Presidenti malazez Milo Gjukanoviç nuk është i qartë pse qytetaret votuan kundër partisë së tij, por në daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve të së dielës ai pranoi humbjen.

Në median vendase ‘Nesmax Adri’a ai akuzoi Presidentin Aleksandar Vuçiç se është shkaku i forcimit të nacionalizmit serb në Malin e Zi dhe krizave të vazhdueshme në vend muajt e fundit.

“Besoj se do të vini re se që nga dhjetori, që nga miratimi i Ligjit për Lirinë e Fesë, ne kemi pasur një agresion të fortë mediatik dhe politik nga Beogradi ndaj Malit të Zi,” 

Politikani që udhëheq vendin herë si kryeministër, herë si president për gati tri dekada, tha se gara e fundit parlamentare i tregoi tërë rajonit përçarjet e vjetra “Siç e shohim, edhe nacionalizmi i viteve 90 vazhdon të jetë gjallë, është rizgjuar në rrethana të reja, nga stimuj të rinj dhe tani po tenton ta kthejë prapa rrotën e historisë.”

Në lidhje me formimin e qeverisë së re, presidenti malazez tha se ai do presë rezultatin dhe do mandatojë këdo koalicion që merr 41 nga 81 mandatet e mundshme të Parlamentit.

Ai u bëri thirrje sërish qytetarëve të tregohen të kujdeshëm dhe të mos cënojnë asnjë nga grupet etnike.