Shkodër - Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në aksin rrugor “Shkodër-Muriqan”, pasi u kap duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Mali i Zi.
Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen edhe dy doganierë të pikës kufitare të Muriqanit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Blutë njoftuan se sekuestruan mallin e kontrabanduar (352 kuti - 8448 kanace pije freskuese), me vlerë rreth 5000 euro dhe automjetin e 46 vjeçarit.
"Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Shkodër kanë ndaluar në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan” automjetin me drejtues shtetasin F. L., i cili me automjetin e tij po transportonte mallra kontrabandë, në sasi 352 kuti ( 8448 kanace) pije freskuese.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
U arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit I. K., 32 vjeç, dhe G. K., 53 vjeç, të dy me detyrë kontrollorë në doganën e Muriqanit. Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Komente





Bravo Shteti! Bon mirë që kapin doganjer dhe Polic por ka polic aty me nga 2-3 vila me rrogë 500000Lekshe.
Përgjigju