Prej shumë dekadash, fshati Çërrilë në bashkinë Mallakastër vuan mungesën e ujit të pijshëm.

Banorët tregojnë se janë detyruar të krijojnë vetë puse ose ta sigurojnë ujin nga burime të largëta.

“Situata është keq, s’kemi pikë uji. S’ka vënë njeri dorë. Te pusi i komshiut po marr ujë, po nuk deshi ai nuk marr unë.”

“Ne po paguajmë, pse mos të kemi ujë? Kemi bërë vetë puse dhe pellgje me krahët tona”, ankohen banorët.

Rruga që lidh fshatin me zonat përreth është e amortizuar pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve, por edhe ndërhyrjen e shërbimeve në raste emergjente.

“Rruga është copa-copa. Se nga shkojnë fondet e dinë vetë ata. Është 21 km rrugë, e di mirë.”

“Edhe një rrugë që na bënë, e bënë keq. Sa bie shiu shiko si bëhet”, thonë banorët.

Banorët thonë se mungesa e investimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në braktisjen e zonës. Dikur ka qenë një fshat me rreth 300 familje, sot në Çërrilë kanë mbetur vetëm 25.

Çërrila, një fshat i pambuluar asnjëherë me rrjet ujësjellësi, tashmë është bërë pjesë e një projekti furnizimi me ujë që përfshin fshatrat Greshicë- Kapaj- Çërrilë.