Sot në Kuvend diskutimet u fokusuan tek paketa fiskale dhe projektbuxheti i vitit 2022, që është miratuar parimisht në komisionet parlamentare. Projektbuxheti i vitit 2022, parashikon të mblidhen 536.8 miliardë lekë dhe shpenzime në vlerën e 637.6 miliardë lekëve.
Ndërsa sa i takon paketës fiskale, ndryshon ligji për TVSH-në, ku hiqet kompensimi 6% për fermerët, rivendoset taksa 10% për inputet bujqësore dhe vendoset tavan i ri për investimet në bujqësi që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së.
Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha se ky është një buxhet që nuk ka lënë asnjë sektor apo shtresë sociale pa mbështetje. Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Lulzim Bashës i cili akuzoi se Qeverinë se e ka vënë buxhetin 2022 në shërbim të klientëve të saj.
Ashtu siç është bërë tashmë traditë, 'dialogu' i gjatë Basha-Rama në foltoren e Kuvendit vijoi edhe në këtë seancë. Por sot shpeshherë pati edhe tensione. Deputetë të PD ndërhynë nga vendi, duke provokuar shpeshherë edhe reagimin e këtij të fundit me batuta.
Për buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2022 ka pasur debate të shumta edhe brenda qeverisë, ku më së shumti janë përqendruar tek skema në bujqësi, ku janë bërë edhe një sërë propozimesh nga deputeti i PS Erion Braçe.
Diskutimet në seancën maratonë u mbyllën pas gati 11 orësh, ndërsa do të vijojnë edhe ditën e nesërme. Seanca e nesërme do të fillojë në orën 09:00, ku pritet të miratohet në parim projektbuxheti i 2022. Ndryshimet e propozuara dhe buxheti pas miratimit në parim në Kuvend do të zbresë përsëri për t'u shqyrtuar dhe miratuar nen për nen në komisionet parlamentare.
( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë Urdhër dhe rendi i ditës për seancën plenare
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nga foltorja e Kuvendit tha se qeveria ka rritur borxhin publik me 87%. Sipas tij, vëmendja ndaj pensionistëve është zbehur, duke i lënë ata në harresë me një pension që nuk mbulojnë asnjë shpenzim. Sula ironizoi taksën e ndriçimit në fshat duke thënë se banorët e zonës duhet ta paguajnë atë sepse kur shkojnë te lopa përdorin ndriçimin e hënës.
“Borxhi sot ka arritur në masën 87%. Vetëm OSHEE ka 160 mln euro. Ju diskutoni për pensionistët. Të gjithë e dimë që të marrësh ilaçe, të kalosh javën muajin, të përballosh dritat, ujin, zjarrin, çfarë mund t’i dalë pensionistëve. Paguajnë taksa fermerët. Fshatarët paguajnë taksë gjelbërimi sepse Edi Rama meqë fshatari shikon me sy arën dhe lëndinën do paguajë taksë se i kënaqet syri.
Të paguash taksë ndriçimi në fshat kur shkon te lopa, do paguash taksë ndriçimi se ke hënën. I merrni taksë pastrimi. Taksë toke. Taksë ndërtese. Si t’i paguaj. Ku t’i gjejë. Mos i harroni ata njerëz atje. Edhe ata bukë hanë. Edhe ata kanë familje. Tani nuk kemi më punëtorë në fshat. Me vrap për të ikur në Selanik dhe Athinë. Më mirë të punojnë tokën e grekut. Kthejini sytë nga fshati”, tha ai.
Deputeti i demokratëve, Saimir Korreshi ka risjellë edhe njëherë vëmendjen tek fermerët gjatë fjalës së tij në Kuvend. Referuar protestës së fermerëve në Lushnjë të cilët kundërshtojnë paketën e re fiskale, Korreshi akuzon qeverinë se nuk kanë marrë në shqyrtim asnjë nga kërkesat që ata kanë paraqitur. Korreshi ka pasur edhe një ironi ka pasur edhe për maxhorancën, teksa tha se drejtuesit e lindur në Bllok, nuk mund të vendosin për fermerët dhe bujqërit që i kanë duart me kallo nga puna e palodhur.
“Sot po diskutohet buxheti dhe u duk sikur ata që prezantuat për pjesën e bujqësisë kishin ngrënë gazetën e zërit të popullit të kohës dhe na flisnit për propagandë dhe atë që u ofroni fermerëve. Sot fermerët e Shqipërisë janë në ditën e tyre më të zezë. Nëse ky buxhet do ishte aq i mirë hajde dëgjoni fermerët në protestë, u kanë adresuar disa kërkesa dhe se keni vënë ujin në zjarr. Ju po talleni me bujqërit dhe fermerët shqiptarë. Në Lushnjë produktet bujqësore nuk kanë treg. Nuk mundet që drejtuesit e lindur në bllok të marrin vendime për bujqërit dhe fermerët që i kanë duart me kallo. Duhet të shkoni te serat e tyre të uleni me ta. Sepse jo vetëm që po i lënë serat të pambjella por po largohen nga vendi. Ju thatë se keni parë mirë, një ministre më tha se keni bërë magazina anës rrugës. Ju rroftë kosherja sepse bletët i keni në protestë. S’ka produkte, s’ka treg, s’ka çmim po dalin me humbje. Ju thatë eksportuesit, po ne kemi eksportuesit, opingat, dhe eksportuesit i keni aty sot, sepse të gjithë kanë ngritur zërin sepse ky buxhet i ka vënë tra, tra para magazinave të tyre. Gorica i ka braktisur serat, pjesa më e madhe i ka shitur serat. Në shesh sot ishin grumbullues dhe eksportues në protestë, si do e bëni bujqësinë”, tha Korreshi.
Përplasja në Kuvend mes maxhoranxës dhe opoztës, për shkak se Rama iu drejtua kryedemokratit me ironi si balonë tabakë solli reagime të ashpra nga radhët e demokratëve. Kjo deklaratë e Ramës, sipas opozitës ishte një ofendim për Jorida Tabakun. Ndërkohë lidhur me këto debate, ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Flutura Açka, e cila tha se do të bëj një kërkesë me shkrim vërejtje me shkrim në sekretariatin e retikës ndaj kryeministrit lidhur më këtë sjellje, ndërsa i kërkoi që të mos bullizojë kolegët, por të sillet si shtetar.
“Unë jam pjesë e sekretariat të etikës dhe për etikë do ti bëja një vërejtje publike zotit kryeministër, këtu nuk jemi për të bullizuar shokët dhe kolegët , për të sillemi si shtetar të rregullt. Meqenëse vërejtjen nuk e bëra dot publike, do ta bëj me shkrim në sekretariat. Sigurisht do të talleni, por unë do të bëj detyrën time këtu në parlament. Zoti kryeministër ka inventarin e plotë të balonave që vërtiten në qiell sigurisht edhe të satelitëve, por nuk ju tha që në qiell vërtiten edhe ballon ajri të zbrazur, që të ngjiten, sidomos kur ka festë buxheti, duan nxehtësi ca tymra apo nxehtësi, por se çfarë e gazi e apo ajri e mban kryeministrin në këmbë që nuk na rrëzohet në foltore duke aktruar, tanimë është legjendë urbane”, tha Açka.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Açka gjithashtu u dal tek vështirësitë dhe mungesë e mbështetjes me të cilën përballen shkrimtarët apo përkthyesit.
