Në Mallakastër është përfshirë nga flakët mesditën e sotme kodra në Çorrush, ndërsa nga të dhënat e fundit raportohet se janë djegur tre banesa.
Ende nuk dihet nëse banesat kanë qenë të banuara apo të braktisura, ndërsa banorët bëjnë apel për ndihmë.
Sipas shefit të zjarrfikëses në Mallakastër zjarri është i madh, ndërsa ndërhyrja është e vështirë për shkak të erës, e cila po favorizon flakët që përhapen me shpejtësi.
Zjarri ka përfshirë një zonë, e cila është me shkurre dhe me ullinj. Në orët në vijim pritet që të ketë edhe një ndërhyrje nga ajri për të vendosur në kontroll flakët.
[gallery]23454[/gallery]
Kapllanaj: Evakuohen banorët e fshatit Çorrush
Në një lidhje telefonike për Report Tv kreu i Bashkisë Malakastër, Agron Kapllanaj tha se banorët e fashatit janë evakuar brenda një perimetri të sigurtë, pasi përmast e zjarrit ishin të rrezikshme.
Ndër të tjera Kapllanaj shtoi se zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa dëmet e shkaktuar prej tij janë të pallogaritshme.
"Banorët i larguam për siguri, pasi përmasat që mori zjarrin ishin të rrezikshme, por tani zjarri është vënë nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e tij.
Përveç dëmit në banesa që nuk dimë a kanë qenë banesa të banueshme, dëmet janë të mëdha, pasi janë shkrumbuar të mbjellat, pemëtore e ullishte.
Ka një të dyshuar për zjarrvënie, nuk e dimë a i ka venë me qëllim apo është aksidentale. Është nga Mallakastra dhe është shpallur në kërkim.
Besoj se rrezikshmëria ka kaluar, nuk ka më rrezik që zjarri të vazhdojë më tutje", tha Kapllanaj.
Sipas policisë deri më tani në fshatin Çorush janë djegur rreth 10 hektarë shkurre dhe rreth 4200 rrënjë ullinjë, ndërsa është shpallur në kërkim 36 vjeçari me inicialet L.L, banues në lagjen "Bajraktari", Mallakastër, si i dyshuar për vënien e zjarrit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Mallakastër
Informacion paraprak
Në datën 11.08.2017, rreth orës 11:45 njoftohemi se në fshatin Çorush, Mallakastër ka rënë zjarr.
Menjëherë shkojnë në vendngjarje shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, Polica Bashkiake dhe zjarrfikëset të cilët kanë bërë të mundur vënie nën kontroll të zjarrit.
Nga kqyrja e deritanishme dyshohet se janë djegur rreth 10 hektarë shkurre dhe rreth 4200 rrënjë ullinjë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarrin e ka vënë shtetasi L.L, 36 vjeç, banues në lagjen "Bajraktari", Mallakastër, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Ky shtetas i ka vënë zjarrin një sipërfaqe të tokës së tij për të djegur disa barishte dhe për pasojë zjarri është përhapur dhe janë djegur rreth 10 hektarë shkurre.
Flakët fare pranë një vendi të shenjtë në fshatin Çorrush
Ndër të tjera mësohet se nga flakët në fshatin Çorrush, veç të tjerash, rrezikohet edhe një vend që konsiderohet i shenjtë. Flakët janë fare pranë vendit në fjalë, dhe siç mund ta shihni edhe nga video më poshtë, nuk duhet edhe shumë që zjarri ta prekë atë.