Rei Manaj, futbollisti i kombëtares që ndeshjet e fundit po aktivizohet me ekipin e parë të Barcelonës, ka realizuar një tjetër gol me katalanasit pas tre të tjerëve në ndeshjen me Gimnastic.

Së fundmi sulmuesi 24-vjeçar realizoi golin e dytë në fitoren 3-1 që Barcelona mori kundër Gironas. Lushnjari konkretizoi siç duhet një top të futur në zonë nga Mortimer, duke arritur në kuotën e katër golave në dy ndeshje që është aktivizuar me ekipin e parë.

Për rrjedhojë mediat spanjolle kanë shkruar sot se trajneri Koeman i ka kërkuar klubit të ndryshojë planet për Manajn. Holandezi kërkon që shqiptari të qëndrojë në skuadër si zëvendësues i Aguerros, në një kohë kur Griezman, Coutinho dhe Braithëaite kanë dalë në shitje.