Maksim Bushi: Si na gënjyen
për konkursin e Ismail Qemalit

Maksim Bushi: Si na gënjyen<br />për konkursin e Ismail Qemalit
TIRANE - Ekspozita “Pranvera Art 4” e çelur në Muzeun Historik Kombëtar ishte vërtetë një triumf i piktorëve dhe skulptorëve më të mirë shqiptarë, por pak e dinë se ajo përfshihet në projektet e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës dhe prej tri vitesh nuk financohet më prej saj.

Ndërsa sot është dita e fundit e kësaj ekspozite, që shënon edhe edicionin e 4-t të saj, vërejmë se pas fasadës fshihen gjithë problemet e administrimit të arteve figurative në Shqipëri. Janë probleme që japin edhe rezultate të hidhura, siç janë dështimi me shtatoren e Ismail Qemalit, me Monumentin e Pavarësisë, etj.

Kush e financoi ekspozitën pyesim organizatorët, të cilët janë skulptori i njohur Maksim Bushi dhe piktori Llazar Taçi. Ata rrëfejnë për “Shqiptarja.com” se “Pranvera Art” ka tri vjet që nuk financohet. Artistët kanë nisur të japin lekë nga xhepi i tyre për të mos u mbyllur si projekt. Sakrificat e artistëve për ruajtjen e ekspozitës “Pranvera Art” e kanë zanafillën që në vitet ‘72-‘73.

Në vitin 1973, ekspozita u censurua dhe u ndërpre për frymën e saj të lirisë. Katër vjet më parë MTKRS e shpall si një nga projektet “sfiduese” rikthimin e ekspozitës. Po ku kanë shkuar fondet e saj? Sali Shijaku, Kujtim Buza, Maksim Bushi, Llazar Myzeqari, Llazar Taçi, ishin disa prej atyre që kanë ndërprerë ëndrrën e lirisë krijuese në vitin 1973, ndaj sakrifikojnë që të mos ketë një herë të dytë të mbylljes së saj.

Atëherë si po e mbajnë “gjallë” projektin? 30 mijë leke i vë Sali Shijaku, 30 mijë Kujtim Buza, 30 mijë Maksim Bushi, Llazar Taçi dhe kështu me radhë, 65 artistë po japin lekë për një projekt kulturor që ka dalë nga zyrat e Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës.

A është normale kjo? Organizatori i ekspozitës Maskim Bushi në intervistën për “Shqiptarja.com” e konsideron diskriminim lënien pa buxhet të arteve figurative. Piktorët dhe skulptorët paguajnë nga xhepi i tyre për posterin, sallën, albumin..., gjithçka.

Zoti Maksim, si ka nisur tradita e ekspozitës “Pranvera art”?
-Fillimisht ishte një grup artistësh të njohur që kanë dashur të ekspozojnë, autorë të traditës së bashku me talentet të reja. Projekti nisi në Ministrinë e Kulturës për ringjalljen e një tradite të mbyllur në ‘73-in për shfaqje të huaja. Por pati vetëm një edicion të financuar dhe nuk vazhdoi më gjatë. Në ’73-in ekspozita u gjykua se kishte tolerancë në kërkesat artistike. Kjo binte ndesh me frymën ideologjike të kohës. Ka qenë ajo bërthama mbi të cilën u rikthye ekspozita “Pranvera art” para 4 vjetësh.

Nga financohet kjo ekspozitë?
-Ekspozita për tri edicione rresht po bëhet me kontributin e artistëve. Me lekët e tyre ata mbulojnë shpenzimet për katalogun, për sallën, posterin, etj. Ne kemi probleme me sponsorizimin. Jemi 65 piktorë e skulptorë, ku janë pjesëmarrës emra të njohur, me rreth 130 punime në gjininë e pikturës dhe skulpturës, që kanë kontribuar duke vënë nga pak lekë nga xhepi i tyre që të mos dështojë ky projekt.

Në këtë ekspozitë janë emra të njohur si Sali Shijaku, Kujtim Buza, Llazar Myzeqari, etj, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në vitin 1973. Në ekspozitë përfshihen edhe talente shqiptare që zhvillojnë karrierën jashtë, si Zoi Shyti, Bujar Harizi, Ilo Oxa vjen nga Italia, etj.

Përfshihen talente nga rrethet. Mua më vjen keq se normalisht sponsorizohen projekte të teatrit dhe kinemasë me shuma të mëdha dhe mirë bëhet që sponsorizohen, por ndihemi të diskriminuar si kategori artistësh, kur edhe pse kërkohen shuma më të vogla, Ministria nuk sponsorizon artet pamore.

Kur ka nisur karriera juaj? Pashë që kishit një skulpturë moderne “Pa titull” dhe një bocet shtatoreje të Ismail Qemalit, që kolegët e tu e vlerësojnë...
-Karriera ime ka nisur që prej 40 vjetësh. Kam ekspozuar nga vitit ‘74 kur është hapur Galeria e Arteve. Kam vepra në fondin e saj. Kritika ka spikatur një imazh lirik në skulpturat e mia. Por unë nuk mund të flas shumë për veten, por mund të them se për një pjesë të veprave të mia kam kënaqësi që ia kam dedikuar vendlindjes. Si artist lushnjar unë kam në qytetin tim disa vepra parqesh të hershme si “Djali mbi buallicë”, punime të tjera në terakotë dhe shumë kompozime.

Si është puna e bocetit të Ismail Qemalit, pse nuk e paraqite në konkursin e 100-vjetorit me të?
-Nuk e çova, sepse konkursi ishte për një kohë të pamjaftueshme dhe unë doja ta mbaja gjatë në dorë. Nuk isha i bindur tek mënyra e organizimit. Ishte i nxituar, i shpejtë. Konkursi në thelb nuk kishte lidhje me figurën e Ismail Qemalit, sepse u prodhuan bocete pa fund për figura të tjera historike.

Por s’dua të fals më shumë për këtë, sepse nuk kishte një përfaqësim dinjitoz. Edhe pse u shpall zyrtarisht e publikisht dështimi, ata prapë shpallën fitues artistin kosovar Veli Blakçori, dhe e degdisën në një qoshe pastaj. Ndërkohë neve na gënjyen, na thanë se do të bëhet një fazë e tretë konkursi dhe nuk u bë. Fajin për dështimin e këtij konkursi nuk e patën skulptorët, por organizatorët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset