Shqipëria ka shënuar përmirësime në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike, sipas gjetjeve paraprake të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vlerësimin e eficiencës së investimeve publike (PIMA). Raporti i plotë i FMN-së pritet të publikohet së shpejti.

Gjetjet u diskutuan në një takim mes ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe misionit të FMN-së, të kryesuar nga Ian Hawkesworth. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë takimit u evidentua progresi që Shqipëria ka bërë vitet e fundit në drejtim të planifikimit dhe administrimit të investimeve publike.

Investimet publike në vend kanë qenë rreth 6.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit dhe, sipas planifikimeve afatmesme, pritet të mbeten në nivele të larta edhe në vijim. Investime të tjera janë parashikuar në sektorë si transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Ministri Malaj tha se rezultatet e vlerësimit tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Evropian dhe ekonomitë e zhvilluara për mënyrën se si planifikohen dhe menaxhohen investimet publike.

“Paratë publike sot po investohen më mirë”, u shpreh ai, duke theksuar se ky progres reflektohet në disiplinën buxhetore, alokimin e fondeve, si edhe në rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në prokurimin publik.

Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj shkroi se vlerësimi PIMA tregon se Shqipëria “shënon progres të dukshëm, duke performuar mbi mesataren e ekonomive europiane dhe të shumë vendeve të zhvilluara”.

“PIMA është vlerësimi i FMN-së që mat se sa mirë një shtet planifikon dhe menaxhon investimet publike. Më shumë vlerë për çdo lek të shpenzuar. Më shumë rezultat për qytetarët”, shkroi ministri.

Sipas Ministrisë së Financave, vlerësimi i FMN-së konsiderohet një tregues pozitiv për ecurinë e reformave në menaxhimin e financave publike, ndërsa objektivi mbetet forcimi i mëtejshëm i mekanizmave që garantojnë përdorimin sa më efikas të fondeve publike.