Fëmijë të moshës 6-vjeçare dalin natën nga shkolla, për shkak se mësimi zhvillohet me turne. Ky është një shqetësim shumë i madh për banorët e fshatit Pojan në Maliq. Prindër dhe nxënës të klasave fillore të shkollës së mesme të bashkuar "Bardhyl Pojani" janë ngritur në protestë kundër Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit.
"140 nxënës bëjnë mësim pasdite, ne kërkojmë shtimin e ambienteve të vijnë fëmijët në mëngjes në shkollë. Kërkojmë nga ministria e arsimit dhe qeveria të zhvillet sa më shpejt se nuk mundet që nxënësit e fillores të qëndrojnë deri në orën 17:00.
Dimri është i ftohtë, brezi jonë e ka vuajtur këtë mungesën e dritave sidomos këtu në Pojan, nuk duam ta vuajnë dhe fëmijët.
E kam fëmijën në klasë të parë, si mundet të rrijë fëmija 6 vjeç pasdite. Dalin natën nga shkolla. Më thotë mua më flihet dua të shkoj në mëngjes në shkollë. Fëmijët tremben kur dalin natën", shprehen prindërit.
"Jam e sfilitur, kam mbesën të djalit dhe pres këtu nuk mund ta lënë vetëm natën është situata shumë e vështirë", shprehet një grua në moshë.
"Unë vij nga Pendavinj e sjell vajzën në klasë të parë. Orari i mbarimit të shkollës është i vonë, moti po ftohet. Kërkojmë nga Drejtoria arsimore të zgjidhet ky problem. Ngrohja është një tjetër problem, se para pak ditësh kemi sjell vetë dru nga shtëpia, ndërsa bashkia na tha se hapet tenderi më 1 nëntor", u shpreh një grua.
Edhe vetë fëmijët ankohen se për shkak të mungesën së klasave janë të detyruar të mësojnë turn i dytë.
Shkolla "Bardhyl Pojani" me 500 nxënës ka ambiente të pamjaftueshme, e ndaj 140 fëmijë nga klasa 1 deri në klasën e pestë e zhvillojnë mësim ne orarin 13 :10 deri në 17.00. Mungesa e ngrohjes dhe ndërprerja e energjisë janë gjithashtu shqetësuese.