“Pak ditë më parë në këtë foltore njëfarë artisti që nuk menaxhon dot as gjatësinë e vet, e jo më fatin apo shtetin tuaj, u tall me njerëzit që merren me zejen fantastike të letërsisë…Ata njerëz të paktën ua bëjmë pak orë më të lehtë jetën shqiptarëve me lexime duke i ndihmuar të harrojnë kush i drejton dhe si i drejton. Për këta njerëz dua të flas sot, jo për artin e tyre, por për mbijetesën dhe rropatjen e tyre në për të rujatur këtë zeje të bekuar në kushtet e një politike agresive dhe një mjedisi aspak bujar për ta. Do të mbetem tek tatimet mbi të ardhurat gjë për të cilën nuk flitet aspak. Sa i japin ata vendit dhe sa marrin ata prej nesh, krahasuar me punën vetëmohuese. Flas për krijimin artistik që paguan 15% tatim në burim për çdo cent honorar të marrë”, tha ajo.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca gjatë fjalës së saj në Kuvend e vuri theksin te zhvillimi i bujqësisë. Në kuadër të digjitalizimit të bujqësisë, Krifca bëri me dije se do të ngrihet një treg online për fermerët dhe grumbulluesit.
“400 milion lekë mbështetje për START UP-e për bujqësinë. Sërish për të rinjtë 200 milion lekë për të rinjtë në formën e mbështetjeve të granteve. Krahas fondeve prej 5 milion euro. Do trajnojmë stafin e arebeve, specifikisht trajnim 1150 gra fermerë do trajnohen. Do ngremë zyrën e eksporteve në ministrinë e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Në shërbim edhe të digjitalizimit të bujqësisë do të ngremë një treg online për fermerët dhe grumbulluesit. Qëllimi rritja e aksesit eficent drejt tregjeve.
Një aspekt tjetër ka të bëjë me investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit e mbrojtjes nga përmbytja. Duhet të garantojmë prodhimin cilësor vendas, në këtë aspekt përgjegjësia është jo vetëm e ministrisë por edhe e prodhuesve e bizneseve.
Xhorxh Washington presidenti i parë i SHBA 2 shekuj më parë tha unë nuk njoh asnjë përpjekje në të cilën mund të ofrohen shërbime më te zellshme ndaj një vendi sesa kur përmirësohet bujqësia dhe blegtoria si dhe degët e tjera të punës së fermerit”, tha Krifca.
TIRANË- Në burgje do të ngrihet një sistem elektronik, i ngjashëm me atë TIMS, që do të kontrollojë vizitat e të burgosurve. Lajmi u bë me dije nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja gjatë prezantimit në Kuvend të projektbuxhetit për dikasterin e tij. Për ketë sistem parashikohet që të shkojnë 122 milionë lekë nga buxheti i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë.
“Sot këtu në seancë mund të pohoj se bindje se vizionet e kësaj qeverie bëhen realitet me këtë buxhet. E tillë është reforma në drejtësi, reformë që në 2016 është buxhetuar në 42.4 mln euro, sot me buxhetin 2022 mbështetja buxhetore shkon në 84 mln euro, ku përfshihen edhe rritje pagat e reja SPAK dhe BKH, si një nga institucionet më të rëndësishme për të luftuar korrupsionin. Është viti i tretë që kjo qeveri parashikon rritje rrogash për 3.588 punonjësit e burgjeve, ku pas shtesës për gradat dhe shtesës për vështirësi, nga viti i ardhshëm fillon edhe shtesa për natyrë të veçantë pune. Është buxheti që parashikon pothuajse 89% rritje buxheti për 2022 për agjencinë e rritjes së pronave. Projektbuxheti për Ministrinë e Drejtësisë 11.78 miliardë lekë, 27 miliardë lek më shumë se projektbuxheti i viti 2021. Po e nis me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve me një buxhet prej prej mbi 6 mld lekë me një rritje 9% nga viti paraardhës, rritja e sigurisë, ulja e mbipopullimit, infrastruktura janë disa nga synimet emergjente. Siç e kam deklaruar edhe në Komisionin ligjeve, infrastruktura e re në burgun e Shënkollit do na krijojë mundësinë që burgu i Zaharisië të mbyllet dhe personat me masë mjekësore do marrin ndihmën në një institucion tjetër. Për realizmin e sistemit elektronik të menaxhimit të vizitave në burgje, duke siguruar rritjen e sigurisë dhe mirëkontrollimin kemi menduar investimin e 122 mln lekëve. Pra, do ngremë një sistem të ngjashëm me sistemin Teams për të kontrolluar vizitat në burgje”, tha Manja.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se paketa fiskale e propozuar nga qeveria që do të godasë për herë të tre qytetarët. Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Kryemadhi tha se ky buxhet po shkatërron një nga sektorët më të rëndësishëm, siç është bujqësia.
"Goditja e tretë që i vjen qytetarëve, sot duhet të kishim një paketë që do të përkrahte prodhuesit dhe fermerët, por nuk ndodh kështu, por në këtë paketë ka vetëm kosto. Do godasë prodhimin vendas, u bëj thirrje fermerëve që të unifikohen për të qëndruar dhe për t'u përballur me këtë realitet të hidhur, ne i kemi dëmtuar, por duhet të punojmë shumë më shumë për ta ndryshuar atë se çfarë po ndodh, ky buxhet i përket një kohe shumë të varfër, shkatërron sektorin më të rëndësishëm, ku 52% e shqiptarëve punojnë në bujqësi", tha Kryemadhi.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se në buxhetin 2022 përveç përmirësimit të infrastrukturës së shkollave dhe ndërtimit të laboratorëve, është rritur me 50 % buxheti për transportin e nxënësve që e kanë shkollën larg banesave. Gjithashtu ajo tha se do të ketë rishikime të teksteve shkollore për pastrimin nga pasqyrimi jo i drejtë i realitetit. Një rast i tillë u denoncua nga Report Tv ku në rrjetet sociale qarkulloi një foto, ku shihet se në librin e historisë së klasës së katërt, një prej lagjeve rezidenciale elitare rreth Tiranës është sjellë si ilustrim i fshatit shqiptar. Ky fakt ka shkaktuar zemërim të qytetarëve, pasi një gjë e tillë nuk paraqet një realitet.
