Prej vitit 2013, kur Kroacia hyri në BE, po shihet në horizont zgjerimi i ri. Mali i Zi me mbylljen e tre kapitujve do të largohet dukshëm prej Serbisë, duke e bërë reale përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe anëtarësimin para vitit 2030.
Shqipëria ka nisur të kapë hapin dhe mund të ecë shpejt. Të tjerët mbesin të bllokuar.
Serbia është e bllokuar, sepse thjesht nuk do që të përmbushë kushtet, Maqedonia e Veriut është viktimë e bllokadës nga fqinjët, Bosnjë-Hercegovina viktimë e problemeve të brendshme, ndërsa Kosovën nuk duan ta marrin parasysh fare as disa vende që e kanë njohur, e jo vetëm ato që nuk e njohin.
Java e fundit e punës në BE, ajo nga 16 deri me 20 dhjetor, pas së cilës nisin festat e fundvitit, do të jetë këtë vit në shenjë të procesit të zgjerimit. Përplot zhvillime do të ketë për këtë çështje. Niset nga e hëna me konferencën ndërqeveritare të BE-së me Malin e Zi, ku ky shtet pas shtatë vjetësh do të mbyllë tre kapituj negociues. Do të pasojë me konferencë të ngjashme një ditë më vonë, të martën, me hapjen e një grup kapitujsh me Shqipërinë.
Të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe takimi i ministrave të vendeve anëtare në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme me temë kryesore zgjerimin. Po të njëjtën ditë zhvillohen edhe takime në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Të mërkurën, më 18 dhjetor, zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, për të pasuar pastaj me samitin e rregullt të BE-së.
Në të gjitha këto takime do të rikujtohet se sa i rëndësishëm është procesi i zgjerimit dhe se tash ky proces po hyn në një fazë më dinamike.
“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Tash kemi një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe në parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët“, do të thuhet, mes të tjerash, në deklaratën që bashkërisht do ta miratojnë liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe kolegët e tyre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo fjali së paku kështu është shkruar në draftin e këtij dokumenti.
Por vetëm dy shtete për momentin po i shohin frytet e dinamikës së re në procesin e zgjerimit, përderisa të tjerat, me apo pa fajin e tyre, mbeten të bllokuara. Mali i Zi dhe Shqipëria ecin para, ndërsa të tjerave vazhdon t’iu shfaqet para fytyrës shenja STOP për progres në procesin e integrimeve evropiane. Në vend të progresit konkret ato duhet të kënaqen me fjalë të mira se “kanë të ardhme evropiane”.
Prej vitit 2013, kur Kroacia hyri në BE, po shihet në horizont zgjerimi i ri. Mali i Zi me mbylljen e tre kapitujve do të largohet dukshëm prej Serbisë, duke e bërë real përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2026 dhe anëtarësimin para vitit 2030. Shqipëria ka nisur të kapë hapin dhe mund të ecë shpejt. Të tjerët mbesin të bllokuar.
Serbia është e bllokuar, sepse thjesht nuk do që të përmbushë kushtet, Maqedonia e Veriut është viktimë e bllokadës nga fqinjët, Bosnjë-Hercegovina viktimë e problemeve të brendshme, ndërsa Kosovën nuk duan ta marrin parasysh fare as disa vende që e kanë njohur e jo vetëm ato që nuk e njohin.
Disa pengesa për këto vende janë për shkak të mungesës së progresit në procesin e reformave. Kjo vlen, për shembull, për Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, por jo edhe për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Por në anën tjetër procesi për këto vende ka ngecur edhe për shkak të problemeve që ato kanë mes vete dhe disa prej tyre edhe me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Kjo është edhe arsyeja se gjatë kësaj jave disa herë do të përsëritet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt të zgjidhin mospajtimet me fqinjët, qoftë ato me vendet anëtare të Bashkimit Evropian ashtu edhe mes vete në rajon. Sepse BE-ja beson se problemet e tilla e kanë penguar dukshëm avancimin në procesin e zgjerimit. Edhe Kroacia për disa vjet ishte bllokuar nga Sllovenia.
Maqedonia e Veriut ka qenë e bllokuar për vite nga Greqia, ndërsa akoma mbahet e bllokuar nga Bullgaria. Shqipërisë vazhdimisht i bën pengesa Greqia. Tash edhe Serbia, pos që ka probleme në raportet me Kosovën, ka çështje të hapura edhe me Kroacinë. Dhe së fundi, prej kur në Qeveri kanë hyrë forcat proserbe dhe proruse edhe Mali i Zi ka probleme me Kroacinë, një anëtare e BE-së.
