VLORË- Dy ditë pas aksidentit me dy të plagosur në rrugën e Lumit të Vlorës, ARRSH-ja ende nuk ka riparuar barrierat mbrojtëse! Gazetari i Report Tv Armand Xhelili ishte në fshatin Brataj, në vendin ku ndodhi aksidenti dhe siç raportoi nga vendi i ngjarjes, barrierat ishin vendosur në zhavorr, duke bërë që të shkulen plotësisht në të gjithë gjatësinë e rrugës, e për pasojë makina ku udhëtonte çifti i të moshuarve të përfundonte në greminë. Të rrezikuar ndihen dhe banorët e fshatit Brataj, pranë vendit ku ndodhi aksidenti.

‘Ishin të ngulura si fije shkrepësesh. Nuk janë vënë në atë mënyrë që duhet të përballonin edhe një goditje elementare. Kjo tregon se puna në këtë segment është bërë jo cilësore, madje mund të themi se edhe 20 veta të mbështeteshin aty kjo barrierë do të binte.’- tha banori.

Aksidenti do të ishte evituar nëse barriera anësore e rrugës do të ishte vendosur sipas standardeve të përcaktuara në vendimin e këshillit të ministrave. I bindur për këtë inxhinieri Alfred Hasanaj, tha në studion e “Repor tv” tha se ARRSH-ja duhet të kishte audituar dhe vlerësuar sigurinë rrugore. Hasanaj ilustroi argumentin e tij përmes një stimulimi kompjuterik.

‘Një mjet është shumë i lehtë, kjo është alarmante. Organet e shtetit të bëjnë hetime dhe të shikojnë se e kujt është përgjegjësia. Tani duhet ndarë nëse është problem i projektuesit apo i zbatuesit. Mjeti që është përfshirë në aksident është një mjet me peshë të vogël dhe në këtë rast barriera duhet ta kishte mbajtur, pasi në bazë të VKM-së, duhet të mbarë deri në 10 mijë kg, pra sa 10-fishi i automjetit.  Nëse do të ishte montuar sipas normave europiane dhe VKM-së që ne kemi makina do ta godiste dhe do të kthehej sërish në rrugë. ARRSH për detyrë që të kontrollojë gjendjen teknike. Enti pronar i rrugës duhet të kontrollojë gjendjen teknike të rrugës. Automjeti do të godiste barrierën dhe do të kthehej sërish në rrugë. Pse nuk e ka mbajtur? Çfarë shkoi keq? Është miratuar jo në përputhje të plotë me aktet normative.'- u shpreh inxhineri.

ARRSh-ja duhet të mbajë përgjegjësi, tha Hasanaj dhe të nisë menjëherë kontrollin në akset nacionale ku barrierat janë pa cilësi apo mungojnë.

“Enti pronar i rrugës duhet të auditoj segmentet rrugore, të kontrolloj si janë instaluar, pasi ka raste që del nga rruga bashkë me mjetin. Të auditoj të gjithë segmentet rrugor, ku mungojnë barrierat. Kemi qafën e Muzinës ku automjeti ranë nga ura, 5 të vdekur. Aty edhe sot nuk kemi asnjë barrierë mbrojtëse, madje ka disa elementë betoni në anë të rrugës që nuk mbrojnë asgjë. Absurde! Procesi punës realizohet, por nuk respektohen normat teknike”.- tha inxhinieri.

Rruga e Lumit të Vlorës u ndërtua një vit më parë dhe 10.4 miliardë lek. Sot ajo nuk ofron asnjë siguri për udhëtarët e shumtë që lëvizin drejt bregdetit të jugut.