos bëja komente rreth kësaj historie jo se nuk ja vlene të flisja apo të ulja koken. Unë kandidova në postin e asistentit të sekretarit të përgjithshem për PNUD. Jo më larg se 24 orë më parë pashë me kënaqësi që Mabam Helen Klark që mbulon në mënyrë ekzekutive PNUD ishte drejtuesja e komisionit që më mori në intervistë dhe konkurova përballë një zonje të nderuar nga Turqia. Më pas me kërkesë të OKB kandidova për një post tjetër dhe aty pata një konkurrim të rëndësishëm. Por ngandonjëherë gjërat nuk varen nga mënyra individuale si shfaqesh por edhe provë force që kalon nga individët te shtetet. Ajo që dua të theksoj ishte se m'u pohua mbështetja e shumë vendeve partnere nga SHBA dhe vendet kryesore të Europës, e nisa këtë pa marre një garanci nga dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit Angli dhe Francë, Kina dhe Japonia dhe vendet e Azise më dhanë mbështetje të madhe, isha afër finishit.
Kryeministri shqiptar ju mbështeti?
Absolutisht po edhe ministri i jashtëm dhe kryeministri që të dy me letra të veçanta dhe nuk kam ngurruar t'u shpreh mirënjohjen.
Loja politike për Presidentin tregoi se Berisha mbetet master in command. Ndodh sepse është i aftë; sepse nuk i intereson asgjë veç kampit të tij politik, apo se ju kundërshtarët e tij jetoni në një botë tjetër e jeni lojtarë më të dobët se ai?
Joo, ne po te duash e ngremë zotin Berisha në pidestal, por kjo s'është e vërtetë. Së pari duhet të themi që Berisha bëri presion maksimal, duke thënë pikërisht këtë që thatë ju se PD do zgjedhë në postin e presidentit një nga figurat drejtuese të saj. Më pas po i njëjti njeri tha që do zgjedhim një njeri nga qarqet e diplomacisë dhe jurisprudencës dhe dolën me kandidaturën e zotit Zaganjori. Më pas kaluan me kandidaturën e shoqërise civile dhe më pas kjo krizë përfundoi te kandidatura e tretë e cila doli fituese në raundin e katërt.
Kjo pra ishte një krizë apo një lojë?
Le ta marrim pak më me ngadalë. Nëse do ecim me këtë logjikë dhe të mendojmë se kemi të bëjmë me një opozitë që është naive dhe ja ka lënë në dorë personit të fuqishëm, mendoj se ka një këndvështrim tjetër, sepse shpesh lihen anash ato që bën mazhoranca dhe merren me atë që bën opozita. Unë mendoj se menaxhimi i çështjes presidenciale nga ana e mazhorancës është një proces i gjatë krizë me oshilacione dhe kundërthënie dhe kam frikë se çështjen e kundërshtarit të fortë e lënë pak në hije qoftë për zotin Berisha, qoftë për mazhorancën. Duhet thënë që mazhoranca hyri e dyzuar me thënie e kundërthënie, kishim një Berisha që thoshte se dua të zgjedh një përfaqësues të lartë të PD dhe kishim një LSI që thoshte jo duam konsensus të gjerë dhe jo figurë të PD. Më pas loja u ashpërsua dhe mendoj se një pjesë që ka të bëjë me dy kandidatët e parë nuk lidhet me presionet me mosdhëniet e komrpmisit nga ana e opozitës, por lidhet me zhvillimet brenda rradhëve të mazhorancës. Unë mendoj se koha detajet kalimi i verës dhe temperature të lartë do të japë vlerësim që rënia e dy kandidaturave dhe dështimi i mazhorancës në prodhimin e një kandidature solide për presidentin e republikës, ishin pjesë e krizës së brendshme të saj, jo e një naiviteti nga ana e opozitës.
Çfarë ndodhi realisht në lojën presidenciale. U futët kokëulur me idenë se s'keni vota. Dhe mendoj që nuk ishte taktike e keqe, për t'ia lënë gjithë fajin Berishës. Por më pas, opinioni publik dhe ambasadori amerikan kanë nisur të shohin me sy kritik pasivitetin e opozitës...Çfarë mund të kishit bërë ndryshe?