"Investime për infrastrukturën shkollore, ndërtesat, laboratorët, që të garantojmë cilësi në mësimdhënie. Gjatë 8 viteve të kaluara kemi ndërtuar dhe rikostrukuar mbi 300 shkolla. Për t'ju përgjigjur nevojës për laboratorë më moderne buxheti parashikon 400 mln leke për 100 shkolla për laboratorët. Rrisim 50 % buxhetin e transportit të nxënësve për 3500 mijë nxënës që kanë vendbanimin 20 km nga shkolla dhe 12 mijë mësues. N këtë rast do na duhet një mbështetje me pushtetin lokal dhe bashkëpunim dhe do të kemi rezultate pozitive. Tekstet shkollore, 1.1 mln lekë janë flas për 280 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë nga klasa 1-9. Nga 1-3 do të jenë falas me një përdorim, për specifikat që kanë këto tekste. do të rishikojmë të gjitha tekstet për pasqyrim jo të përshtatshme me realitetin", tha Kushi.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës saj në Parlament ku po diskutohet për buxhetin e vitit 2022, tha se qytetarët janë dëshmitarë të ndryshimit si nata me ditën në shëndetësi. Në fjalën e saj Manastiuu tha se është rritur 85% financimi publik për shëndetësinë. Manastirliu tha se do të jetë në fokus pandemia dhe efektet post-Covid-19.
"Ky buxhet shkon për shtresën në nevojë dhe për të shpejtuar ritmin e transformimit të sektorëve që ndryshimet ende nuk kanë ardhur. Transformimi i sektorit shëndetësor hanë punët që kemi bërë dhe fjalë boshe. Bashkë më rritjen e investimeve ne kemi rritur standardin dhe kjo ka sjellë nevojën e ndërhyrjes cep më cep Shqipërisë. Do të bëjmë me buxhetin e 2022 do të rrisim 6 % të pagesës së bluzave të bardha që është në vijim të rritjeve që kanë bërë më parë. Buxheti 2022 është mbi 91 mln lekë dhe 63 mln vetëm për shëndetësisë, duke u rritur me 7 mln lekë nga buxheti 2021. 7 mln më shumë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe përballimin e efekteve të COVID dhe vijimin e procesit të vaksinimit. Buxheti 2022 është buxheti më i lartë historik për shëndetësisë, prioriteti ynë që të shërbimet të jenë ë prekshme për shqiptarët", tha Manastirliu.
Duke folur për programet e parandalimit dhe kujdesin parësor, Manastirliu tha se do të vijojë mbështetja e programeve të depistimit për gratë, popullatën më të rrezikuar si dhe me fokus të posaçëm tek fëmijët, që do të kenë tashmë një program të dedikuar për kujdesin e syve.
“Programet e shëndetit publik mbështeten me buxhetin e ri, duke konsoliduar programin e vaksinimit të fëmijëve dhe vaksinimin kundër gripit sezonal për më shumë se 400 mijë fëmijë dhe të rritur. Financojmë 6.4 milionë vizita falas tek mjeku i familjes nga konsultat, tek ekzaminimet, tek mjeku specialist, sipas hallkave të sistemit të referimit për të gjithë popullsinë rezidente në Shqipëri. Financojmë rimbursimin e barnave për më shumë se 450 mijë qytetarë. Mbi 1100 alternativa të mjekimit dhe numër të rritur përfituesish i garantojmë falas për të sëmurët kronikë, duke përfshirë këtu edhe paketën anticovid për trajtimin ambulator. Për herë të parë, do të financohet paketa e kujdesit të syve për fëmijët 4-14 vjeç, si një program kujdesi universal falas për mbi 300 mijë fëmijë”, tha Manastirliu.
Duke folur për programet që financon buxheti 2022 për spitalet, Manastirliu tha se fokusi do të jetë tek fillimi i implementimit të autonomisë spitalore, e cila nis me Spitalin Memorial Fier.
“Do të mbeshtesim zgjerimin e sherbimeve te Spitalit Memorial në Fier për ofrimin e shërbimeve në nivel terciar, për mbi 330 mijë banorë. Do të kemi mbulimin 100% falas të paketave mjekësore, duke përfshirë dializën, transplantin e veshkave, të gjithë paketën e kardiologjisë dhe kardiokirugjisë, të radioterapisë, kataraktit, për mbi 15 mijë pacientë në vit. Sigurojmë mbulimin e shërbimeve të diagnostikës laboratorike në çdo spital universitar, rajonal dhe dy spitalet bashkiake me një volum prej 4.6 milionë analiza laboratorike në vit. Do të garantojmë mbulimin e mbi 64 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale në vit në sistemin spitalor publik nëpërmjet shërbimit të integruar të sterilizimit dhe instrumentave kirurgjikale, tha Manastirliu në fjalën e saj.
Duke folur për investimet për vitin 2022, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se do të jenë në vlerën 3 miliard lekë.
“Me buxhetin 2022 do të përfundojmë investimet madhore të nisura, si dhe hapim investime të reja, nga kujdesi parësor në atë terciar. Çelim fazën e dytë të programit tonë të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, me 50 qendra shëndetësore dhe ambulanca për 2022. Përfundojmë fazën e parë të programit të modernizimit të QSUT-së, ku përfundon spitali i ri i sëmundjeve të brendshme, për të filluar menjëherë me funksionimin e këtij spitali të ri, investimi më i rëndësishëm i dekadave të fundit për shërbimin terciar në vend. Në kuadër të modernizimit të Qendrës më të madhe spitalore në vend, do të vijojnë punimet për rikonstruksionin e spitalit të Pediatrisë, ndërkohë që do të bëhet funksionale faza e parë e godinës së re të shërbimit pediatrik. Një tjetër investim i rëndësishëm mbështetet nga buxheti i ri dhe është zgjerimi dhe modernizimi i spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Do të përfundojmë gjithashtu maternitetin dhe spitalin e Kukësit si dhe rehabilitimin e plotë të pediatrisë së Elbasanit. Do të përmbyllet rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike Rehabilituese të Fëmijëve në Tiranë. Do të nisim punën për rikonstruksionin e Spitalit Infektiv, një super projekt që po finalizohet dhe do të mbështetet vitin e ardhshëm, i cili jo vetëm do të ndryshojë këtë spital për nga pikëpamja infrastrukturore por edhe do ta ktheje spitalin infektiv sipas të gjitha standardeve në një qendër reference të këtij shërbimi në vend. Një tjetër projekt i ri që do të financohet me buxhetin 2022 është rehabilitimi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, tha Manastirliu.
Duke folur për revolucionin digjital në shëndetësinë, Manastirliu tha se ai do të thellohet dhe për herë të parë do të zhvillohet modeli i sistemit të informacionit spitalor duke e shtrirë në rrjetin e spitaleve publike.
Buxheti I vitit 2022 për të dy sektorët, për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale do të jetë 91 miliard 365 milion lekë.
Deputeti i PD, Edmond Spaho nga Kuvendi tha se nuk është problemi tek mungesa e barinjve, por problem është se qytetarët nuk po mbajnë më lopë e dele. Spaho shprehu shqetësimin, po ashtu për rritjen e çmimit të qumështit pas 1 janarit të vitit 2022.
Sipas Spahos, grumbulluesve të qumështit u leverdis më mirë ta marrin qumështin nga Serbia, pasi madje u biem më lirë se nga blegtorët shqiptarë.
