Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me banorët dhe bizneset e rrugëve “Ferit Xhejko” dhe “Memo Meto” në Njësinë Administrative nr. 8, ku foli për prioritetet e planit të saj për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës.

Në një ndalesë dhe bashkëbisedim me qytetarët, të zhvilluar pranë një hapësire të gjelbëruar të lagjes, Manastirliu vuri në dukje punën që po kryhet për çlirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre në funksion të komunitetit.

“Kemi nisur në të gjithë Tiranën një operacion për çlirimin e hapësirave publike, për t’i vënë ato në shërbim të qytetarëve. Kjo është një lagje që në pjesën më të madhe është sistemuar, por ka ende nevojë për më shumë hapësira të gjelbërta, kënde lojërash për fëmijët dhe një hapësirë për sportin. Të gjitha shqetësimet i kemi mbledhur, dhe unë e kam tashmë një plan të qartë për çdo lagje të Tiranës, që secila prej tyre të ketë hapësirat e veta çlodhëse,” u shpreh Manastirliu.

Ajo theksoi se plani Tirana 2030 do të prekë çdo lagje, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve me hapësira çlodhëse dhe shërbime më afër tyre.