Pasiviteti vjen dhe nga mënyra se si ne ishim përgatitur të shikonim mënyrën e menaxhimit të kësaj historie. Ishim përgatitur të shikonim një opozitë, dhe një mazhorancë që do uleshin në tavolinë, do hidhte secila emrat do kishte edhe një ballafaqim një refkeltim, gjithçka nuk do ti lihej humorit ngacmues për individë të cilët qarkullonte emri në klube dhe restorante të Tiranës por do ishte diçka më serioze. Fakti është se ky proces filloi në mënyrë të njënashme dhe në nëse duam ta shprehim krizën, është se politikani Berisha, negociatën duhet ta niste nga egzistenca e tij në qeveri, nuk mund të fillonte një negociate me Edi Ramën, që do ti prishte matematikën e votave për të drejtuar qeverinë. Në këtë moment mendoj që Berisha u përpoq të bëjë presionin maksimal më shumë se sa mbi opozitën, mbi partnerët e vet të koalicionit dhe zhvillimet e brendshme brenda mazhorancës skualifikuan dy kandidatë Zaganjorin dhe zotin Hoxha.
Por sulmet ndërkohë erdhën nga krahu juaj...
S'është e vërtetë. Zoti Zaganjori është tërhequr në fund të raundit të tretë: unë po tërhiqem se nuk kam konsensusin e opozitës. Kam një pyetje si qytetar dhe shumë naive. Pse priti mbarimin e raundit të tretë, dhe nuk e bëri që në momentin kur zbriti nga shkallet e PS pas takimit me Ramën dhe pa që s'kishte mbështetjen e PS. Mendoj se këto nuk kanë të bëjnë me marrdhëniet me PS por me mazhorancën, dhe zhvillimet e brendshme, dhe te cilat ndryshe nga marrdhëniet e brendshme që ka opozita nuk janë me zë të lartë, por me zë të ulët. Dhe ngadonjëherë media nuk i nxjerr.
Media i ka nxjerrë të gjitha...
Kemi një kandidat tjetër që në mëngjes hypi me badigardë në makinën e presidentit në një kohë kur opinionin e opozitës e dinte shume mirë kundër tij dhe deklarohej se do të shprehej si president pasi të votohej në parlament. Nuk u votua, në parlament, seanca nuk filloi, u shty dhe çuditërisht pamë përballë medias një kryetar grupi të PD pak të kontraktuar duke thënë se do të kemi një kandidat tjetër për president. U mblodh kryesia e PD, dhe zgjodhën ministrin e Brendshëm të qeverisë së zotit Berisha për President. Dhe sot ne kemi ish-ministrin e brendshëm për President dhe ish-sekretarin organizativ, gjithashtu me duar plot dhe ballin lart po shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E kam fjalën për atë që thuhet për opozitën se nuk hodhi përballë asnjë kandidat dhe kishte përballë një mazhorancë të relaksuar që i thoshte opozitës, "të lutem na jep emrin" me të cilin ne do trokasim në dyert e BE dhe do t'u themi, "na pranoni në BE". JO. Kemi patur një mënyrë sfidante që nisi me fjalinë: "Ne duam një president nga PD".
A nuk do kishte sens zoti Majko që në raund të katërt kur kjo mazhorancë do testonte votat e saj, dhe në fakt vetëm me tre vota plus, nga minimumi kushtetues u zgjodh Presidentin...
PD sot që flasim vjen 7 vjet ne pushtet. Ka provuar të gjithë përfaqësuesit e sistemit nga maja deri poshtë te këmbët dhe president zgjodhi zotin Topi dhe Prokuror të Përgjithshem mos vazhdojmë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e gjykatës së Lartë. Sot sistemi sido që ta marrësh është në duart e PD, dhe sot ata deklarojnë se ka dështuar. Nuk i kishte ardhur rradha që ti thuhej opozitës se kush janë kandidatët e saj.
Mendon se është bërë kjo pyetje ndonjëherë në tavolinën e bisedimit? Mendoni se kryetari juaj i ka hedhur emrat?
Unë mendoj se nuk është hedhur....
Kryetari juaj ka hedhur emra, është folur se është hedhur emri juaj...
Mendoj se ka patur, një debat shumë të koklavitur përsa i përket procedurës. Edi Rama në dijeninë time ka vendosur mos i hyjë detit në këmbë duke hedhur në tavoline emra si gogla, që do viheshin nën goditje pa asnjë rezultat nga ana e mazhorancës. Po është e vërtetë, më ka thënë, më ka marre në telefon, "Pandi në një moment kam përmendur emrin tënd". Por kjo ishte jashtë çdo lloj konstesti, në biseda paraprake. Unë mendoj se bisedat kanë qenë të një natyre të tillë dhe nuk janë lejuar hapjen e bisedave të kësaj natyre për të zgjedhur një kryertar shteti që të kishte vulën, edhe të mazhorancës dhe të opozitës. Procesi filloi dhe mbaroi nën presionin dhe krizën e brendshme të mazhorances. Kjo duhet thënë kështu siç është.