‘Edhe themi që do krijojmë akademinë e barinjve, çobanëve. Por problemi i parë nuk është çobani, problemi i parë është të kemi numër krerësh, të kemi dele dhe lopë, e këto po vijnë e po vijnë duke u pakësuar nuk po i mban më njeri, ka rënë çmimi i qumështit, nuk është më efektiv, më shtrenjtë i bie uji se sa qumështi.
320 lekë niset qumështi nga Serbia, 350 lekë i shkon këtu në Shqipëri. Blegtorëve tanë i mblidhet në rastin më të mirë me 420 lekë.
Po mirë ky grumbulluesi pse duhet të shkojë te blegtori shqiptar, e merr në Serbi ai. E sjell këtu me 350 lekë e na rrofshin ne ato parullat do zhvillojmë blegtorinë do rrisim numrin e krerëve etj.
Ore kjo është ekonomi tregu po nuk e more ne mbrojtje që ti vësh taksa prodhimit atje kur hyn do rrënosh prodhimin tënd.
Kjo masa, ulja e TVSH 6% para dy vitesh dhe zerimi që po i bëjnë tani do rrisë edhe çmimin në treg
Kur aplikuam me 6% e rriti nga 130 në 150 lt e qumështit që shitet në treg, këtu do e rrisë edhe pas 1 janarit kur të aplikohet kjo masë. Dhe veç kësaj shikoni dhe kosto të tjera që kanë blegtorët që ne s’na bien ndërmend’. -tha Spaho.
Buxheti për vitin 2022 për ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë do të jetë një buxhet social, por që do të garantojë përfundimin e punimeve të nisura dhe projekteve të reja. Kështu tha ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila nënvizoi se peshën më të madhe të investimeve do ta mbaje transporti rrugor. Ministrja tha ndër të tjera në fjalën e saj se në 2022 do të nisin punimet për zgjerimin e aksit nga Elbasani në Qafë-Thanë.
‘Dëgjohet fjala PPP koncesione, pjesa tjetër shkon e gjitha tek infrastruktura. Buxheti i Infrastrukturës për këtë vit është buxheti më i madh, ky është një buxhet social i cili mbështet politikat sociale. Askush nuk e mohon dot krizën energjetike e krizën post pandemisë. Ky është një vend i hapur dhe çdo lloj krizë botërore refletktohet edhe tek ne. Këtë vit ky buxhet ka 1.9 mlrd lekë më pak se në 2021, duke qenë se i është dhënë prioritet politikave sociale. Buxheti i vitit 2022 garanton ecurinë e investimeve të nisura. Janë 12 programe ku peshën më të madhe e mban transporti rrugor. Totali është 47.2 mlrd lekë të ndara në shpenzime 5 mlrd dhe pjesa e paketës së investimeve, 17 mlrd i huaj dhe rreth 27 mlrd financimi vendas. Tuneli i Llogarasë, nuk është një tunel i PS-së por që do ta përdorin të gjithë. Kemi synim ta përfundojmë brenda 33 muajve. Bypass i Tiranës dhe Bypass i Gjirokastrës janë dy Bypass e reja që do të nisin brenda viti 2022.Unaza e Jashtme e Tiranës është një tjetër projekt i rëndësishëm. Një nga projektet më të rëndësishme për 2022 është zgjerimi i aksit nga Elbasani në Qafë Thanë.’- tha Balluku.
Askush nuk është i kënaqur nga buxheti i vitit 2022, sipas deputetit Alfred Rushaj.
“Vitet e kaluara ka pasur ndonjë mendim pozitiv. Këtë vit, janë të gjithë të pakënaqur. Nuk ka rritje pensionesh, vetëm indeksim, sipas inflacionit që është rritur me 2%. Të gjithë pensionistët, duhet të përgatitet të paguajnë 72 lekë më shumë për litrin e gazit, që ata e përdorin për të gatuar dhe ngrohur. Unë besoja që duhet të kishim një politikë për burime alternative të energjisë, ndërkohë që ajo që bëjmë është rritja e akcizës për gazin”, tha ai.
Rushaj kundërshton ligjin për akcizën, që thotë se do të rëndojë mbi qytetarët. Barra e krizës ekonomike do të bjerë mbi ta dhe nuk mund të bëjmë asgjë, nëse kalon ky ligj, thotë Rushaj.
“Jo vetëm që qeveria ka vendosur të marrë 30 milion më shumë nga akciza, por ka vendosur të rrisë taksat. Do të indeksojë dhe rritjen e akcizës, nëse ka inflacion, do të rritet automatikisht akciza, nuk do të ketë nevojë të mbledhë fare kuvendin. Totalisht mungesë transparence.Të gjithë po e kundërshtojnë, sepse së pari nuk i ka pyetur kush. Dhe sepse do të çojnë deri në 30% rritje çmimesh për qytetarët, madje rrezikon falimentim për shumë biznese.Meqë janë në krizë, qeveria po e vë barrën mbi ata”, shton ai.
Ulja e taksës për karburantin me të cilin furnizohen jahtet, është një tjetër ligj abuzim, sipas deputetit demokrat.
“Qeveria po legalizon skemën e shitjes së karburantit pa taksa për jahtet. Kjo gjë i ka kushtuar 20 milion lekë në vit shtetit, sipas Ministrisë së Financave. Është skemë e kundërligjshme. Qytetarët paguajnë 100 lekë taksa për litër, jahtet do të paguajnë 65”, thekson Rushaj.
Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer batutat dhe ironitë në seancë plenare me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Pyetja e tij se kush nga deputetët e tij e beson, shkaktoi të qeshura në sallë, por në mbrojtje i ka dalë Oriola Pampuri, e cila ka replikuar nga vendi.
Rama: Kujt i besojnë Shqiptarët, ty? Lulzim sa nga këta që ke këtu të besojnë ty, sa, sipas teje, nga ata që ke këtu. Sa janë, që nga radha e parë që po flasim..
(Kuvendi qesh, ndërhynë Pampuri nga vendi)
Rama: Po mirë ja një e paske.
Oriola Pampuri: Po patjetër se më përmend
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj, nga foltorja e Kuvendit tha se mandati i tretë më shumë se politik është shërbim ndaj qytetarëve. Ai iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se paratë nga buxheti i shtetit do shkojnë për klientët e qeverisë përmes PPP. Sakaq, Ahmetaj tha se taksa e biznesit të vogël do të jetë zero. Zv/kryeministri deklaroi se nuk ka asnjë vend që drejtohet nga oligarkët dhe biznesi i vogël ta ketë taksën zero. Sakaq, ai theksoi se investimet dhe ndihma ndaj qytetarëve nuk mund të liheshin në mes, ndaj u detyruam të shkonim në 80 për qind borxhe.
