Mali i Zi është futur në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Ambasadorët e vendeve anëtare të Unionit kanë miratuar sot krijimin e një grupi pune që do të përgatisë marrëveshjen e anëtarësimit.

Vendimi është marrë në Bruksel nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), ndërsa lajmi është konfirmuar nga Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së.

“Sot, ambasadorët e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) miratuan krijimin e një grupi pune ad hoc për përgatitjen e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi. Presidenca qipriote ka punuar fort që ky grup të ngrihet sa më shpejt, sidomos duke pasur parasysh punën e gjatë teknike që duhet përfunduar para se të nisë hartimi konkret i marrëveshjes. Jemi të bindur se kjo do të japë një mesazh të qartë se anëtarësimi është brenda mundësive për vendet partnere të zgjerimit,” u shpreh një zëdhënës i Presidencës qipriote.

Sipas deklaratave zyrtare, ky grup do të merret me përgatitjen teknike dhe ligjore të traktatit të anëtarësimit, një hap i domosdoshëm para finalizimit të procesit.

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorčević, e ka cilësuar këtë zhvillim si moment historik.

“Kjo është faza e fundit drejt anëtarësimit të plotë në BE”, është shprehur ajo, duke shtuar se synimi mbetet që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028.

Nga ana tjetër, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka paralajmëruar se marrëveshja e Malit të Zi do të përfshijë mekanizma të rinj sigurie, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme të BE-së ndaj zgjerimit.

Grupi i ri i punës do të koordinojë detajet finale të traktatit, përfshirë periudhat kalimtare dhe mekanizmat mbrojtës, për të siguruar një integrim gradual të vendit në strukturat e BE-së.

Megjithatë, procesi nuk është mbyllur ende. Marrëveshja përfundimtare mund të finalizohet vetëm pasi Mali i Zi të mbyllë të gjitha kapitujt e negociatave dhe të harmonizojë plotësisht legjislacionin me atë të BE-së.

Deri tani, Podgorica ka mbyllur 14 nga 33 kapitujt e negociatave.

Ky pritet të jetë traktati i parë i zgjerimit pas më shumë se një dekade, çka e bën edhe një model potencial për vendet e tjera të rajonit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. 

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, janë shtetet që kanë bërë përparim më të madh në rajon në rrugën drejt BE-së, dhe pritet që të bëhen shtetet e para që do t’i bashkohen BE-së që kur Kroacia u pranua në bllok më 2013.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:09
Mali i Zi drejt fundit të procesit të anëtarësimit europian, Komisionerja Marta Kos: Vendi juaj brenda BE-së po formësohet

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar sot pas vendimit të BE-së për të nisur hartimin e marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi, duke e cilësuar si një hap të madh përpara.

Në një reagim publik, ajo thekson se vendi tashmë po afrohet realisht me Bashkimin Evropian.

“Vendi i Malit të Zi brenda BE-së tani po merr formë. Sot, shtetet anëtare vendosën të nisin hartimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Ky është një hap i madh në rrugën drejt anëtarësimit, një njohje e qartë e progresit të Malit të Zi dhe një inkurajim për të përshpejtuar reformat,” u shpreh Kos në rrjetin X.

Ajo shtoI se ky proces është edhe një mundësi për Bashkimin Evropian që të reflektojë mbi zgjerimet e kaluara dhe të vendosë standarde më të forta për të ardhmen.

“Ky është gjithashtu një shans për të nxjerrë mësime nga zgjerimet e mëparshme dhe për të përfshirë mekanizma më të rinj dhe më të fortë mbrojtës në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, për të parandaluar kthimin pas në sundimin e ligjit dhe vlerat themelore,” theksoi ajo.

 

Ora 17:55
Presidenti i Këshillit Evropian përgëzon Malin e Zi, Costa: Hap i madh drejt BE-së, nisi ora për zgjerimin

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka përgëzuar Malin e Zi për hapin e fundit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në një reagim publik, Costa e cilësoi vendimin për krijimin e grupit të punës për marrëveshjen e anëtarësimit si një moment kyç për procesin e zgjerimit.

“Urime Malit të Zi  sot kemi bërë një hap të madh drejt anëtarësimit tuaj në Bashkimin Evropian. Vendimi për të krijuar Grupin e Punës për hartimin e Marrëveshjes së re të Anëtarësimit është një moment kyç. Për herë të parë që nga viti 2014, BE nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës,” është shprehur Costa.

Reagimi i tij vjen pas vendimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për të miratuar ngritjen e një grupi pune që do të përgatisë traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi.

Ky hap shihet si një zhvillim i rëndësishëm që e afron edhe më shumë Podgoricën me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.