Për të tetin vit me rradhë, me përjashtim të pandemisë, mali i Sarisalltikut në Krujë do pushtohet këtë fundjavë nga makinat e garave të shpejtësisë nën kujdesin e Auto Club Albania për trofeun ‘Skënderbej’.
“Për fatin e mirë edhe këtë vit pjesmarrja e pilotëve profesionistë është në pritshmëritë tona. Deri më tani janë rregjistrua 32 pilotë. Janë kryesisht nga Kosova, nga Mali i Zi, Maqedonia dhe pilotët shqiptarë të cilët janë 6,”-u shpreh Eridon Lamerboshi, sekretar i ACA.
Zhurma e motorëve të fuqishëm pritet të mbledhë përveç të apasionuarve edhe publik të thjeshtë, që i shton akoma më shumë adrenalinën dhe spektaklin kompeticionit.
“Gara është në disiplinën shpejtësi në ngjitje ose ‘Hill Climb’ është në gjuhën e federatës ndërkombëtare të automobilizimit. Trajektorja e garës është 3.8 kilometra e gjatë,”-deklaroi Eridon Lamerboshi, sekretar i ACA.
Ndryshe nga vitet e tjera këtë herë trofeu ‘Skënderbej’ zhvillohet vetëm në kategorinë profesioniste dhe jo amatore. Ky detaj ka mërzitur më së shumti garuesit shqiptarw të cilët ishin të shumtë në këtë disiplinë, por vendimi është marrë për arsye sigurie.
“Për shkak të kërkesave të organizatorëve, por edhe të gjyqtarëve u vendos që kategoria promo nuk do zhvillohet dhe e vetmja arsye është siguria,”-tha Eridon Lamerboshi, sekretar i ACA.
Trofeu ‘Skënderbej’ në Krujë bëhet me bekimin e federatës ndërkombëtare të automobilizmit dhe është pjesë e zonës qendrore të Europës.