Liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur këtë të premte në Tivatin e Malit të Zi në një samit ku zgjerimi i bllokut 27-anëtarësh është tema kryesore. Takimi vjen në një moment kur Brukseli po e sheh zgjerimin si përgjigje ndaj sfidave gjeopolitike dhe ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Në samit marrin pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, së bashku me drejtuesit e Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Mediat e huaja si Washington Post apo The Guardian, raportojnë se vendet kandidate pritet të mbështesin një nismë të re franko-gjermane që synon t’i japë ritëm procesit të anëtarësimit. Sipas propozimit, vendet që avancojnë me reformat mund të përfitojnë akses më të madh në tregun e përbashkët europian dhe të dërgojnë vëzhgues në institucionet e BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, deklaroi në hyrje të samitit se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është “investimi më i rëndësishëm gjeopolitik” që po bën aktualisht Bashkimi Europian, duke theksuar se procesi duhet të ecë më shpejt.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar te meritat, por kjo nuk do të thotë që ai duhet të jetë i ngadaltë.
"Zgjerimi bazohet në meritë, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë i ngadaltë. Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm. Me fjalë të tjera, nëse një vend kandidat realizon reformat e kërkuara, ai duhet të ecë përpara me hapjen dhe mbylljen e kapitujve dhe grupeve të kapitujve në rrugën drejt Bashkimit Europian. Procesi i zgjerimit duhet gjithashtu të jetë më i dukshëm. Vendet kandidate duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit, por edhe ne, shtetet anëtare, duhet t’u shpjegojmë qytetarëve tanë përfitimet që sjell zgjerimi. Ky është komponenti strategjik. Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë mirëqenie dhe një rol më të madh të Europës në botë. Ekziston një momentum. Tani duhet ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim" tha von der Leyen
Mali i Zi synon që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, ndërsa Shqipëria vazhdon të shihet si një nga kandidatët me perspektivën më pozitive. Rruga e Kosovës nga ana tjetër, mbetet më e ndërlikuar për shkak se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e saj. Edhe Serbia përballet me pengesa në proces për shkak të marrëdhënieve të ngushta politike me Rusinë dhe lidhjeve ekonomike me Kinën.
Gjermania po kërkon t’i mbajë vendet e Ballkanit të angazhuara në rrugën europiane, duke ofruar përfitime konkrete gjatë procesit të negociatave dhe duke shmangur krijimin e vakumeve ku mund të rritet ndikimi i fuqive të tjera në rajon.
Çfarë do të diskutohet në Samit?
Mbledhja drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, i cili këtë javë zhvilloi një turne në vendet e rajonit. Pritës i samitit është presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ndërsa do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Përveç zgjerimit, në samitin e Tivatit liderët do të diskutojnë edhe për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon afrimin gradual të ekonomive të rajonit me tregun e përbashkët europian. Përmes këtij plani, BE-ja synon të rrisë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe të mbështesë reformat me deri në 6 miliardë euro investime dhe financime.
Një tjetër temë kryesore e samitit është siguria. Liderët pritet të diskutojnë mënyrat për të forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përfshirë mbështetjen për forcat e armatosura të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përballimin e kërcënimeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.
Në fokus do të jetë edhe rritja e qëndrueshmërisë së rajonit përballë sfidave të reja gjeopolitike, ndërsa Bashkimi Europian synon të forcojë më tej lidhjet politike, ekonomike dhe të sigurisë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Samiti mbahet vetëm gjashtë muaj pas takimit të fundit në Bruksel dhe zhvillohet nën moton “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, duke konfirmuar se zgjerimi mbetet një nga prioritetet kryesore të Unionit në vitet e ardhshme.
Mali i Zi ka angazhuar rreth 1.500 policë që kujdesen për sigurinë e pjesëmarrësve të samitit
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, deklaroi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se procesi i anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Europian duhet të shoqërohet me reformat e nevojshme që këto shtete duhet të zbatojnë.
Sipas tij, avancimi i reformave kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë kontinentit europian.
“Projektet e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duhet të shoqërohen nga reformat që duhet të bëjnë ato vende, duke kontribuar kështu në stabilitetin dhe begatinë e të gjithë kontinentit europian. Spanja ka konsideruar gjithmonë se nuk mund të ketë një Bashkim Europian të plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Sanchez.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian dhe se Prishtina pret hapa konkretë në procesin e integrimit.
“Kosova e ka të ardhmen në Bashkimin Europian. Një BE më e madhe dhe më e bashkuar është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Europë. Kosova kërkon trajtim të drejtë dhe të barabartë gjatë gjithë këtij procesi. Ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe po punojmë për të ardhmen tonë europiane. Nga ky samit presim diskutime frytdhënëse dhe rezultate pozitive. Kosova meriton pyetësorin dhe statusin e vendit kandidat. Besoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik, por ka të bëjë me paqen dhe demokracinë”, u shpreh Haxhiu.
Para nisjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, liderët e pranishëm shkëmbyen biseda të shkurtra në sallën e mbledhjes.
Në një moment, teksa presidenti serb Aleksandar Vuçiç po fliste me presidentin francez Emmanuel Macron, presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, iu afrua kryeministrit Edi Rama dhe e përshëndeti me një përqafim.
Pamjet janë regjistruar pak çaste para fillimit të punimeve të samitit, ku në fokus janë zgjerimi i Bashkimit Europian dhe marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, tha se ka pasur bisedime produktive me Emmanuel Macron, Friedrich Merz, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, duke shtuar se pret përparim të Serbisë në rrugën europiane në periudhën e ardhshme.
Vuçiç u shpreh se Serbia mbetet e orientuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se ky është objektivi strategjik i vendit.
Duke folur për Malin e Zi, ai theksoi se “njerëzit në Mal të Zi janë motrat dhe vëllezërit tanë”, ndërsa nënvizoi se nuk ndërhyn në zhvillimet e brendshme politike në Podgoricë.
“Nuk përzihem në politikën e Malit të Zi, sepse nuk është puna ime”, tha Vuçiç.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përcolli një mesazh të fortë nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, duke theksuar se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Europian.
“Tivati dhe Ballkani Perëndimor ndodhen në zemër të historisë së Bashkimit Europian dhe vendi juaj është në zemër të Europës. Sot po hedhim hapa të mëdhenj për të ndërtuar një Bashkim Europian më të pavarur, më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të plotë. Por Europa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Pikërisht për këtë arsye ky samit është kaq i rëndësishëm. Ne do të diskutojmë se si ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë, më të dukshëm dhe më strategjik. Dua t’i them Ballkanit Perëndimor dhe mikpritësve tanë se ekziston një momentum. Le ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe më pas këtë lëvizje në anëtarësim”deklaroi Von der Leyen gjatë fjalës së saj në samit.
Komente







