SHKODER - Burrë e grua kanë humbur jetën pasi janë përplasur nga automjeti i mbledhjes së mbeturinave, teksa udhëtonin me motroçikletë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së sotme në lagjen Bahçallëk të Shkodrës. Sipas informacioneve paraprake, makina e mbledhjes së mbetjeve ka qenë duke ecur mbrapa dhe ka përplasur motoçikletën, në të cilën udhëtonin Zenel Bajrami, 55 vjeç nga Vukatana dhe bashkëshortja e tij Satbere Bajrami 47 vjeç.

Fillimisht, korrespondenti i televizionit A1 REPORT, Admir Agolli informoi se bëhej fjalë vetëm për një viktimë, ndërsa pak minuta më vonë nderroi jetë në spitalin e Shkodrës edhe gruaja e tij.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, dyshohet që shkak për këtë ngjarje të ketë qenë pakujdesia e drejtuesit të makinës së mbledhjes së mbeturinave, pasi është treguar i pavëmendshëm në momentin që ka qenë duke marrë koshin e mbeturinave. Policia ka bërë shoqërimin e tij në polici për të marrë dëshminë mbi ngjarjen.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të ndodhur në qytetin e Shkodrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)