“Shërbimet janë online, tregojani dhe të tjerëve. Doni t'i referoheni FMN-së, për pandeminë dhe tërmetin, u detyruam të shkonim në 80 për qind borxh. Nuk do t’i linim njerëzit dhe investimet copë copë. Po ringrihemi shpejt, mundej dhe më shpejt, po hajde ta diskutojmë. Diskutime për inovacion politik, nuk bëhem pjesë. Flasim për statistika. Kryefjala e buxhetit është shërbimi ndaj qytetarëve që nga zyrat lokale dhe qendrore. Mandati i tretë, më shumë se politik është i shërbimit për qytetarët. Hajde bëjmë debat nëse po përdorim sistemet e duhura, ndoshta ju keni ide shumë të mira. Jo të diskutojmë PPP-të, ça do heqësh, ato që kanë nevojë për dializë, t’i lësh pa to. Apo të heqim rrugët. Digjitalizimi, hajde ta diskutojmë bashkë, jam dakord me kryetarin tuaj. Buxheti patjetër është politik sepse jemi dy botë të ndryshme, një botë që i referohet qytetarit, dhe një botë që bën debat dhe nuk del në konkluzion. Mos flisni nga vendi. Në vend që të debatojmë për digjitalizimin, na përmendi oligarkët, çfarë oligarkësh. Boçi tha po nuk ja merrni taksat shqiptarëve, e kemi taksën e biznesit të vogël zero. keni parë ndonjë vend që komandohet nga oligarkët që ta ketë taksën zero. Keni parë që të rrisësh tatim fitim dhe të komandohet nga oligarkët. Pse thoni për rindërtimin, 400 kompani. 400 oligarkë paskemi ne?"-tha Ahmetaj.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka mbajtur një fjalë për procedurë duke kërkuar që sipas rregullore të gjithë kanë një kohë të caktuar fjale dhe duhet ta respektojnë. Kjo ka sjellë reagimin e deputetes së PD, Grida Dume nga vendi.
Kjo nuk është pranuar nga Balla e cili ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla që të marrë masa se ajo po shkel rregulloren.
Balla: Ju lutem të gjithë duhet të respektojmë kohën tonë dhe ë mos e tejkalojmë atë.
(Ndërhynë Grida Dume)
Balla: Ju lutem po flas për procedurë jo për të replikuar për ju. Nuk ka mundësi të çohet një deputet të flas se ju do hidheni si zhurmues nga vendi. Zonja kryetare të lutem merrni masa, po thyen rregulloren.
Seanca e sotme plenare po shoqërohet me tensione. Teksa Kryeministri Rama ishte në foltore, Gazmend Bardhi nga vendi fliste duke i ndërprerë fjalimin.
"Orë ca është ky mo, orë pse nuk qetësohuni? Më lini të flas. Ka mundësi të mbaroj fjalën unë? Dilni këtu dhe nuk lini gjë pa folur ndërkohë që nuk na lini të flasim neve. Lulzim pse nuk shkon në gjykatën e Belgjikës për 'Toyota Yaris'? Të kanë thirrur disa herë, pse nuk shkon?", i është përgjigjur Rama.
Përgjigjen kreu i PD e bëri disa minuta më vonë.
"Bën rolin e hetuesve belg. Ti e di fare mirë që fashikullin e dëshmisë time e ke prej më shumë se një viti e atje. Merre dhe botoje, pa ta kisha unë do ta bëja", tha ai.
Kreu i PD Lulzim Basha me tone të larta tha nga foltorja e Kuvendit se jemi në vendin e dytë në botë për nivelin e ryshfetit, teksa i referohet Bankës Botërore. Basha teksa i drejtohej Ramës, i tha se nuk e shpëton dot as zoti, dhe duhet të dalë nga Kuvendi ku ka hyrë përdhunshëm duke kërkuar falje. Ai theksoi se 338 milionë që kanë humbur në arbitrazh, 120 mln euro vetëm për Becchetin. Sakaq, Basha tha se Rama ka bllokuar komisionin hetimor për arbitrzhet.
“Të ra goja për inceneratorët, me ata që ndan paratë, ke gënjyer se the do marrin 9 milionë euro, do marrin 18 mln euro. Pse gënjen, nuk di shifrat? E ke vendin në pavionin e Petrelës, thuaj më fal që gënjeva, për shëndetësinë falas, për uljen e taksave, për uljen e çmimit të shportës, del këtu e mashtron prap. Del dhe fyen PD-në, mbeturinë e socialrealizmit. Kërko falje dhe dil nga kjo sallë ku ke hyrë përdhunshëm, mos e harro Kenedyn, ka dhe një citim që stë pëlqen ty, por do vijë dita të ta këndojë populli shqiptar. 338 milionë euro që ke humbur në arbitrazh, 120 mln për Becchetin, pse ke bllokuar komisionin hetimor, shqiptarët duhet ta dinë që është në Kushtetuese por s'duhet të ishte. Kur 28 deputetë kërkojnë një komision hetimor, pse e shtyn vazhdimisht. Ti hallet e shqiptarëve nuk i ke pasur në defter, po hallet e oligarkëve. Të duke pllakë gramafoni Banka Botërore dhe BERZH-i. Nuk të shpëton dot zoti, Shqipëria e dytë në botë për nivelin e ryshfetit. Treguesi i korrupsionit 2021, midis Egjiptit dhe Zambias.”-tha Basha.
Një përplasje e fortë ka ndodhur mes Lulzim Basha dhe Edi Ramën në Kuvend, ku kryeministri iu drejtua kryedemokratit me ironi si balonë tabake. Kjo ka sjellë acarimin e opozitës që ka folur e revoltuar nga salla e Kuvendit, pasi tha se me atë epitetet ofendoi Jorida Tabakun, duke iu referuar mbiemrit të saj. Rama e mohoi diçka të tillë , por kjo ka bërë që Basha të ngihet në Foltore dhe i acaruar t'i drejtohet Ramës që të kërkojë ndjesë për ofendimin që i bëri Tabakut.
Rama: Meqë u qani hallin bujqve e përmendni Serbinë e këto. Hajde more Lulzim hajde thuaje tani sa e ka Serbia e Maqedonia, hajde si balonë tabake.
(Tabaku e Bardhi flasin nga vendi)
Rama: Ç’a ka, ç’a ka, balonë tabake është më e mira se ka dhe balonë tauke, nuk kam lidhje me mbiemrat unë, e keni stil ju këtë dhe mos më ndërprisni.
(Tabaku e Bardhi flasin nga vendi)
Rama: Asnjë problem etik s’ka këtu…balonat janë objekte me të cilat kemi luajtur kur kemi qenë të vegjël, ka pasur edhe tauke dhe tabake. Balona tabake ishte më e mira. Hajde Lulzim hajde e nis këtu me gramafonin tënd.
