Majlinda Hoxha: Si u vetëpunësova
në kulmin e krizës ekonomike

Majlinda Hoxha: Si u vetëpunësova<br />në kulmin e krizës ekonomike
Majlinda Hoxha 15 vjet më parë emigroi në Greqi.  E vetëdijesuar se atje nuk do të gjente dot përkrahjen as nga shteti i saj, e aq më pak nga një shtet i huaj, gjeti kurajën së bashku me bashkëshortin që të bënin punë të vështira, por pa shumë perspektivë për të përballuar rritjen dhe edukimin e dy fëmijëve. 

Pasi kaluan tre-katër vjet, ku mësuan gjuhën greke dhe u njohën mirë me vendin fqinj, Majlinda Hoxha me familjen e saj integrohet në jetën e Athinës. I duhej një zgjidhje për të përballuar më mirë jetesën. Hyn në një shkollë parukerie. 
Fjalëpakë, punëtore dhe një person që i bën punët me vullnet, nis punën në një parukeri. Në zemër të Athinës moderne, ajo fitoi respektin dhe simpatinë e pronarit dhe të klientëve. 

Kështu Linda, siç e thërrasin shkurt të gjithë, krijoi një klientelë me zonjat greke që nisën ta donin si vajzën e tyre e pikërisht në një periudhë paragjykimesh për emigrantët shqiptarë. 

Punoi dhe fitoi profesionin. Por fillimi i krizës ekonomike në Greqi, ia vështirësoi punësimin bashkëshortit të saj, dhe kështu ata vendosën të kthehen në Shqipëri. 
Kthimi në vendin e tyre qe një zhgënjim i madh, saqë jetesa me sakrifica në mërgim do t’u dukej disi më mirë para realitetit që zbuluan. E kishin të vështirë të gjenin punë. Tashmë kishin ikur nga Athina. Por Majlinda duke besuar në aftësitë e saj, sfidoi. Nuk nguroi ta niste edhe dhe njëherë nga e para, edhe pse tashmë mbush 45-vjetorin e jetës së saj. Parukeria e saj gjendet pas Shkollës së Baletit në Tiranë. Mban emrin “Parukeri Linda”, ku ajo vete e drejton e vete punon, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Kur hyn aty ndjen shijen e relaksit dhe të qetësisë. Klientet janë nga ato që mbajnë zakonisht një gazetë ose libër në duar gjatë rregullimit të flokëve. Si rrallëherë ndodh në parukeritë e Tiranës, aty nuk gjejnë dot terren thashethemet. Duke qenë ndryshe Linda e ka fituar në zemër të krizës ekonomike punën e saj... 


Intervista

Linda sa vite ke jetuar si emigrante në Greqi?

-15 vjet më parë unë emigrova drejt Greqisë, si shumica e shqiptarëve. Nuk ishte e lehtë të gjenin punë, si unë dhe bashkëshorti, sepse edhe emigrimi i shqiptarëve në atë kohë, qe shumë i madh. 
Me vështirësi mund të gjeje punë të rëndomta, të cilat i përballuam me shumë lodhje dhe probleme. Kështu që me kalimin e viteve, ndërsa fëmijët rriteshin dhe ne po përshtateshim me jetën e një vendi të huaj, me gjuhën, e fëmijët po përshtateshin me shkollat, nisën kërkesa të tjera për jetën. 
Dhjetë vjet më parë mendova të nisja një shkollë parukerie në Athinë dhe ia dola ta realizoja këtë ide. Pastaj duhej kërkuar punë në këtë profesion. Por paragjykimi për emigrantët bunte punën e vet. Nuk ishte aq e lehtë. Zakonisht prej sjelljes sonë të mirë nuk na i shprehnin në sy opinionet negative, por pas krahëve ndikonin për keq dhe kjo më mërziste pa masë. 
U punësova më në fund në një parukeri, ku pronari qëlloi të ishte mendjehapur dhe i vlerësonte njerëzit nga aftësitë, jo nga kombet, raca apo paraqitja. Ishte ai që u thoshte klientëve se “çdo vend ka njerëz të mirë e të këqij, por unë vetë njoh shumë shqiptarë të mirë”. Dhe zonjat greke në fillim nuk ishin shumë miqësore, por duke parë punën time, jo vetëm që nisën të shprehnin kënaqësi, por edhe nisën të më trajtonin si vajzën e tyre. Kur u largova nga Athina ato u mërzitën, dhe më thanë “Na vjen shumë keq se kishin vite që u mësuam me ty, bëje një punë të pëlqyer, të kishim si vajzën tonë”. Dhe kishte sinqeritet në keqardhjen e tyre, sepse kur u ndamë më sollën edhe ndonjë dhuratë simbolike. 