A ka qenë i mbështetur totalisht në këtë lojë nga ju, zoti Rama?
Të jem i sinqertë nuk e quaj lojë. Nëse do ta shikoja jo thjesht në këndvështimin e atij që a e përkrah apo se përkrah atë që ka bërë Rama, unë prisja një proces shumë të ndryshëm në mënyrën se si do orientohej procesi në zgjedhjen e Presidentit në Shqipëri. Mendoja se ekzistonte brenda mazhorancës, për mënyrën sesi faktori ndërkombëtar po e priste si moment krucial zgjedhjen e presidentit, do krijonte mundësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual. Berisha kishte mundësinë, që të çudiste perëndimin dhe të gjithë ata që ishin dyshues ndaj tij.
Çfarëdo që të ndodhë në vitin 2013, pak po e sigurt që nuk i hiqni dot meritën që e djathta, një minorancë historike në dy dekadat e demokracise, ka qeverisur dy te tretat e tranzicionit dhe ka zgjedhur katër nga pesë presidentët me orë të plota pune...
Mendoj se ne mund të mburremi se PS duke qenë në qeverisje në 2002 ka prodhuar një nga presidentët sipas meje më solidin.
Mendoni që ndoshta Fatos Nano mund të kishte hapur së paku garën në raund të katërt?
Fatos Nano në një mënyrë apo një tjetër, i dhuroi një fushatë skenës politike. Pse jo edhe PD. Por nuk besoj që do të kishte të garantuar një fitore në sensin e futjes në garë, sipas meje ishte e sigurt se futja në garë...
Ama do ta stresonte kundërshtarin...
Po flasim për rezultatin jo për stresin. Nëse do flasim me logjikën e stresit, tërheqja e kandidatëve të mazhorancës nuk është pak. Por unë mendoj dhe ja kam thënë Fatosit se është mbyllur historia, se nëse ai do konkuronte përballë një kandidati të mazhorancës, ai do të humbiste. PD do e votonte kundër dhe kam përshtypje që do kishte vota kundër edhe nga e majta.
Pra ju mendoni se dhe nga grupi i PS do kishte rrjedhje votash kundër zotit Nano?
Për të qenë i sinqertë, po.
Për çfarë arsye?
Mendoj se pas 2005 ka patur goxha ankesa, që do shpreheshin në votimin e fshehtë. Mënyra e të sjellurit të Fatosit në perceptimin e shumë socialistëve kishte krijuar irritim në momente të caktuara. Këtë që po të them ja kam thënë edhe vete Fatosit, dhe mendoj se ky acarim pas 2005 që në perceptimin e socialistëve që shpesh e kishin parë të ulej me përfaqësuesit e së djathtës në kulmin e fushatës elektorale do të sillte një efekt domino, që do ta vinte emrin e tij në këtë siklet që do bënte që votat e së majtës do shkonin djathtas. Do kishte socialistë që do preferonin të kishin një president të djathte se sa Fatos Nanon.
Ju thatë që e takuar zotin Nano, si ju është dukur ai? Karrocier i dehur i së majtës apo pjesë e shpirtit të revoltuar opozitar për dështimin e radhës përballë Berishës?
Jo, jo. Ai është politikan profesionist dhe mendoj që kandidimi i tij për President është më tepër një kthim politik se sa një kërkesë me se zbën President i Republikës.
Si e pritet lajmin e darkës së famshme të Gjirit të Lalzit?
Çfarëdo lloj përgjigje që të jap unë, e di që do bësh ironi.
Jo s'do bej ironi, mjaft të më thuash të vërtetën...
Në fillim u mërzita, mendoj që është e shpjegueshme dhe e imagjinoj, që do kishte një takim mes Ramës dhe Metës, por nuk e mendoja që do shkonte në shtëpinë e Metës për çdo lloj arsye.
Jua tregoi vete zoti Rama apo e morët vesh nga mediat?
E mora vesh nga miq të tjerë, e mora vesh punë orësh që ai ishte duke darkuar. Mora vesh se kush kishte qenë interlokutor. Ne fillim u mërzita jashtëzakonisht, dhe nuk e kuptova dhe për interlokutoret, ata më mërzitën më tepër. Por problemi sot mund të bëjë edhe pyetjen tjetër. Ai iku Rama për të ulur kokën përballë Metës, për t'i kërkuar falje për ndonjë gjë. A iku për të harruar katër të vrarët e 21 janarit, se ishte penduar për diçka, se ishte fiksuar për t'u bërë kryeministër dhe kjo ishte rruga më e shkurtër. Mendoj se arsyeja bazë, ishte se Rama donte të sfidonte një skemë për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri. Donte te realizonte një presion të brendshëm në mazhorancë, ashtu siç ajo ndodhi në fazën e parë. Mori një risk të madh duke e kryer atë veprim por në fund mendoj se plani i tij ishte ajo që shkruajti në editorial, ai donte rrëzimin e qeverisë të Sali Berishës.
