Një aksident rrugor është regjistruar sot në aksin Kukës- Morinë të “Rrugës së Kombit” në afërsi të fshatit Bardhoc.
Një automjet ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta, duke shkaktuar lëndimin e një gruaje 64-vjeçare që udhëtonte si pasagjere drejt Kosovës.
Fillimisht, e dëmtuara u dërgua në urgjencën e Spitalit Rajonal të Kukësit, por për shkak të gjendjes shëndetësore është transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ky është rasti i dytë brenda kësaj jave në të njëjtin aks rrugor. Vetëm dy ditë më parë, një motorist nga Peja humbi kontrollin e mjetit të tij ndërsa po udhëtonte nga Kosova drejt Shqipërisë.
Autoritetet policore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, sidomos në këto ditë me shi, reshje bore dhe fluks të lartë automjetesh.









Komente
Komento