Majlinda Bregu merr me të mira
Bashën: Më intereson vetëm PD

Majlinda Bregu merr me të mira<br />Bashën: Më intereson vetëm PD
Deputetja demokrate Majlinda Bregu është rikthyer më një këndvështrim të dytë të realitetin politik, duke korrigjuar një polemikë ndaj Lulzim Bashës, të cilit i tha të martën se nuk mund të kërkonte qeveri teknike kur PS-LSI kanë 84 vota. Korrigjimin e qëndrimit të saj, Bregu e ka nisur me një ironi për ish-kolegët e saj gazetarë. “Nuk u kthehem kurrë atyre që them për t'i përforcuar, por vetëm nëse kam ndonjë risi për t' ja shtuar mendimit të parë. Ose korsisë së parë të mendimit- siç thotë një mik. Sot po bëj një përjashtim se më ngjan që vapa i ka zënë edhe ca shkronjës që fresku ju vjen vetëm nga hargalisja prej thashethemeve dhe komentojnë qëndrimet e mia sipas orekseve të përvëluara politike të momentit”,-shkruan Majlinda Bregu në Facebook. Ai sjell qëndrimin e ri të saj se kjo qeveri nuk mund të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. “Me këtë qeveri zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik! Me para u tentua të bliheshin zgjedhjet në Korçë në Nëntor 2013. Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet lokale të 2015. Nuk po përmend ato parlamentare të 2013 se në to së pari PD humbi!

Dhe jo vetëm se pati manipulim e vjedhje votash nga Aleanca që sot qeveris vendin, por se pagoi edhe koston e bashkëjetesës politike me LSI”,-thotë Bregu. Për të, nuk është e nevojshme që të prishet koalicioni qeverisës. “Gjasat janë shumë që skema e blerjes së votës, manipulimit dhe kërcënimit të përdoret edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Paratë e drogës e të korrupsionit të përditshëm përdoren në zgjedhje për Kryekorrupsionin: blerjen e votës! Të ikë kjo qeveri! Shumë mirë! Të shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike! Akoma më mirë! Si?!! "S'kanë pse ndahen Rama e Meta që të provokohet një qeveri teknike kur dashuria për pushtetin është dukshëm më e fortë se sa urrejtja për njeri-tjetrin",-thashë dje. Dhe i qëndroj pa asnjë lëkundje. A nuk iu betua dje njëri tjetrit edhe njëherë për të disatën herë, çifti i palumtur se kanë hall sesi së bashku të çojnë "përpara" axhendën e koalicionit?! Atëherë? Çfarë duhet të bëjmë ne? Të përgjojmë humorin e marrëdhënies së tyre duke parë ëndrra në diell se do ndahet çifti e të presim kur po ndahet Çifti i Palumtur?!

Unë them vetëm kjo s'ka pse të jetë halli ynë”,-vijon qëndrimi i ri i Bregut. Ajo ka një mesazh final për gazetarët duke kërkuar fokusim tek reforma zgjedhore. “Ndërkohë, ju lutem shkronjësve. A nuk është me vend të pyesni mirë pse po shtyhet Reforma Zgjedhore? A do të shkojmë në Zgjedhje me të njëjtin Kod Zgjedhor? A do të vazhdojmë të kemi kryetarë të fortë partie dhe parlament si ky aktuali? A do të mbyllim sytë para milionave që shpenzohen për fushata zgjedhore? A do të lejojmë që në listat zgjedhore të kemi 300 mijë votues të pa identifikueshëm, pa adresa të cilët janë subjekt për manipulimin të votës ditën e zgjedhjeve? A do të jetë fuqiplotë ligji i Dekriminalizimit që të mos ketë asnjë individ me precedent penal në lista?”-pyet Majlinda Bregu. Në fund, për ta bindur Lulzim Bashën se është demokrate, thotë se shqetësimi i saj ngelet PD. “Unë e kuptoj zët-in që kanë ca për tu marrë me detaje reformash, por fati i kësaj reforme për vendin dhe opozitën është më i rëndësishëm se fati i pafat i Çiftit Rama-Meta. P.s Ajo që më intereson mbi të gjitha është Partia Demokratike dhe Politika! As palumturia e çiftit Rama-Meta dhe as frymorët e tyre mediatikë”,-përfundon Bregu.

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois