Makijazhi i dobët i komisionit 'Nishani'

Makijazhi i dobët i komisionit 'Nishani'

Debati fals në komisionin Nishani, nëse duhet të ketë një mandat tjetër parlamentar për Berishën, vetëm sa kërkon të japë në publik imazhin se partia po përballet më në fund me një “temë me peshë”, me një “patate të nxehtë”. Në fakt të gjithë janë me vonesë në PD, kur është fjala për Berishën. Të paktën shtatë vjet vonë!

Pasi Berisha e ka prerë formalisht litarin e kreut të partisë në 2013, ai vetë më i pari dhe të gjithë të tjerët pas tij, përfshirë Lulzim Bashën dhe politikanët që debatojnë sot, kanë rënë dakord në heshtje me statusin e ri sui generis të Sali Berishës, një status krejt flu dhe i papërcaktuar i personit që vazhdon të lëvizë çdo gur në parti. Një ish-kryetar, që është ende qosheja e kuvendit të burrave në parti dhe njeriu që kur flet, i bën të tjerët të heshtin, e mundësisht të mbajnë edhe shënime.

Megjithëse e ka nisur karrierën e tij politike kur Margaret Thaçer ishte në detyrën e kryeministres së Britanisë së Madhe, megjithëse vetë Thaçer ka vdekur dhe pas saj britanikët kanë ndërruar edhe gjashtë kryeministra të tjerë, Sali Berisha vijon të mbajë me dëshirë dhe vullnet të plotë pozicionin e njeriut të gjithëpushtetshëm në PD.

Ndaj Berishës ka sot një disponim popullor negativ të pakthyeshëm. Shumica dërrmuese e votuesve të majtë dhe një pjesë e mirë e atyre që konsiderohen neutralë, që numerikisht do të thotë shumica e votuesve të këtij vendi, e shohin figurën e Berishës si simbolin e kulturës së urrejtjes politike, si njeriun që e ndau dhunshëm shoqërinë shqiptare në të mirë e të këqinj, me stilin e tij agresiv të të bërit politikë. Në asnjë nga anketat e opinionit publik, Berisha nuk rezulton më si politikani më i preferuar i elektoratit, përveç një bërthame fanatikësh që janë të gatshëm të justifikojnë gjithçka lexojnë në profilin e tij të Facebook-ut dhe ta votojnë kurdo që të shohin emrin e tij në një listë.

Nëse PD do të krijojë një profil të ri politik, që të shohë drejt betejave me socialistët pa arketipin e Berishës në subkoshiencë, nëse kjo parti do më në fund, pas shtatë vjetësh nga ikja formale e ish-kryetarit, që të ketë një lider partie me kohë të plotë, e jo një “dezhurn” të paraardhësit – nëse i do të gjitha këto, për të mirën e vet dhe në fund të fundit për të mirën e punëve në Shqipëri, duhet pra të ndajë më në fund hapur dhe publikisht shapin nga sheqeri. Duhet t’u thotë shqiptarëve me fakte dhe në dritë të diellit, se epoka e dualizmit ka mbaruar, se dilema e lidershipit nuk është më, se personi që ka ulur në poltronin më të lartë është vërtetë ai që merr vendimet dhe jo dikush tjetër pas perdes. Bëjeni më në fund kryetar Lulzim Bashën, shtatë vjet pasi e keni zgjedhur si të tillë!

Boshti historik që Berisha ka mbajtur gjallë me Ilir Metën, është një rrethanë që ka prodhuar jo vetëm kriza e bllokime të pafundme politike e institucionale në vend, por edhe një aleancë që ka relativizuar dukshëm vetë rolin dhe peshën e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Kjo opozitë me dy suflerë nga pas, vetëm sa na ka treguar këto shtatë vite se po këshillohet keq dhe me emocione negative nga ata që e donin herë në Çadër, herë jashtë Parlamentit dhe herë jashtë zgjedhjeve lokale.

Kjo pasiguri hamletiane e ka dëmtuar fatalisht PD në shtatë vjetët e fundit, sepse e ka lënë rregullisht edhe fajin, edhe përgjëgjësitë, edhe meritat, në mes të rrugës. As tek Basha, as tek Berisha. U dogjën mandatet, po kush i dogji?! Një pjesë thonë është punë e Doktorit, tjetra thotë se e bëri Basha, të tjerë akoma, se këtu është dora e Ilir Metës. Ky mishmash supozimesh, kjo gjurulldi vendimmarrjesh vetëm sa e bën edhe më konfuz dhe të hutuar elektoratin e djathtë.

Më tej akoma, kur sherret fokusohen në nivelet më të ulëta, tek Topalli e të tjerët si ajo, duke lënë të paprekur “sfinksin” Berisha, problemi vetëm sa kamuflohet, nuk davaritet. Komisioni Nishani po bën një makijazh të radhës, duke mos patur guximin të prekë realisht problemin numër një të rinovimit dhe ndarjes së partisë nga e shkuara: të ardhmen e Berishës në politikën aktive.

Berisha iku në vitin 2013 sepse e kuptoi edhe vetë se s’mund të rrinte më si kryetari formal i partisë. Por në ndryshim nga të gjithë ata që kanë ikur vërtet nga poste të ngjashme, ai mendoi e mesa duket vazhdon të mendoje se ka një marrëdhënie pronësie të pazgjidhshme me PD. Dhe kur partisë i ka dalë pronari i vjetër, i riu është krejt i pasigurt se çfarë vlere ka tapia që ka në xhep.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 13/08/2020 17:14

    Berisha nje bajge lipe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja