Pasi foshnja 2 mujashe u ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", çifti i bashkëshortëve kërkon ndihmë për të marrë nga QSUT trupin e pajetë të të birit për ta varrosur në vendlindje, Maliq. Babai i fëmijës Arben Veshalliu tregon se e la të birin në spital në Tiranë për tu kuruar dhe se vetë ishte kthyer në shtëpi pasi nuk kishte se ku të qëndronte e as para për tu ushqyer.
Babai i foshnjës tregon se fëmija kishte lindur me infeksion në veshka, ndërsa përgjegjës bën mjekët në QSUT që u kujdesën për foshnjën. Arben Veshalliu thotë se kur e morën në telefon për të shkuar për të marrë të birin nga spitali në QSUT, doktorët nuk e vunë në dijeni se fëmija kishte ende probleme shëndetësore.
“E çuam në Tiranë fëmijën sepse lindi shtatanik. Doktorët e futën në inkubator. Qëndroi një muaj në Tiranë dhe më pas u kthye për të qëndruar 10 ditë në Korçë, por na morën në telefon dhe na thanë të shkonim ta merrnim fëmijën. E morëm dhe na dhanë ilaçe për të, të cilat ia jepnim. I kam dhënë edhe qumësht pluhur, por nuk ishte fëmijë që pinte.
E çova në Devoll dhe ata më thanë ta çoja në Korçë. Korça pastaj e dërgoi në Tiranë. Unë nuk doja ta çoja në Tiranë, sepse një herë e kishim çuar. Pastaj, kur u kthyem në Pogradec, na morën në telefon dhe na thanë se foshnja kishte ndërruar jetë. Fëmija kishte probleme me mushkëritë, kishte infeksion që kur lindi. Kur e nxorëm nga spitali, nuk na thanë asgjë që fëmija kishte ende probleme; vetëm na thanë ta nxirrnim nga spitali”, tha ai.
Arben Veshalliu tregon se bashkëshortja e tij trajtohet me kemp dhe se vuan nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa apelon për ndihmë për të marrë trupin e pajetë të foshnjës.
“U detyrova ta çoja përsëri në spital pasi fëmija nuk pinte qumësht dhe e nxirrte jashtë. Nuk kishte as temperaturë, asgjë. E kemi çuar në Tiranë, unë bashkë me dy infermiere, te “Nënë Tereza”. Unë u ktheva me ambulancë, u ktheva se nuk kisha lekë të rrija, as të haja e as të pija. Më pas fëmija vdiq. Nuk na kanë kontaktuar më pasi fëmija ndërroi jetë. Ne nuk kemi mundësi ta marrim fëmijën tonë në Tiranë. Kërkojmë që të na e sjellin fëmijën këtu, që ta varrosim këtu. Gruaja ime është me KEMP sepse ka sëmundje mendore. Edhe KEMP-in duan t’ia presin. Ajo nuk është as për punë, për asgjë. KEMP-i i duhet, por ata edhe atë duan t’ia heqin. Jemi në vështirësi shumë të madhe ekonomike”, tha ai.
Gjyshi i foshnjës kërkon gjithashtu ndihmë nga shteti për të marrë trupin e fëmijës dhe për ta varrosur në Maliq.
“Ishte nipi i parë për familjen tonë. Ne duam vetëm ndihmë tani, që të na e sjellin fëmijën këtu për ta varrosur, sepse vetë nuk kemi mundësi ta sjellim. Për fëmijën kujdesej djali im”, tha Agush Veshalliu.
Sakaq, lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për të zbuluar nëse shkak i vdekjes ka qenë kequshqyerja apo ndonjë problem tjetër shëndetësor që foshnja mund të ketë pasur që në lindje. Nga ekzaminimet ka rezultuar se parametrat jetësorë ishin në kufijtë minimalë, ndërsa mjekët thanë se në momentin kur foshnja ka mbërritur në pediatri ka qenë në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore.
Një tjetër detaj shqetësues lidhet me peshën e tij. Foshnja peshonte vetëm 1 kilogram, njësoj si në momentin kur ka lindur dy muaj më parë, çka sipas mjekëve tregon se nuk ka pasur zhvillim apo ushqyerje të shëndetshme gjatë kësaj periudhe.
Komente









Dhe ku ishin mjeket,pediatri,mjeku i familjes,gjinekologu,psikoanalisti keto dy muaj? Perse nuk eshte lene asnje takim,nuk eshte bere asnje kontroll se si eshte gjendja,ecuria e ketij femije qe ka lindur parakohe,si eshte gjendja e nenes? Kur nena e sidomos femija kishin probleme duheshin kontrolluar nga mjeket cdo nje,cdo dy jave.Po sherbimet sociale ku ishin? Perse mjeket nuk i pyesin keto cifte nese kane apo jo mundesi e kushte per t'u kujdesur per femijen? Ketu ku jetoj, spitali nuk t'a jep femijen po nuk pate karrigen speciale per foshnja qe vendoset ne makine edhe sikur te vesh t'a marresh me taksi,per te mos folur per te tjerat,kurse ne Shqiperi,spitali i lan duart me pacientin ne momentin qe i ben fletedaljen.Perse mjeket nuk bisedojne me prinderit,sidomos ne raste kur keta duken te keputur ekonomikisht? Perse mjeket nuk kontaktojne sherbimet sociale qe te kontrollojne gjendjen e familjes e femijes?
Përgjigju