Makinat, Autoriteti Mbikqyrës
mbështeti rritjen e sigurimit

Makinat, Autoriteti Mbikqyrës <br />mbështeti rritjen e sigurimit
AMF, nëpërmjet një "note" zyrtare, ka bërë të ditur dje se pranon ndërhyrjen në tregun e sigurimeve, por një gjë të tillë e ka bërë në të mirë të qytetarëve dhe subjekteve, klientë të kompanive që operojnë në këtë treg. Që nga fillimi i këtij muaji, është vënë re me shqetësim një rritje e menjëhershme dhe e përgjithshme e tarifës që duhet të paguajnë klientët për automjetet e tyre, çka pasoi uljen e ndjeshme të saj në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Në kushtet e një tregu të lirë, theksohet nga AMF, e rëndësishme është të monitorohet shëndeti financiar i operatorëve për angazhimet që ata kanë ndaj publikut dhe përgjegjësitë për të shlyer dëmet sipas kontratave të lidhura me publikun. AMF disponon mekanizma të tjerë mbikëqyrëse, që nuk janë direkt kontroll çmimesh dhe konkretisht ndërhyn nëse tarifat e aplikuara janë nën primin e rrezikut, që do të thotë shitje e produktit nën kosto.
Me pak fjalë, deklarata e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare le të kuptohet që ulja e tarifave, si pasojë e liberalizimit, ka sjellë shqetësimin se kompanitë nuk do të kishin mundësinë të paguanin dëmet për klientët e tyre, pasi sasia e primeve që po hynin në arkat e këtyre kompanive ishte shumë më e vogël se më parë.
Ulja e tarifave është bërë jo se kompanitë apo agjentët i urdhëroi dikush, por, në një treg, ku nuk përcaktoheshin më tarifat nga ministri i Financave, konkurrenca luan rolin e vet dhe siguracionet kapin një kosto sipas kërkesë-ofertës. U takon kompanive që të bëjnë llogaritë e veta dhe, në rast se nuk e përballojnë konkurrencën, mund të ikin nga tregu, duke shpallur falimentin. Por, AMF, që betohet për veprime në të mirë të konsumatorëve, nuk thotë asnjë fjalë që të shpjegojë se pse çmimet e policave të sigurimit të detyrueshëm aktualisht u rritën mbi nivelin e mëparshëm? Çfarë kushtesh kanë ndryshuar, që e bënë tregun të adoptonte tarifa edhe më të larta se para liberalizimit dhe rritja u bë njësoj dhe nga të gjithë njëkohësisht? Sipas deklaratës së AMF-së, historia e tarifimit të sigurimeve në vendet e tjera të Evropës dëshmon se zbatimi i tarifave sipas rregullave të tregut është e vetmja mënyrë për të shtyrë shoqëritë e sigurimit që të ulin koston e sigurimit në afatgjatë, pavarësisht se, historikisht, në vitet e para pas liberalizimit, çmimet edhe në këto vende kanë pësuar rritje të ndjeshme. Kostot, në fakt, mund të jenë rritur automatikisht në vende të tjera, por në Shqipëri ato nxitjen e kanë marrë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes. Kompanitë kanë vënë në lëvizje të gjitha levat e tyre për të krijuar idenë se tregu duhet rregulluar, ndërkohë që shqetësimi i tyre i madh ka qenë ruajtja e fitimeve të larta. Primet sollën në arkat e tyre 2.2 herë më shumë fonde se sa dëmshpërblimet për aksidentet, edhe para liberalizimit.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024