Korçë- Një banesë është shkrumbuar nga flakët pasditen e sotme në qytetin e Maliqit, në Korçë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, kurse banesa mësohet se është në pronësi të shtetasit  Durim Rusi. Për fat të mirë nuk ka të lënduar, pasi në momentin e zjarrit nuk ka pasur asnjë person brenda, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Burime nga zjarrfikësja e Maliqit bëjnë të ditur se dyshohet që shkak për zjarrin mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike. 

50-vjecari pronar i banesës jetonte i vetëm në këtë objekt, ndërsa burime paraprake thonë se ai vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor. 

Gazetari i Report TV, Armand Braho, informon se pritet qe grupi hetimor te zbardhi shkaqet e këtij zjarri dhe rrethanat, teksa flakët kanë përfshirë një pjesë e konsiderueshme e objektit të banimit.

Nga pamjet e videove dallohet dëmi i konsiderueshëm në banesë, ku është djegur gjithçka, teksa zjarrfikësit punuan për shuarjen e flakëve pas sinjalizimit.