Malaj: Situata po përkeqësohet,
pas zgjedhjeve thellohet kriza

Malaj: Situata po përkeqësohet, <br />pas zgjedhjeve thellohet kriza
TIRANË - “Situata po përkeqësohet. Kjo sipas treguesve zyrtarë të treguesve buxhetore të periudhës janar-prill 2013”, ka paraprirë Arben Malaj, anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë e Financës, ekspert i njohur ekonomie, analizën e situatës ekonomike në vend. Malaj, aktualisht edhe kandidat i pavarur në qarkun Vlorë për zgjedhjet e qershor 2013, ka dalë sot me një deklaratë për shtyp, ku analizon gjerësisht ekonominë e rrënuar të vendit. Ai ka shtuar se “kriza pas zgjedhjeve do të jetë më e thelluar”.

JA SHIFRAT E RRËNIMIT DHE VARFËRISË

Sipas Malajt, mosrealizimi i të ardhurave tatimore është thelluar me rreth 5.5 miliardë lekë ose rreth 55 milionë dollarë. Të ardhurat nga TVSH janë 36 milionë dollarë më pak, kjo vërteton se aktiviteti ekonomik ka rënë ndjeshëm, papunësia dhe varfëria janë rritur.

Ndërsa tregon se shpenzimet për papunësinë janë ulur me 34 milionë lekë edhe pse papunësia dhe varfëria po rriten. Ndihma ekonomike që përdoret më shumë për blerje votash është tejkaluar me 630 milionë lekë, ndërsa pensionet e invaliditetit kanë muaj që vonohen, shumë të sëmurë dhe të paaftë për punë janë pa asnjë të ardhur mbijetese.

Investimet publike që në thelb janë projekte të copëzuara infrastrukture tejkalohen me 37% - vazhdon përshkrimin e situatës Malaj -  edhe pse të ardhurat tatimore janë me mos realizim të ndjeshëm. Deficiti buxhetor dhe borxhi publik po rriten çdo ditë. Gjatë katër muajve të parë të vitit qeveria ka marrë borxh 70 milionë dollarë ose 150% më shumë, nga 15 miliardë lekë që është kufiri i parashikuar në 22 miliardë.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut - vijon Malaj - pasi qeveria vazhdon të rrisë borxhet e papaguara ndaj biznesit. Mbledhja e taksave është përkeqësuar dhe ambjenti i biznesit është rënduar. Kjo ka vrarë rritjen ekonomike pa të cilën nuk ka ulje papunësie dhe ulje varfërie.

PAS ZGJEDHJEVE DO TË THELLOHET KRIZA


Arben Malaj parashikon se "situata buxhetore pas zgjedhjeve do të jetë akoma më rëndë". "Rritja e disa të ardhurave jotatimore vjen nga mbledhja e parakohshme ose e sforcuar e disa detyrimeve në fillim të vitit, por e thellon krizën pas zgjedhjeve. Situata buxhetore pas zgjedhjeve do të jetë akoma më rëndë".

Malaj e argumenton këtë me faktin se asnjë institucion financiar nuk do t’i afrojë mbështetje vendit tonë, në qoftë se nuk bëhen reformat në ekonomi dhe në sistemin e taksave e shpenzimeve, që nxisin punësimin dhe rikthejnë rregullin në financat publike.

"Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Bashkimi Europian dhe çdo institucion tjetër financiar, do t’i vënë kushte jo të lehta vendit tonë, përpara së të japin mbështetje financiare për projekte zhvillimi që rrisin punësimin dhe rritjen ekonomike", shpjegon Malaj. 

Për ekspertin, çdo paqartësi për domosdoshmërinë e bashkëpunimit të menjëhershëm me FMN , BB dhe BE, çdo hezitim për të bërë me vizionin e duhur, me vullnetin e duhur, me përkushtimin e duhur, dhe në kohën e duhur reformat e duhura, do të na rrezikojë të gjendemi pas zgjedhjeve në një situatë politike dhe ekonomike më të rëndë, e cila do të rëndoj më shumë akoma mbi taksapaguesit shqiptarë dhe grupet sociale më të prekura nga kriza.

OPSIONI I VETËM: DRAFT REFORMASH TË PRANUESHME


Sipas Arben Malajt, ka vetëm një opsion optimist, i detyrueshëm, por i vështirë për ta besuar në ambjentin e ngërçeve dhe krizave tona. "Ky opsion kërkon të reduktojmë çdo krizë politike gjatë dhe pas zgjedhjeve", shton ai.

Duke argumentuar më tej se, ky opsion kërkon të mos vonohet krijimi i qeverisë së re, kërkon të jetë gati që përpara zgjedhjeve një draft i reformave për të cilat të gjitha partitë politike janë dakord. Kërkon të ulet agresiviteti elektoral dhe të jenë më realiste premtimet për politika ulje taksash dhe për rritje disa herë të shpenzimeve.

"Pa një ambjent më të qetë dhe bashkëpunues midis ekspertëve dhe qeverisë dhe midis forcave politike parlamentare për disa reforma jetike, vendi rrezikohet gjithnjë e më shumë", vë alarmin Malaj.

QEVERIA TË PUBLIKOJË SA E THELLË ËSHTË KRIZA

"Qeveria menjëherë pas zgjedhjeve të inventarizojë dhe publikojë se sa e thellë është kriza e financave publike, sa janë detyrimet e papaguara ndaj biznesit për rimbursimin e TVSH-së, për investimet e kryera dhe të papaguara, për tatimet e mbledhura në mënyrë arbitrare, për vendimet gjyqësore të papaguara etj", kërkon deputeti socialist.

Ai bashkangjit edhe idenë se "njohja e saktë dhe pagimi pa vonesë i tyre është shenja e parë pozitive për një qeverisje ndryshe dhe që do të ketë edhe impaktin e parë pozitivë ekonomik, duke i çliruar biznesit shuma të konsiderueshme likujditetesh, me të cilët do të ulen kreditë e këqija, do të rritet investimi dhe konsumi, do të kthehet shpresa dhe optimizmi, i cili është parakusht për të gjallëruar ekonominë tonë".

DUHET MAZHORANCË STABËL DHE E EFEKTSHME

Arben Malaj propozon një mazhorancë të ardhshme stabël dhe të efektshme. "Ta ndalim thellimin e krizës, menjëherë pas zgjedhjeve na duhet te kthejmë shpresë dhe optimizëm tek çdo shqiptar.

Formulë magjike dhe magjistar për të dalë nga kjo situatë pa disa kosto të përkohshme nuk ka. Po të kishte do t’i kishin implementuar në Greqi, Itali, Spanjë dhe Portugali", thotë kandidati i pavarur në qarkun e Vlorës për Kuvendin pas 23 qershorit, Arben Malaj.

Ai e ka mbyllur deklaratën me fjalët: "Përgjegjshmëri nga politika, mirëqeverisje, shpresë dhe optimizëm për të ardhmen tek çdo shqiptar. Ky është opsioni i vetëm për të ndalur përkeqësimin dhe për të gjallëruar ekonominë. Kjo e rrit ekonominë, kjo rrit punësimin, kjo rrit të ardhurat dhe ul borxhet, duke e bërë më të lehtë dhe më të mirë të ardhmen tonë".

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë