Banorët e Divjakës kanë dalë sërish sot për të 21-tën ditë në protestë, për të kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale, ku parashikohet shkrirja e bashkisë së Divjakës me atë të Lushnjës.

Pavarësisht numrit të ulët, protestuesit kanë ripërsëritur kërkesat e tyre, ku kanë kërkuar nga sheshi para Bashkisë që institucioni të mos shkrihet, siç e parashikon projekti i Reformën Administrative.

Ndër të tjera folësit që morën fjalën kërkuan mbështetje më të madhe nga ana e banorëve dhe qytetarëve të Divjakës që kauza e tyre të mos dështojë.

Edhe dita e 21 e protestës qytetare në Divjakë u mbyll me marshimin në rrugët e qytetit, ku u tregua edhe qytetari, teksa në një moment protestuesit i hapën rrugën ambulancës që transportonte një të sëmurë.

Thirrjet “Mazniku propozon Divjaka kundërshton”, “Divjaka Bashki”, “këtu vendosim ne” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve” shoqëruan marshimin nëpër rrugët e qytetit.