Dhe ju ikët nga një situatë krize, duke ardhur në një situatë tjetër krize më ta madhe në vendin tuaj, e dinit se çfarë u priste?
-Në vitin 2011 ne u kthyem në vendin tonë. Nuk mund ta merrnin dot me mend sesa keq mund të ishte. Të afërmit e mi janë të shpërndarë si emigrantë në të gjitha kontinentet, dhe duhet ta kishim marrë me mend këtë, por ne besuam fort se Shqipëria duhet të kishte ndryshuar për 15 vjet. U zhgënjyem që në fillim, shuam pak gjëra kishin shkuar përpara. Këtu edhe nëse të ofronin punë, bëhej fjalë për rroga 20 mijë lekë të reja në muaj. 
Këtë s’mund ta imagjinoja, sepse s’mund të ushqeja dot fëmijët. Kur punonim në Greqi nuk ishte problem sigurimi i ushqimit. Ishte problemi të bëje një jetesë më e mirë dhe shëndetshme. Habia e madhe ishte se këtu frutat dhe perimet kishin çmime më të larta se në Greqi, ku rrogat janë shumëfish më të larta atje. Në Shqipëri u ndeshëm me problemin e papunësisë për gati një vit, ku bashkëshorti im gjente punë të pjesshme dhe mua më ofrohej punë, por me pagesë shumë të vogël. 
Atëherë vendosa të punoja e pavarur dhe të çelja një parukeri të vogël, ku sigurisht nuk ishte e lehtë, por mendova se me aftësitë që kisha fituar do të mund të nxirrja së paku si fillim rrogën e vogël që më ofronin parukeritë, sepse duhej zbritur shuma e madhe e taksave dhe sidomos shpenzimet e materialeve për të punuar. Materialet e parukerisë dhe të estetikës kushtojnë. Unë vendosa të punoja sa më shumë. 

Duke parë s’e në Shqipëri rrogat mesatare janë te 20 mijë lekë, nuk mendove se s’do gjesh dot klientelë në vendin tonë të varfër. 
-Nuk e mendova, sepse Tirana është e mbushur realisht me parukeri, dhe ato nuk janë hapur kot. Në mos zonjat e vjetra në moshë, ato të rejat do të bëjnë çmos të kujdesen për imazhin e tyre, pastaj mendova se do të bëja edhe diferencën me shërbimin e mirë. Frikë kisha, gëzim i madh qe, por kërkoja disa pika të forta brenda vetes sime që të sigurohesha që puna të ecte. Falimentimi do të qe i rëndë për gjithë familjen time, dhe nuk është se nuk kisha shqetësime për këtë. Por gjeta kurajo duke menduar që të mos zhgënjeja fëmijët për kthimin e tyre në atdhe. 
Ja kështu me këto mendime dhe trazime filloi. Më në fund çela parukerinë “LINDA”. Nisa të fitoja shumë pak në fillim sa nisën të vinin klientët e para, të cilat tani janë shtuar, por edhe duke u shtuar nuk më kanë braktisur asnjëherë. Tani kam marrë edhe një kolege për estetiken e këmbëve dhe të duarve. Jam e kënaqur së tepërmi që kam kliente me kulturë, me botë, dhe që punojnë në institucione e ndërmarrje prestigjioze. Kjo më ka dhënë një siguri dhe më ka bërë të respektoj punën, duke menduar që klientët të ndihen mirë. Tashmë falë kësaj pune, arrij të mendoj pak më tepër për shkollimin dhe edukimin e fëmijëve, sepse edhe përshtatja me shkollën këtu dhe me shoqërinë nuk ka qenë e lehtë për ta. 

Të vjen keq ta bëj një pyetje. Është bërë e udhës që shumica e parukerive të kthehen në ambientet thashethemeve. Madje kjo sjell shpesh paragjykimet për profesionistet si ju. E ke dëgjuar këtë?
-Sigurish që në disa parukeri ndodh të jetë kështu. Kjo varet nga karakteri i drejtuesit ose punonjësve, por në asnjë punë që do të merrja përsipër unë nuk i përziej gjërat personale me punën. Thashetheme besoj se ka edhe nëpër zyra apo ndërmarrje. Është çështje e edukatës personale kjo. Unë vërtet kam kliente të mira, di ku punojnë dhe përse u duhet një rregullim flokësh, por s’di asgjë më tepër rreth jetës së tyre personale. Di aq sa më takon për punën që bëj, sepse nuk mund ta stiloj me të njëjtën mënyrë një kliente që shkon në dasmë me një që shkon në zyrë. Unë gëzoj kur ato vijnë dhe gjejnë mirëkuptim e kënaqësi nga shërbimi im. Ma kanë vënë re edhe per pyetjen që bëtë ju. Dhe më vjen mirë që nuk i shqetësoj klientet e mia. Madje unë blej edhe gazeta, që kush nuk ka marrë ndonjë libër me vete, nis të lexoj diçka që të kursej kohën. E kjo diçka është një lajm, një kuriozitet apo edhe një recetë gatimi. Ka gazeta që i kanë të gjitha këto. Mua personalisht thashethemet më shqetësojnë, ndërhyrja në jetën e tjetrit nuk shërben për kurrgjë, nuk është një punë e pastër. Mbase qetësia dhe përkushtimi im më hapi rrugën e punësimit edhe në një vend të huaj. Në Athinë paguhesha shumë mirë për punën që bëja, dhe nuk do të ikja aq lehtë nëse edhe bashkëshorti do të kishte mundësi punësimi. Por ja që erdhën në vendin tonë. Kemi prindërit këtu dhe do të rrisim fëmijët këtu. 

Meqë fole për fëmijët, sa kohë i kushton edukimit të tyre, sepse ju punoni një kohë të gjatë?
-Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali pret të shkojë në Universitet, ndërsa vajza mbyll këtë vit klasën e nëntë. Edukimi i fëmijëve fillon që nga familja dhe shoqëria, nuk mund ta bësh dot e vetme. Unë si nënë i mbaj sytë hapur që të edukohen me thjeshtësi, sinqeritet dhe punë. Si prindër mundohemi të jemi një shembull i mirë, duke punuar me ndershmëri dhe pastërti. Pastaj edukimi është një proces që nuk përfundon kurrë. Edhe ne vetedukohemi ose edukohemi sipas rrethanave të jetës. Ka rëndësi që fëmijët të priren nga e mira.
 
hoxha

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja