ANGLI- Manchester City dhe Totenham Hotspurs janë ndarë mes tyre në një barazim 2-2 në Etihad Stadium në javën e dytë të Premier League. Vendimtar ishte goli i Gabriel Jesus në minutën e 92' i cili u anulua.
Pas festimit të golit nga Gabriel Jesus u mendua se ndeshja do të përfundonte 3-2, por arbitri i ndeshjes Michael Oliver konstatoi se para Jesus, mbrotjësi i Manchester City Laporte devijoi topin me dorë.
Sa i përket ndeshjes ajo u zhbllokua nga Raheem Sterling me një gol me kokë në minutën e 20'. Spursat do të reagonin shpejt me Lamelan i cili përfitoi nga një pozicionim i gabuar i portierit Ederson.
Bomberi argjentinas i Aguero kaloi përsëri në avantazh Manchester City-n pasi përfitoi nga një asist i De Bruyne nga krahu i majtë. Në pjesën e dytë Totenham barazoi me Lucas Moura, i cili çuditërisht është një nga lojtarët më të shkurtër të ekipit të Pochettinos por u gjend në vendin e duhur pas krosimit të Erik Lamelas.
Manchester City dhe Totenham Hotspurs shkojnë në kuotën e katër pikëve me këtë rezultat të arritur ditën e sotme ndërsa Premier League pas dy javësh kryesohet provizorisht nga Arsenal dhe Liverpool me pikët maksimale 6.