Basha: Standarde të dyfishta sa i përket sjelljes nuk duhet të aplikohen. Rama fyen individualisht dhe në grup opozitën. Zonjës që ju referove, është doktoreshë shkencash kur ti bridhje urave të Parisit. Kujdes kur matesh me ne, ta ka thënë paraardhësi yt. Vijmë nga universitetet më të mira të europës, për t'i shërbyer këtij vendi. Ti je prodhimi i gropës së Hajdin Sejdisë, i ke hipur kalit të lartë me taksat, vjedhjet e shqiptarëve. Je ai që je, dhe ke mbetur ai që ke qenë. Mati mirë fjalët kur i drejtohesh zonjave të PD. Fjalorin e shteruar dhe banalitetin ruaje për shtëpinë tënde, mos më bëj të të jap kinon e plotë që meriton. Je një zero, je një hiç. Të tillë të ka prodhuar vetvetja, kjo është taksa e shoqërisë.
(Tabaku kërkon të replikojë)
Rama: Nuk ju përmenda emrin, nuk fola për ju, mjaft më me retorika. Nuk hyj në këto muhabete se është nivel shumë i ulët. Unë iu drejtova Bashës, se ai rend pas balonave nuk është faji im.
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili bëri ironi në Kuvend ‘balonë Tabake, balonë Tauke’. Tabaku tha se argument të vetëm Rama ka vetëm fyerjen dhe se nuk intimidohet me atë gjë.
Tabaku: Argument të vetëm ka vetëm, fyerjen. Do të më intimidojë mua. Unë e kam nder që kam mbiemrin Tabaku, një nga familjet më të rëndësishme të Tiranës. Këtë ti se di pasi e ke konsideruar Tiranën si vend ndërtimi. Sa herë që ka diçka për koncesionet ky i del për zot, i del për zot çdo zullumi çdo korrupsioni, mbron edhe këto që ka mbrapa këtu. Nisi 33 mlrd rruga e Arbrit përfundoi 53 mrld. Risku i kontratave koncesionare është rreziku më i madh që ka buxheti i shtetit. Ndërkohë që diskutimin tjetër me mua do ta kesh tek komisioni inceneratorëve.'- tha Tabaku.
Kryeministri Edi Rama është përplasur me deputet e opozitës në foltoren e Kuvendit, ku madje bëri edhe ironi Bashën duke e cilësuar si një gramafon, që flet të njëjtën gjë.
"Pse me ndërprisni unë nuk e ndërpreva muzikën e gramafonit, siç respektoni gramafonin kur flet më respektoni dhe mua", tha Rama.
Rama bëri edhe shumë kritika ndaj opozitës kur ka qenë në qeveri më parë duke thënë se e kanë lënë vendin në mjerim, të mbytur në plehra dhe pa shëndetësi, dhe sot kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë.
"Ca do hiqnit që të shpëtonit të gjithë Shqipërinë? Do hiqni instrumentet për shëndetësinë? I hiqni ju se ashtu e latë shëndetësinë në mjerim, ku latë me mijëra infeksione rrugëve për shkak të mungesës së sterilizimit. Dializën do hiqni? E hiqni ju se nuk e keni probleme. Plehrat? I hiqni ju se i lartë nuk ju bën përshtypje, do hiqni check up? Patjetër, është çështje civilizimi, jemi dy cilivizime të ndryshme në raport me parandalimin, ju njihni vetëm ec përpara e ndalo të tjetër", tha Rama.
Në debatin në Kuvend mes Kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha, kreu i Qeverisë kundërshtoi deklaratën e kreut të PD se Shqipëria ka 40% të varfër.
'Në kohën tuaj varfëria ishte mbvi 40%, sot renditet në një grup me Turqinë 22.4, Letonia 22.9, Shqipëria është 23%, Serbia është 23.2, Rumania 23.8 dhe Mali i Zi 24.5. Këtgo janë shifrat e Eurostat. Pse thua 40%, pse nuk thua 100%, bëhu edhe vetë i varfër meqë nuk e ke problem ta bësh. Por e vërteta është kjo"
Kryedemokrati Lulzim Basha tha nga foltorja e Kuvendit se 388 milionë euro do paguhen nga shteti shqiptar për vendimet e gjykatave ndërkombëtare, arbitrazhet. Basha tha se këto janë shifra të frikshme që muund të ishin përdorur për bujqësinë dhe ato familjarë që dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë.
“Ne, të gjithë shqiptarët e dimë, që ky nuk është i vetmi dëm që i keni shkaktuar ekonomisë. Mjafton të shohim raportin e KLSH-së, ku thuhet se shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti 388 milionë euro për vendiimet e gjykatave ndërkombëtare. Arbitrazhet e famshme, ku kur bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve, ju vetëm humbni. Një shumë e frikshme, që mund të ishte përodrur për bujqësinë, për ata familjarë që sot dalin në rrugë për të kërkuar ndihmën që meritojnë.”-tha Basha.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se qeveria po i merr frymë në bujqësisë me investimet qesharake dhe rritjen e taksave, ndërkohë që është një nga sektorët që jep gati 20 % të PBB. Ai tha se fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, por marrin si përgjigje vetëm dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë.
"Bujqësia, që jep gati 20% të prodhimit të brendshëm bruto, merr në këmbim mbështetjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit. Duke i bërë jo konkurruese produktet tona. Duke i shkatërruar fermerët tanë. Dhe ndërkohë që fermerët dhe blegtorët kërkojnë mbështetje serioze, përgjigjen e vetme keni dhunën policore për të shuar protestën e tyre të drejtë. Edhe tani që flasim, fermerët janë në rrugë për të drejtat e tyre, për mbijetesën e tyre, për të marrë atë që kolegët e tyre në rajon e gëzojnë çdo ditë, nga qeveri që mbështesin bujqësinë, që u shpërblejnë mundin dhe sakrificën me të cilën kontribuojnë në ekonomi.
Brenga, dëshpërimi dhe zemërata e tyre janë të përligjura, sepse ata detyrohen të flakin produktet e tyre, detyrohen të emigrojnë, të punojnë tokat e vendeve fqinjë, sepse paratë e taksave që ju shpërdoroni, nuk shkojnë për ta", tha Basha.
Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë se as buxhetet dhe as miliardat që kanë marrë borxh nuk kanë mundur dot t'i përkthejnë në mirëqenie për shqiptarët, po i kanë përqendruar në duart e disa oligarkëve dhe pasurimin e tyre.
"Keni marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë e mëparshme të bëra bashkë, keni rritur taksat dhe tarifat më lart se kurrë më parë në historinë e këtij vendi që nga Tanzimati, nuk keni ditur t’i ktheni miliardat që keni keqmenaxhuar as në mirëqenie për qytetarët, as në paga dhe pensione më të larta dhe të dinjitetshme, as në përmirësimin e produktivitetit të sipërmarrjeve. Përkundrazi. Miliardat që keni marrë borxh në emër të shqiptarëve, taksat që keni rritur për të financuar makutërinë tuaj, kanë shërbyer për ndërtimin e një ekonomie të përqendruar në pak duar. Me shtetin e përdorur si punëdhënës patronazhistësh dhe i pak oligarkëve, me të cilët keni vrarë konkurencën e lirë, keni ndrydhur zhvillimin ekonomik, keni penguar investimet e huaja. E keni bërë Shqipërinë një vend nga i cili largohen të rinjtë e të rejat, largohen profesionistët dhe forca prodhuese e shoqërisë.