Me atë plan ai dështoi e dështoi, por në planin e brendshëm të PS ky raport me Metën ka lënë gjurmë negative?
Jo, mendoj se me zhvillimet që ndodhen sot, askush në rradhën e analistëve që shpesh i kam dëgjuar të thonë se një nga problenet e PS në zgjdhjet e ardhshme ishte marrëdhënia me LSI dhe kjo ishte kthyer në ritual. Sot mendoj që secili e ka një përgjigje që LSI në momentin fundor vendosi të votojë një kandidaturë nga PD.
Pra Rama i doli borxhit...
Dhe së dyti, një vit para zgjedhjeve LSI rifreskoi qeverinë që do të thotë se sot LSI përballë gjithë llojit të pikëpyetjeve e ka dhënë një përgjigje në mënyrë elokuente.
Pra ju nuk shikoni një të ardhme PS-LSI?
Po të shikojmë rethanat mendoj se janë mjaft kokëfortë, nuk mendoj se sot ekziston një fabul, një parti që ndryshon ministrat kemi të bëjmë me një rifreskim kontrate.
Jo më larg se te hënën Rama deklaroi se nëse LSI ikën nga qeveria, PS do bashkepunoje me të. A është kjo deklarate e konsultuar me kryesinë e partisë?
Nuk mendoj se gjërat e natyrave të tilla duhet patjetër të konsultohen me kryesine e PS. Mendoj se gjithë kjo histori nga Gjiri i Lalzit deri më sot ka dhënë përgjigje se çfarë duhet të bënte PS me LSI në sensin si do shkojë e majta në zgjedhje. Këtë përgjigje më shumë se zoti Rama e ka dhënë LSI me dy vendimet e fundit, presidentin dhe ndryshimet në qeveri. Ajo që i takon PS është të shikojë majtas dhe djathtas se kush është opozitar në Shqipëri. Titullin opozitar në Shqipëri nuk ta jep PS me mënyrën se si ta ofron bashkëpunimin. Sot ka parti të reja, në skenën politike, dhe mendoj gjithë perceptimin opozitar në një ditë në kutinë e votimit.
Mund të ndodhë që zoti Meta të thotë se ok me këtë qeveri unë nuk rri dot dhe troket në derën tuaj...
Nuk besoj. Sa e njoh une Ilirin. Ai nuk është njeri që brenda 2 ose 3 muajve të bëjë gjëra të ndryshme. Nuk pres që brenda kësaj periudhe të ndodhin gjëra të karakterit të tillë dhe të mendojmë një LSI që të thotë, boll u lodha, me PD u mbyll. Jane sinjale që siç e thashë, një parti e koalicionit, e lodhur me këtë koalicion nga tempi i brendshem të kësaj qeverisje nuk ndryshon ministrat, përkundrazi merr distancë, mban ata që ka dhe jo i rifreskon.
Zoti Rama duket plotësisht i bindur nga veprimet e tij, se fitorja e plotë dhe pa ekuivoke në 2013, vjen vetëm nga bashkimi me LSI. Ndërkohë po shtohen zërat nga PD se në vitin 2013, PD me mirë të futet në zgjedhje pa LSI. Shikoni inkoherence apo gabim taktik të PS dhe kryetarit të saj në këtë pikë?
Jo. Më tepër është një, nuk kemi deklamacione të kësaj natyre, zëra të brendshëm që s'mund t'i pohojmë. Mendoj që në këtë moment situata pak a shumë, jemi në fazën e gjysëm finale, që secila skuadër bëhet gati kush do jetë në opozitë dhe kush në mazhorancë. Dhe të mos harrojmë një gjë nuk është komoditet për PS të hyjë me LSI në zgjedhje. E kam fjalën që nëse do kishim në krah LSI, do të investonim në këtë koalicion 8 vjetët e opozicionit, sepse do humbte vija ndarëse me atë që ka ndodhur në pushtetin e PD, si ndryshim me atë që mendon opozita.
Unë mendoj, ne do të investonim goxha nga vetja në një koalicion me LSI që do na vinte në pozitë aspak komode. Por përgjigja, nuk mund të ngrihet pikëpyetja....jo me Gjirin e Lalzit por me një proces që Rama mori përsipër gjithë rufetë në shoqërinë shqiptare, harroi.... dhe në fund fare mendoj që LSI e dha përgjigjien.
