FIER-Dy të rinj kanë humbur jetën nga një aksident mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në fshatin Arapaj të Roskovecit.

Sipas të dhënave nga gazetari i Report Tv në Fier, Kristaq Thano një makinë që po lëvizte me shpejtësi ka dalë nga rruga duke përfunduar mbi trotuar ku kishin ndalur dy të rinjtë duke i marrë përpara dhe përfundoi në kanalin anësor të rrugës.

Përplasja ka qenë fatale dhe dy kushërinjtë e parë, Amarildo Dogani dhe Festim Dogani 21 dhe 29 vjeç, humbën jetën në vend. Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes ku duket makina që përplasi të rinjtë dhe njollat e gjakut.

Policia ka nisur hetimet, ndërsa nga të dhënat e para nga grupi hetimor mësohet se shkak ka qenë shpejtësia me të cilën po lëvizte makina dhe mungesa e ndriçimit në rrugë.

Në Shqipëri në javët e fundit janë shënuar shumë aksidente me vdekje. Sipas një raporti të INSTAT në 7 muajt e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 120 persona dhe shumë të tjerë janë plagosur nga aksidentet që janë regjistruar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:12
Gjoba për parakalime e shpejtësi, ja kush është shoferi problematik që u mori jetën dy të rinjve

Burime për Report Tv pohojnë se drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin Amarildo Çalamani është problematik  në drejtim të zbatimit të rregullave te qarkullimit rrugor.

Nga verifikimi ne sistemin e-gjoba rezulton se ai është drejtues mjeti problematik, pasi është ndëshkuar me disa masa administrative;  

3 masa për parakalime të gabuara brenda vitit 2018

2 masa për përdorim celulari

1 masë administrative për tejkalim shpejtësie me pezullim të lejedrejtimit në 2017

1 një masë për mungesë kontrolli teknik

Ora 22:23
Dëshmitari për REPORT TV: Dy djemtë ishin duke biseduar në trotuar kur i shtypi makina

Një banor i fshatit Arapaj në një lidhje telefonike për Report Tv nga vendi i ngjarjes pas aksidentit u shpreh se kjo është ngjarja e tretë që ndodh brenda dy muajve, ndërsa shkak është mungesa e ndriçimit. Ai tha se dy kushërinjtë ishin duke biseduar në trotuar kur janë përplasur nga makina.

Ishin në trotuar duke biseduar, erdhi makina dhe i përplasi. Viktimat i njoh, janë kushërinj të parë. Ky është i treti aksident brenda dy muajve. Rruga nuk ka as ndriçim, as viza, as bordura dhe asgjë.

Banori i fshatit Arapaj