Nuk keni ditur të ktheni miliardat që keni mbledhur në mirëqenie për qytetarët apo zhvillim, por ato i ke i marrë për të financuar makutërinë tuaj dhe po krijoni një ekonomi putiniste të përfundojnë në një grusht njerëzish duke ndalur dhe penguar investimet e huaja. të rinjtë po largohen , profesionistët. dhe sikurse shihet nga ata që majmen nën hijen pushtetit tuaj, pjesë luanit e përbëjnë oligarkët që marrin nga ju PP dhe koncesionet dhe fitimin e garantuar pa risk nga taksat e shqiptarëve dhe që e çojnë pastaj në parajsat fiskale. Ato që keni bërë në 8 vite, të njëjtën gjë po bëni edhe vitin e ardhshëm, kjo nuk është çështje buxheti, por çështje mentalitetit dhe ai duket qartë në rritjen e taksave dhe akcizave për të mbrojtur interesat e një pakice që ndalon zhvillim dhe dëmton prodhimin vendas", tha Basha.
Teksa diskutimet në Kuvend sot janë përqendruar në projektbuxhetin e vitit 2022 dhe paketën fiskale, krydemokrati Lulzim Basha ka hedhur akuza ndaj qeverisë se po e vendos buxhetin e shtetit në dorë të klientëve përmes PPP-ve. Basha thekson se 113 milionë euro do të shkojnë për PPP, e ndërsa familjet shqiptare mbeten në harresë, të baktisur nga shteti. Basha foli edhe për krizën energjitike, të cilën ai e quan një krizë korrupsioni nga ana e qeverisë. Sakaq, kryedemokrati tha se Rama nuk ka asnjë lloj plani për familjet shqiptare.
“Javët e shkuara keni ndjekur përfaqësuesit e PD në Komisionet Parlamentare, duke argumentuar kundërshtinë tonë në raport me projektbuxhetin e paraqitur, me atë projekt paketë fiskale të cilat sot diskutohen në këtë sallë, kundërshti që e kemi shprehur në paradhënie, por jo për hatër të kundërshitim. Nuk kemi qenë të vetmit, të qartë dhe të paekuivok, kanë qenë kundërshimet e sipërmarrjes së vogël, dhomave të tregtisë, tek ato të brenshme apo atyre të huaj. Nuk ka një shoqatë të vetme të sipërmarrjes shqiptare që ta ketë përqafuar ketë buxhet. Më qartë se kushdo tjetër e ka qytetari që sheh përtej fjalëve të mëdha, një spirale të pandalshme, spirale varfërimi dhe largimi që vijon ditë pas dite, javë pas jave, tash 8 vjet. Ndërsa fletët e printuara që ua sjellin deputetëve këtu e u kërkojnë të votojnë, nuk reflektojnë asnjë prej halleve të qytetarëve. 51 për qind është shifra e eurostat që tregon përqindje ne bashkëqytetarëve shqiptarë në rrezik varfërie apo përjashtimi social, dy herë më lartë se mesatarja e Europës. Në traditën më të keqe të kësaj qeverie këmbëngulin të vendosin buxhetin e shtetit në funksion të klientëve të qeverisë përmes PPP-ve. Ndërkohë, për këtë valë të madhe të njerëzve që janë zhytur e zhyten në varfëri këto dy vite dhe 6 të mëparshmet i shtohet atyre që nuk e kanë kërkuar shpëtimin nga mjerimi për largimin nga vendi, Rama nuk ka asnjë plan për ju, kanë bërë të ditur hapjen e thesit për oborrtarët e koncesioneve. Qytetarët mbeten të braktisur sepse asnjë nuk është parashikuar për ta, se po menduan për ta rrezikojnë që viitn e ardhëm të mos japin 113 milionë euro që kanë përcaktuar për klientët e tyre. Për një grusht njerëzisht, 5 ose 6 maksimumi. 113 milionë euro, pesë herë më i lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e pensioneve, 5 herë më shumë të dashur pensionistë, do i marrin oligarkët. 113 milionë euro ose të nderuar familje në nevojë, ju dhjetëra mijë që ju mbajën në skemën e ndihmës ekonomike, e ju të flakur nga kjo skemë, kjo shumë për PPP-të e klientëve, është tre herë më e lartë se fondet vjetore që ndahen për familjet në nevojë. Dorëlëshuar janë edhe me luksin qeveritar. Kur flasin për krizë enegjetike dhe nuk pranojnë që është krizë korrupsioni, planifikojnë të shpenzojnë 51,2 milionë euro për mobilime, makina, e shpenzime të tjera luksi qeveritar, para që duhet të ishin në duart e familjeve e sipërmarrjes shqiptare, jo në duart e këtyre të stërvitura për t’i çuar në luks nusretësh dhe fluturime çarterash në drejtim të paditur. Këto mjaftojnë për të mbuluar propozimin tonë, për të ulur TVSH-në nga 20 për qind në 6 për qind për ushqimet e shportës.”-tha Basha në Kuvend.
Kryeministri Edi Rama tha se më 20 nëntor nis puna për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe për këtë ka ftuar të gjithë deputetët e Vlorës të bashkohen pa dallime politike në ceremoninë e punimeve.
"Me turizmin do të kemi rritje, por kemi sfidën që rritja të mos jetë një rritje në numër, por shumë më e lartë në të ardhura pavarësisht numri. Sot në kemi një turizëm që bazë ka turistin me të ardhura mesatare dhe të ulëta. 20 nëntor nisin punimet për aeroportin e Vlorës në hapjen e kantierit dhe i ftoj të gjithë deputetët e Vlorës, pa dallime politike, pasi kjo është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë. Brenda pak javësh fillon puna për portin turistik të Vlorës. Kështu do tërheqim dhe turistët me të ardhura të larta dhe do të kenë impakt në ekonominë shqiptare', tha Rama.
Teksa po prezanton projekt buxhetin e vitit 2022, kryeministri Edi Rama, u ndal në tre aspekte të rëndësishme të këtij buxheti, arsim, pastërtinë e vendit dhe bujqësinë. Kryeministri Edi Rama tha se janë alokuar 7 mln dollarë për ndërkombëtarizimin e universiteteve. Ndërkohë për vitin 2020 pastërtia është një tjetër sektor shumë i rëndësishëm, ku sipas Ramës do të ketë një buxhet specifik, për pastrimin e vendit. Në bujqësi kreu i qeverisë tha se nuk janë ulur fondet por janë rritur. Rama tha se kemi 323% më shumë eksporte në bujqësi sesa në 9 mujorin e 2013. Sipas kreu të qeverisë informalizimi në sektorin e bujqësisë është një problem, pasi shumë prej tyre humbasin mundësin për të përfituar nga fondet e mbështetjes ndaj tyre.
