Në katin e dytë të kësaj ndërtese ndodhet qendra shëndetësore e fshatit Plasë në të cilën marrin shërbimin më shumë se 2000 banorë. Prej dekadash nuk e ka njohur asnjë investim duke shkuar drejt degradimit.

Në këtë institucion shëndetësor nuk ofrohen as kushtet minimale higjeno-sanitare, e ndërsa vjeshta shiu depërton brenda godinës.

“Më shumë se 32 vite ka, nuk është vënë dorë, siç bie jashtë futet brenda”, tha një banor

“Jemi i vetmi fshat që nuk është bërë asnjë investimi, kemi 30 vite këtu dhe nuk vihet dorë për asgjë. Për gjënë më të vogël që kemi ne shkojmë në Korçë, një stallë bagëtish është më e mirë se ajo, gjendja është alarmante”, tha një tjetër.

Kryeplaku i fshatit shprehet se pavarësisht kërkesave, Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndërhyrë për rikonstruksionin e qendrës shëndetësore.

“Tullat kanë duke rënë, pikon çatia, duhet ndërhyrë. Unë si kryetar fshati i kam kërkuar shumë herë, na kanë dhënë të drejtë, i kanë parë, por nuk kanë ndërhyrë. Personeli mjekësor vjen dhe punon, por nuk kanë kushte”, tha Kudret Kyçyku, kryeplak i fshatit Plasë.

Në këto kushte banorët e fshatrave Plasë dhe Pendavinj udhëtojnë drejt qytetit të Korçës për çdo shërbim ambulator apo vizita mjekësore.