MALI I ZI - Qytetarët malazezë u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri. Prej gati 22 vitesh në ish republikën jugosllave është në pushtet Partia Demokratike Socialiste por sondazhet tregojnë se tendenca flet për ndryshimin.

Figura kryesore e PDS është Millo Gjukanoviç, i cili gati tërë kohën ka qenë në krye të kësaj republike. Para dy vitesh ai ka dhënë dorëheqje nga pozicionet e larta të shtetit, por edhe më tej konsiderohet si figura kryesore në këtë vend. Forca më e madhe opozitare është blloku "Fronit Demokratik" që udhëhiqet nga ish-ambasadori jugosllav në Romë, Miodrag Lekiç.

Qëllimi i opozitës është "transformimi politik, ekonomik dhe social i Malit të Zi", që është një detyrë shumë e vështirë. Në grupin e partive opozitare është tani edhe partia e re "Mali i Zi pozitiv", e cila sipas sondazheve mund të llogarisë me gati 10 % të votave.

Fituesi i zgjedhjeve të treta pas shpalljes së pavarësisë do të ketë para vetes shumë probleme serioze. Rroga mesatare në Mali të Zi është vetëm 480 euro, ndërsa kostot për një familje normale janë dyfish më të larta. Papunësia është shumë e lartë. Ndërkohë që po rriten edhe inflacioni dhe deficiti buxhetor.

Shteti më i vogël i ish-Jugosllavisë, me më pak se 650.000 banorë, është ndarë nga Serbia dhe ka shpallur pavarësinë në vitin 2006.

(d.m/s.f/Shqiptarja.com)