Maltë/ Taulant Balla zgjidhet President i Parlamentit të Paqes dhe tolerancës

Maltë/ Taulant Balla zgjidhet President i Parlamentit të Paqes dhe tolerancës

Taulant Balla në Maltë

Me mbështetjen e Parlamentit dhe Qeverisë së Maltës u zhvillua në kryeqytetin maltez sesioni i parë i Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe (IPTP) me pjesëmarrjen e kryetarëve të parlamenteve dhe deputetë nga shumë vende në pesë kontinentet.

“Parlamenti i Maltës e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes parlamenteve dhe deputetëve të tyre për promovimin e tolerancës dhe paqes, në këto kohë të vështira kur njerëzimi përballet me sfida të vështira si ekstremizmi, terrorizmi, emigracioni i paligjshëm etj"- u shpreh Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të Maltës, zoti Anglu Farrugia. Në sesionin e parë të IPTP përshëndetën edhe Kryeministri i Maltës Joseph Muscat dhe Ministri i Jashtëm dhe Tregëtisë, Carmelo Abela.

Në seancën e dytë të punimeve u zhvilluan zgjedhjet për Presidentin e IPTP, zëvendëspresidentët dhe kryetarët e pesë komiteteve. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, u zgjodh President i Parlamentit Ndērkombëtar për Tolerancë dhe Paqe. 

Duke marrë fjalën përshëndetëse, zoti Balla u shpreh: “Dua të falenderoj autoritetet shtetërore malteze për mbështetjen dhënë kësaj iniciative të rëndësishme. Shqipëria ime, vendi që unē përfaqësoj, gjithmonë ka qenë burim i paqes me fqinjët, sikurse bashkëjetesa mes besimeve fetare në Shqipëri është një model i shkëlqyer, ndoshta unik në botë”.

Gjatë punimeve të IPTP, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist zhvilloi takime me Kryetarin e Parlamentit të Maltës zotin Anglu Farrugia dhe me Ministrin e Jashtëm dhe Tregëtisë, zotin Carmelo Abela. Zoti Balla falenderoi parlamentin dhe qeverinë malteze për mbështetjen e dhënë në Këshillin Europian në vendimin për përcaktimin e fillimit të negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.

Gjithashtu IPTP ishte një mundësi e mirë komunikimi me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Kështu gjatë takimit me zonjën Santi Bai Hanoomanjee Presidente e Asamblesë Kombëtare të Mauritius, zoti Balla u shpreh: “Në Ministrinë tuaj të Punëve të Jashtme gjendet kërkesa për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ju lutem ushtroni rolin tuaj si Presidente që kjo kërkesë të shqyrtohet dhe të merret miratimi për vendimin e njohjes. Vijimi i procesit të njohjeve është në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ne Parlamentin Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe kishte përfaqësues edhe nga Parlamenti i Kosovës dhe ai i Maqedonisë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • lexues: 07/07/2018 15:02

    Çfare farse...nuk ka gje ne bote ne te cilen Balla eshte i rendesishem..edhe ato negativet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Rripin e Gazës/ Izraeli arreston drejtorin e spitalit Kamal Adwan: Ishte anëtar i Hamasit

Lufta në Rripin e Gazës/ Izraeli arreston drejtorin e spitalit Kamal Adwan: Ishte anëtar i Hamasit