Që prej paradites së sotme në vend janë raportuar 25 vatra zjarri dhe sipas ministrisë së Mbrojtjes, aktive vijojnë të mbeten 10 prej tyre.
Me ndërhyrjen e pandërprerë nga toka dhe ajri në fshatrat Riban dhe Ngraçan të Mallakastrës zjarri po shkon drejt izolimit dhe sipas autoriteteve nuk përbën rrezik për banesat.
Por flakët vijojnë të djegin masivin pyjor në kufirin mes kodrave të Lofkënd-Drenies dhe Panahorit.
Situata do të monitorohet përgjatë natës, ndërsa operacionet për shuarjen e vatrave do të rifillojnë mëngjesin e së premtes.
Në operacionin në terren gjatë gjithë ditës në Mallakastër u angazhuan rreth 130 efektivë të Forcave të Armatosura, shërbimit zjarrfikës dhe bashkisë. Në mbështetje të tyre ishin 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile situata zjarri ka edhe në zonën e Dajtit, por pa rrezik për zonat e banuara. Edhe në malin e Priskës në Tiranë flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore, ndërsa pati ndërhyrje nga ajri me avionin "Air Tractor".
Ndërsa në Dardhë të Librazhdit dhe në Përrenjas operacionet vijuan me forca tokësore.
Në Kostren 2 të bashkisë Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit, ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.
Zjarret në vend kanë përfshirë rreth 34.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre dhe pyje me pisha.
Situata e zjarrit në Mallakastër është mjaft kritike, me flakët që po përhapen drejt fshatrave Panahor, Çyçen, Ndrenie e Vlosht. Në terren janë 4 mjete zjarrfikëse dhe 105 efektivë të zjarrfikëses, Bashkisë dhe Ushtrisë. 4 familje janë evakuuar, rinis ndërhyrja nga ajri. Në gjithë vendin 5 vatra aktive.
25 vatra zjarri janë raportuar në 12 orë, nga të cilat 10 janë ende aktive. Konkretisht vijojnë zjarret në Dajt, Priskë, Riban e Ngraçan (Mallakastër), Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe malin e Valamarës (Elbasan), ndërsa është riaktivizuar vatra në Kostren 2 të Beratit.
Njoftimi i plotë:
Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së me personelin përkatës.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara
Në fshatin Priskë, bashkia Tiranë, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së forcave nga toka dhe ajri.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar vatra e zjarrit dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Ndërkohë, zjarret në Floq, bashkia Korçë, dhe në Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.
Që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm shërbimet zjarrfikëse të Patosit janë në betejë me flakët në masivin pyjor të Drenies.
Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të Patosit Alket Halimi, efektivët po fillojnë tërheqjen për shkak të errësirës, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve do të rifillojë në të njëjtën orë të ditës së nesërme. Vatra e Drenies, e cila është më problematikja, vijon të mbetet aktive duke djegur masivin pyjor. Gjithashtu nuk kanë reshtur as flakët në Ngraçan-Panahor.
Beteja me flakët vijon në kufirin mes fshatrave Lofkënd dhe Drenije, ku zjarri po përhapet me shpejtësi, i favorizuar nga era e fortë.
Sipas informacioneve nga terreni, vatra e zjarrit po avancon në drejtim të Vloshit, duke rritur rrezikun për sipërfaqe të tjera me bimësi dhe pyje.
Pas një ndërprerjeje të përkohshme, helikopterët kanë rifilluar sërish operacionin nga ajri, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencës që vijojnë punën për izolimin e flakëve.
Operacioni mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën dhe po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin.
Masivi pyjor në fshatin Drenije të Mallakastrës është mbuluar nga tymi ndërkohë që flakët vazhdojnë të përpijnë bimësinë e paprekur të zonës. Siç shihet edhe nga pamjet terreni është shumë i pjerrët dhe i vështirë çka e bën ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse të vështirë dhe ndërhyrjen nga ajri më të domosdoshme se kurrë.
Situata e zjarreve në Mallakastër mbetet problematike, megjithëse është arritur të vihet nën kontroll një nga vatrat më të rrezikshme.
Vatra e zjarrit në Panahor, në kufi me fshatin Cfir, është neutralizuar, por flakët vijojnë të përhapen në drejtim të Ngraçanit, duke mbajtur në gatishmëri forcat e emergjencës.
Dy helikopterë vazhdojnë operacionin nga ajri, duke hedhur ujë mbi zonat më problematike për të frenuar avancimin e flakëve.
Ndërkohë, zjarri ka dalë jashtë kontrollit në masivin pyjor të Drenijes ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe sipërfaqet e tjera të prekura. Era e fortë raportohet se po përhap flakët ndërkohë që pritet edhe ndërhyrja nga ajri.

Mbrojtja Civile bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive. Sipas Mbrojtjes Civile, puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit. Ndërkohë në Mallakastër, raportohet se janë evakuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim. Nga zjarret raportohet se janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Njoftimi i Agjencia Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 64 automjete zjarrfikëse, 631 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, me angazhimin e forcave të MZSH-së dhe ADZM-së si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacionit po vepron avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, bashkia Mallakastër, situata po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave operacionale nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, helikopterë dhe avioni “Air Tractor”. Katër familje janë evakuuar përkohësisht për arsye sigurie.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, vatra në malin e Dardhës është izoluar, ndërsa në Mjekës vijon puna për shuarjen përfundimtare. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren, bashkia Berat, po kryhet krehja dhe monitorimi i zonës. Në Pocest, bashkia Dibër, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale, ndërsa vatrat në zonën Stegopull–Selckë dhe në Levenishtë, qarku Gjirokastër, janë shuar dhe po mbahen në monitorim.
Si pasojë e zjarreve janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier, ndërsa sipërfaqja e prekur nga vatrat aktive mbetet në vlerësim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.
-
Te kthehen mallakastriotet nga Fieri e te vene ta fikin zjarrin
Përgjigju











Komente
Komento