‘Arsimi janë disa hapa të rinj që hidhen, përfshirja e gjuhës angleze qysh në klasën e parë ka filluar të aplikohet. Futja e mësimit të teknologjisë digjitale në ciklin e ulët. Ne jemi shumë të vendosur të shtyjmë drejt ndërkombëtarizimit universitetet. Kemi një tryezë të përbashkët të qeverisë me rektorët e universiteteve. Nga buxheti janë alokuar 7 mln dollarë në nxitje të ndërkombëtarizmit për ato universitet që do të ecin më shpejt pë rtë krijuar raporte me universitete Europiane. Në këtë aspeke së bashku me ministren e MEPJ po punojmë intensivisht për të bërë një hap inovativ në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pastërtia e vendit është një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm. Këtu do të hyjmë edhe me një buxhet specifik të posaçëm në funksion të një ndryshimi thelbësor ndaj pastrimit të territorit të vendit. Pushteti vendor duhet të marrë mesazhin se pastërtia është për ne një kriter i patjetërsueshëm. Kemi vendosur një fond të posaçëm për ato që performojnë si duhet, do të marrim masa për ato që nuk arrijnë për performojnë.
Buxheti i 2022 është kuptimplotë edhe në zhvillimin e bujqësisë, pavarësisht disa shprehjeve të pakënaqësisë. Pavarësisht refuzimit për të kuptuar se kemi të bëjmë me një qasje. Nuk kemi ulur fonde, por kemi rritur fonde. Në një sektor i cili ka një masë që shkon afro 350 mln llogariteni tani se çfarë efekti ka një masë prej 7-8 mln. Një masë e cila është hequr nga buxheti i shtetit në formën e incentivës me TVSH dhe sot me këtë buxhet të ri dyfishohet. Kemi 323% më shumë eksporte sesa në 9 mujorin e 2013. Buxheti 7.1 mlrd është pjesë e zhvillimit rural. Duhet që të formalizohen një pjesë e tyre që punojnë në këtë sektor pasi humbasin çdo akses në format e mbështetjes. Janë 2.2 mlrd në programin e BE përreth 200 investime që nuk janë të aksesueshme dot nga ato që nuk janë të regjistruar. Numri i fermerëve që mund të përfitojnë nafta pa taksa për fermerët, lidhet me numrin e fermerëve të regjistruar.’- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se edhe mbrojtjes së territorit i është kushtuar një rëndësi e veçantë ku përmes satelitëve që do të merren dhe dronëve inteligjentë, policia do të ketë të dhënë në kohë reale të ngjarjeve që po ndodhin që nga mbeturinat, zjarret, përmbytjet apo edhe kapjen e elementëve kriminale.
"Mbrojtja inteligjente e territorit dhe e sigurisë publike hyn në një fazë tjetër, qoftë me sigurimin e satelitëve dhe dronëve inteligjentë, që do na japin të dhënë të besueshme reale ndaj ngjarjeve kriminale të mjedisit në territor që nga mbetjet tek ndërtimet pa leje dhe aspekte që ka të bëjnë më bujqësinë, hektar e kultivuar, me energjinë, burimet hidrike , zjarret dhe pa lënë mënjanë edhe luftën kundër krimit të identifikimit dhe ndjekjes së kiminelave", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se prioritet i qeverisë është Shqipëria dixhitale dhe se për këtë është parashikuar një pjesë e buxhetit 2022. Ai tha se të gjitha shërbimet qytetarët shumë shpejt do i marrin përmes telefonit të tyre që do të shmang korrupsionin në administratë.
"Duke garantuar një bazë mbi të cilën edhe njësia antikorrupsion e ministrisë së Drejtësisë ka hyrë në një fazë të re. Ajo çka ne do të garantojmë në vijim dhe është ambicja e këtij mandati është që të sigurohet jo vetëm mbyllja përfundimtare e të gjitha sporteleve në Shqipëri që ofrojnë shërbime dhe kontakte të drejtpërdrejta me punonjësit e administratës që më pas futet ryshfeti dhe vjen vonesa, po edhe për të garantuar që përfundimisht qytetari të bëjë kërkesën dhe i gjithë dokumentacioni që duhet për të marrë një shërbim , të garantohen brenda përbrenda sistemit të digjitalizuar të shtetit. Të mos ketë më qytetar që duhet të shkon në 7 dyer për të bërë gati dosjen për të marrë një certifikatë.
Kadastrat digjitale është edhe ajo duke u bërë, e dimë të gjithë se çfarë plage është ajo. Me digjitalizim përfundimtar edhe kadastra do të jetë një institucione i aksesueshëm përmes smartphone-it dhe pa sportele.
Qendra digjitale e qarkullimit rrugor është bërë me makina inteligjente, por do të shtrohen edhe kamerat inteligjente për të pasur të dhëna në kohë reale të qarkullimit. Do të financohen në mënyrë të posaçme duke krijuar një qendër të mbrojtjen kibernetike të të gjitha sistemeve tona të komunikimit teknologjik. Të gjitha të dhënat e shtetit do të kenë një sistem backup, që çfarëdo të ndodhi të mos ketë asnjë humbje të të dhënave", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha nga foltorja e Kuvendit se buxheti i viti 2022 pavarësisht se është një buxhet i ndërmjetëm i shkaktuar nga dy fatkeqësi do të rriten financimet për të mbështetur qytetarët. Kreu i qeverisë tha se me buxhetin e vitit 2022 do të rriten pagat për infermierët, mjekët dhe mësuesit me 6%. Po ashtu Rama shtoi se do të dyfishohet ndihma sociale për familjet me 3 fëmijë.
‘Është një buxhet i ndërmjetëm, i shkaktuar nga dy fatkeqësi të mëdha natyrore dhe fazës së re për ambiciet e një zhvillimi të ri. Skema e këtij buxheti është në dëshmi e dy arritjeve domethënëse. Plagën e tërmetit po mbyllen ato të pandemisë po trajtohen. Asnjë sektor apo reformë nuk është lënë pas dore. Me këtë buxhet të ndërmjetëm pavarësisht edhe krizës së energjisë rrisim financimin për të mbështetur njerëzit e këtij vendi. Injektojmë financime të konsiderueshme në ekonominë familjare. Rritje e shpenzimeve publike dhe mbajtjet në parametra të borxhit publik. Do të rrisim pagat për mjekët, infermierët dhe mësuesit me 6%.
Rrisim pagat për mësuesit mjekët dhe infermierët deri në 40% deri në fund të mandatit të tretë. Zerojmë taksën për pagën deri në 40 mijë lekë, ku përfitojnë 80 mijë qytetarë. Dyfishojmë ndihmën sociale për familjet me 3 fëmijë dhe e rrisim me 10% për të tjerat. Ligjërojmë me këtë buxhet pagën prej 30 mijë lekësh në muaj për naftëtarët e fierit për gjithë vitin 2022. Financojmë me 2.6 mlrd indeksimin e pensioneve, si edhe bonusin e fundvitit për pensionistët. Financojmë vijimin e vaksinimit. Duhet më shumë durim për Reformën në Drejtësi.'- tha Rama.