Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Parlament ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2022, tha se qytetarët janë dëshmitarë të ndryshimit si nata me ditën në shëndetësi. Në fjalën e saj Manastiuu tha se është rritur 85% financimi publik për shëndetësinë. Manastirliu tha se do të jetë në fokus pandemia dhe efektet post-Covid-19.
"Ky buxhet shkon për shtresën në nevojë dhe për të shpejtuar ritmin e transformimit të sektorëve që ndryshimet ende nuk kanë ardhur. Transformimi i sektorit shëndetësor hanë punët që kemi bërë dhe fjalë boshe. Bashkë më rritjen e investimeve ne kemi rritur standardin dhe kjo ka sjellë nevojën e ndërhyrjes cep më cep Shqipërisë. Do të bëjmë me buxhetin e 2022 do të rrisim 6 % të pagesës së bluzave të bardha që është në vijim të rritjeve që kanë bërë më parë. Buxheti 2022 është mbi 91 mln lekë dhe 63 mln vetëm për shëndetësisë, duke u rritur me 7 mln lekë nga buxheti 2021. 7 mln më shumë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe përballimin e efekteve të COVID dhe vijimin e procesit të vaksinimit. Buxheti 2022 është buxheti më i lartë historik për shëndetësisë, prioriteti ynë që të shërbimet të jenë ë prekshme për shqiptarët", tha Manastirliu.
Duke folur për programet e parandalimit dhe kujdesin parësor, Manastirliu tha se do të vijojë mbështetja e programeve të depistimit për gratë, popullatën më të rrezikuar si dhe me fokus të posaçëm tek fëmijët, që do të kenë tashmë një program të dedikuar për kujdesin e syve.
“Programet e shëndetit publik mbështeten me buxhetin e ri, duke konsoliduar programin e vaksinimit të fëmijëve dhe vaksinimin kundër gripit sezonal për më shumë se 400 mijë fëmijë dhe të rritur. Financojmë 6.4 milionë vizita falas tek mjeku i familjes nga konsultat, tek ekzaminimet, tek mjeku specialist, sipas hallkave të sistemit të referimit për të gjithë popullsinë rezidente në Shqipëri. Financojmë rimbursimin e barnave për më shumë se 450 mijë qytetarë. Mbi 1100 alternativa të mjekimit dhe numër të rritur përfituesish i garantojmë falas për të sëmurët kronikë, duke përfshirë këtu edhe paketën anticovid për trajtimin ambulator. Për herë të parë, do të financohet paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç, si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë”, tha Manastirliu.
Duke folur për programet që financon buxheti 2022 për spitalet, Manastirliu tha se fokusi do të jetë tek fillimi i implementimit të autonomisë spitalore, e cila nis me Spitalin Memorial Fier.
“Do të mbeshtesim zgjerimin e sherbimeve te Spitalit Memorial në Fier për ofrimin e shërbimeve në nivel terciar, për mbi 330 mijë banorë. Do të kemi mbulimin 100% falas të paketave mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit. Sigurojmë mbulimin e shërbimeve të diagnostikës laboratorike në çdo spital universitar, rajonal dhe dy spitalet bashkiake me një volum prej 4.6 milionë analiza laboratorike në vit. Do të garantojmë mbulimin e mbi 64 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale në vit në sistemin spitalor publik nëpërmjet shërbimit të integruar të sterilizimit dhe instrumentave kirurgjikale, tha Manastirliu në fjalën e saj.
Duke folur për investimet për vitin 2022, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të jenë në vlerën 3 miliard lekë.
“Me buxhetin 2022 do të përfundojmë investimet madhore të nisura, si dhe hapim investime të reja, nga kujdesi parësor në atë terciar. Çelim fazën e dytë të programit tonë të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, me 50 qendra shëndetësore dhe ambulanca për 2022. Përfundojmë fazën e parë të programit të modernizimit të QSUT-së, ku përfundon spitali i ri i sëmundjeve të brendshme, për të filluar menjëherë me funksionimin e këtij spitali të ri, investimi më i rëndësishëm i dekadave të fundit për shërbimin terciar në vend. Në kuadër të modernizimit të Qendrës më të madhe spitalore në vend, do të vijojnë punimet për rikonstruksionin e spitalit të Pediatrisë, ndërkohë që do të bëhet funksionale faza e parë e godinës së re të shërbimit pediatrik. Një tjetër investim i rëndësishëm mbështetet nga buxheti i ri dhe është zgjerimi dhe modernizimi i spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Do të përfundojmë gjithashtu maternitetin dhe spitalin e Kukësit si dhe rehabilitimin e plotë të pediatrisë së Elbasanit. Do të përmbyllet rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike Rehabilituese të Fëmijëve në Tiranë. Do të nisim punën për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv, një super projekt që po finalizohet dhe do të mbështetet vitin e ardhshëm, i cili jo vetëm do të ndryshojë këtë spital për nga pikëpamja infrastrukturore por edhe do ta ktheje spitalin infektiv sipas të gjitha standardeve në një qendër reference të këtij shërbimi në vend. Një tjetër projekt i ri që do të financohet me buxhetin 2022 është rehabilitimi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, tha Manastirliu.
Duke folur për revolucionin digjital në shëndetësinë, Manastirliu tha se ai do të thellohet dhe për herë të parë do të zhvillohet modeli i sistemit të informacionit spitalor duke e shtrirë në rrjetin e spitaleve publike.
Buxheti I vitit 2022 për të dy sektorët, për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale do të jetë 91 miliard 365 milion lekë.
Lajmi kryesor: