SHKODER- Një fëmijë 2 vjeçar i cili prej pasdites së djeshme i kishte shpëtuar syrit të familjes duke u larguar nga banesa u gjet i mbytur në grykëderdhjen e kanalit të Vrakës në liqenin e Shkodrës.

Familja Tahiraj banues në fshatin Boriç i Vogël, komuna Gruemirë, rrethi Malësi e Madhe informoi policinë se fëmija ishte zhdukur prej orës 17:00 të pasdites së të dielës (10 janar) dhe dyshonin se mos aksidentalisht ishte rrëzuar dhe kishte rënë në ujrat e kanalit të Vrakës, cili shkarkohet në liqenin e Shkodrës.

Kanali kalonte afër banesës së tyre dhe në breg të tij ishte gjetur dhe një lodër e 2 vjeçarit Eris Admir Tahiraj.

Njoftimi në polici nga familjarët ishte dhënë pasi kishin kërkuar tek të afërmit e tyre, por edhe nëpër fshat. Policia nisi kërkimet ndërsa një skuadër polumbarësh  filloi kërkimet në ujrat e kanalit por dhe të Liqenit të Shkodrës pasi mendohej se rrjedha e ujit mund ta kishte çuar trupin e të miturit atje. Sot në mëngjes u njoftua se trupi i pajetë i vogëlushit ishte gjetur në grykëderdhjen e kanalit të Vrakës në liqenin e Shkodrës.

(sg/shqiptarja.com)