Raporti juaj me Ilir Metën ka shënuar ngjarje të rënda dhe të rëndësishme që nga 1998. Pas ftohjes me Ramën me zotin Meta në 2008 ju kam parë ta takoni rregullisht zotin Meta. A vazhdoi ky raport në 2009?
Që nga hyrja ne koalicion, me doktorin ne nuk komunikojmë më. Nuk ka të bëjë me sherre të natyrave të tilla. Rrugët tona u ndanë por ne nuk harrojmë se çfarë kemi kaluar së bashku, jemi politikane në anë të ndryshme por edhe njerëz. Mendoj se kjo mënyrë e të folur përballë jush dhe publikut, mbase më takon mua për të folur hapur se sa disa të tjerë në PS. Meta ka folur.
Ndërsa flirtohet me Metën, raportet me aleatet aktualë janë për të thënë më të paktën, të tensionuara. Pse kjo klimë jo e mirë?
Sepse opozicioni ndan opinionin, kjo vjen edhe nga një situatë thellësisht e mjegullt jo për faj të PS. Kjo do qartësohet në një moment të dytë, duke afruar fushata zgjedhore, kampet do të ndahen dhe ka dy kampe, të paktën psikik, pavarësisht problematikave, nuk them që gjithçka që ka bërë PS është e përkryer. Unë thashë se opozitë nuk të bën PS apo bashkëpunimi me të. Opozitar vendos të jesh vetë dhe pastaj vjen bashkëpunimi. PS i duhet një rifreskim i gjithë shikimit të atij që quhet spektri opozitar para zgjedhjeve të 2013. Sepse ka ndryshime të mëdha.
Ndërkohë në skenën politike po lindin parti të reja. Aleanca Kuqezi ka nje platforme patriotike. Ju pëlqen?
Mua ta them hapur, qoftë partia FRD, qofte AK, për mua janë aleatë të natyrshëm të opozicionit në Shqipëri, të një shtrese shoqërore që kërkon ndryshimin të PS. Ne duhet të ulemi me ta për t'i fiksuar ata në një ditë, në një kuti për një qëllim të përbashkët.
Mendoni se partia e zotit Topi të jetë aleate para apo pas zgjedhjeve?
Unë mendoj, para zgjedhor.
Edhe me Aleancën Kuq e Zi?
Po. Deri sa jemi opozitarë, ne de fakto bashkëpunëtorë jemi, ata na shikojne si bashkëpunëtorë. TCH është një TV i pavarur që kritikat nuk i kursen as majtas dhe as djathtas. Por fakti se si e shikon, sytë e qeverisë, shpesh thonë, media pranë opozitës. Edhe ju jeni shpallur bashkëpunëtorë pa patur një kontratë me PS. Sensi i bashkëpunëtorit që shikon mazhoranca nuk është njësi matëse për opozitën. Unë mendoj se mësimet që ka nxjerre opozita nga zgjedhjet që janë organizuar në këtë qeverisje, e bëjnë të vlefshëm faktin se ne duhet ta plotësojmë psikikën opozitare në një pikë, sot të ndash votën në opozita të ndryshme është t'i japësh një shnac më tepër këtij pushteti edhe për nje 4-vjetsh tjeter.
Zoti Rama thotë se me apo pa LSI në 2013 ne i fitojmë zgjedhjet... Mendoni se kjo është logjika e duhur për fitore?
Ju mendoni se ne do themi që pa LSI, ne do rrimë deri në 2018, kur i bie...
Jo meqë folët për trenin dhe vagonat...
Që dikush të mërzitet dhe te vijë me ne. Secili ka mendjen e vet dhe interesat e veta dhe akush nuk mund të ndërhyje brenda një partie, qofte kjo edhe LSI dhe të thotë, që mua më intereson më shumë të jem në koalicion me PD apo nesër me PS. Kjo është në vullnetin e tyre. Ne kemi axhendën tonë, ata që janë opozitarë dhe e kanë ndarë mendjen që në zgjedhjet e ardhshme të hyjnë si opozitarë, nuk mund t'i thuash vetes opozitar dhe ngaqë je i pakënaqur me Ed Ramën thua, me Ramën nuk po funksionoj dhe po shkoj me Berishën. Po pse Edi Rama të bëka ty opozitar? Edi Rama ta jep cilësinë për të ndryshuar këtë vend për mirë apo për keq? Opozitar nuk të bën PS, por vendimarrja jote për të ndryshuar në zgjedhje situatën në të cilën, ndodhet ky vend.
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)