Fusha bujqësore e Maliqit është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas motit të keq që ka goditur juglindjen e vendit. Lumenjtë Dunavec dhe Devoll kanë pësuar rritje të ndjeshme të prurjeve, duke shkaktuar daljen e tyre nga shtrati dhe përmbytjen e tokave përreth.

Fermeri Agron Guri bën të ditur se situata ka sjellë dëme serioze për ekonominë e tij familjare. Sipas tij, 7 hektarë të mbjellë me patate janë zhytur nën ujë, ndërsa 8 hektarë me grurë ndodhen në prag përmbytjeje.

'Kam 7 hektarë patate që janë mbytur fare. Kam grurin 8 hektarë është i rrezikuar, pas patateve, jemi në hallë të madh. Nuk ka pasur reshje këto vite, se po të kishte pasur do të ishim përmbytur çdo vit. Duhet të na ndihmojë shteti', tha ai.

Ndërkohë, edhe fermeri Bashkim Guri përballet me pasoja të rënda. Ai thotë se 15 dynymët me misër janë dëmtuar totalisht nga uji.

'Unë kam misër, qepën e kam në magazinë pa shitur. Shteti të vijë të shoh situatën, unë kam 15 dynym misër që më është përmbytur', tha ai.

Përmbytjet kanë shkaktuar shqetësim të madh në Maliq ndërsa banorët presin ndërhyrjen e autoriteteve për të vlerësuar dëmet dhe për të marrë masa për normalizimin e situatës.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Përmbytje në Delvinë e Finiq, evakuohen 6 familje! Izolohen 10 fshatra në Mirditë! Vjosa rrezikon të dalë nga shtrati