FIER – Një efektiv policie ka humbur jetën dhe 2 persona të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në vendin e quajtur Kthesa e Visokës, rreth 7 kilometra larg qytetit të Ballshit.

Shpëtim Haruni 45 vjeç ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa dy shtetasit e tjerë, Xhevahir Rabija dhe Fiqiri Lamaj janë dërguar me urgejencë në spitalin e Ballshit.

Sipas policisë, automjeti tip Nisan që drejtohej nga Fiqiri Lamaj, me targa AA 920 CI, i cili po udhëtonte nga Ballshi për në drejtim të Fierit ka dalë nga rruga për shkak të lagështisë duke rënë nga një lartësi prej 50-70 metra në lumin Gjanicë. Në automjet ishin si pasagjerë edhe shtetasit Shpëtim Haruni, polic në Burgun e Rrogozhinës si dhe Xhevahir Rabija, banorë të fshatit Panahore të Ballshit.

Nga të dhënat paraprake mësohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit nga ana e drejtuesit të mjetit si pasojë e lagështirës në rrugë të krijuar nga reshjet e shiut.

Forcat e policisë së Rendit dhe ato Rrugore, në vendngjarje kanë nisur hetimet për zbardhjet e shkaqeve të aksidentit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)