Kosova dhe Serbia kanë ngecur në proces. Mes të tjerash edhe për shkak të mungesës së progresit në normalizimin e raporteve mes tyre. Kjo, pos që dëmton procesin e integrimeve evropiane, sipas BE-së po ndikon negativisht edhe në stabilitetin e tërë rajonit. Prandaj edhe normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të zërë vend të veçantë në të gjitha dokumentet që do të miratohen në takimet e kësaj jave, por edhe në deklaratat e liderëve të BE-së.
Serbia tash e tre vjet nuk ka hapur asnjë kapitull negociues në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Përpjekjet e fundit të Presidencës hungareze, të mbështetura nga Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare, që Serbia të hapë disa kapituj, nuk kanë dhënë rezultate. Sepse disa vende anëtare nuk janë pajtuar që Serbia të lëvizë. Përveç mungesës së progresit në fushën e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave, si shkak është përmendur edhe mungesa e progresit në procesin e normalizimit të raporteve të Serbisë me Kosovën dhe forcimi i raporteve të Serbisë me Rusinë.
Refuzimi kokëfortë i Serbisë që të mbështetë sanksionet ndaj Rusisë ka ndikuar që të rritet edhe kundërshtimi në BE, sidomos nga disa vende anëtare. Edhe mungesa e hapave konkretë nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë është përmendur si argument për të mbajtur të bllokuar procesin e negociatave të anëtarësimit me këtë vend edhe pas tre vjetësh.
Në anën tjetër, as Kosova nuk ka lëvizur fare. Ajo ka aplikuar për anëtarësim në BE qysh para dy vjetësh, por ajo kërkesë vazhdon të mbahet e mbyllur në sirtar dhe nuk është shqyrtuar asnjëherë nga Këshilli i BE-së. Në rastin e Kosovës një prej arsyeve kryesore është mosnjohja nga pesë vende anëtare të BE-së, por edhe mungesa e progresit në dialog.
Disa shtete anëtare që e kanë njohur Kosovën kanë një qasje jo të balancuar, sidomos Franca dhe Italia, sepse duan që Kosova të bëjë më shumë në dialog për të pasur gjasa që të shqyrtohet kërkesa e saj për anëtarësim, ndërsa në rastin e Serbisë këto dy shtete janë në krye të atyre që duan që Serbia sa më parë të hapë kapitujt, sepse pajtohen se Serbia për këtë i ka përmbushur të gjitha kushtet.
E në rastin e Kosovës nuk është bërë, e as nuk pritet të bëhet shpejt, as hapi fillestar, ai që vendet anëtare vetëm t’i japin mandatin Komisionit Evropian që të nisë punën në dhënien e mendimit për aplikimin për anëtarësim. Edhe po ta bëjë këtë Këshilli i BE-së, deri te dhënia e statusit të kandidatit për Kosovën edhe ashtu do të kalonin disa vjet, pos nëse do të kishte ndonjë ndërhyrje të fortë politike çfarë pati në rastin e Ukrainës ku statusi i kandidatit u dha me shpejtësi të dritës.
Maqedonia e Veriut është pa dyshim viktima më e madhe e pengesave. Ajo ishte vendi i parë i rajonit i cili nisi procesin e integrimit evropian, edhe para Kroacisë, ndërsa akoma as nuk ka nisur praktikisht negociatat e anëtarësimit. Në BE as që përmendet Maqedonia e Veriut, por vetëm kushtet që ajo duhet t’i përmbushë, të cilat i ka paraqitur Bullgaria.
Pengesat në procesin e zgjerimit do të mund të tejkalohen në një masë edhe nëse realizohen disa ide që kanë dalë më herët nga Parlamenti Evropian, dhe i kanë përmendur në një “non-paper” së fundi edhe Gjermania e Sllovenia, për heqjen e konsensusit në disa faza të procesit ku vendimet do të merreshin me shumicë të kualifikuar në Këshill.
Kjo nuk do të rrezikonte interesat kombëtare të vendeve anëtare, sepse në fund do të mbetej nevoja për nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit nga të gjithë, pra e drejta e vetos e secilit vend anëtar për të pranuar apo jo anëtarë të rinj në BE, e në anën tjetër do të përshpejtohej dhe lehtësohej dukshëm procesi. /KOHA/