ANGLI - Me Sir Alex Ferguson në tribunat e "Old Trafford", Manchester United dominoi dhe fitoi 2-0 derbin kundër Manchester Cityt të Pep Guardiolës, teksa në stolin e "Djajve të Kuq" me tri pikë debutoi trajneri Michael Carrick i cili zuri vendin e të shkarkuarit Ruben Amorim.

Për raundin e 22-të të Premier League, elita e futbollit anglez dhuroi një prej ndeshjeve më emocionuese, ndërsa futbollistët nuk zhgënjyen në fushë. Gjithçka nisi me ritmin e vendasve dhe ishte Maguire që goditi traun e portës, ndërsa Donnarumma u duk i mposhtur. Gardiani italian ishte në lartësinë e detyrës dhe ndali Unitedin në disa raste, por të kuqve iu anuluan dy gola nga VAR në pjesën e parë për pozicon jashtë loje.

Fraksioni i dytë i ndeshjes u zhvillua me të njëjtën melodi dhe Donnarumma sërish bëri heroin, por kjo deri në minutën e 65-të, kur gjatë një kundërsulmi Bruno asistoi për Mbeumo që me të majtën e ndali sferën në rrjetë për të nisur festën e mbi 75 mijë tifozëve në stadium.

Man. City i Guardiolës u shokua dhe pa në sulm, por United u përgjigj me golin e dytë në minutën e 76-të. Cunha, i sapofutur në fushë asistoi për Dorgu dhe ky i fundit "vulosi" tri pikët me golin e dytë. Në fund Diallo mund të trefishonte shifrat, por topi u ndal sërish në shtyllë. Në shtesën e parë dhe me vetëm disa sekonda në fushë, Mason Mount ia doli të gjente golin e tretë, sërish me asistin e Cunha, por sërish VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. Në fund United mori tri pikë falë fitores 2-0 kundër rivalëve të qytetit.

Pas tre barazimeve radhazi United ia del të sigurojë tri pikë dhe me 35 të tilla për momentin mban vendin e katërt, ndërsa ndeshjen e radhës do e ketë kundër kryesuesve të Arsenalit në Londër. Nga ana tjetër Man. City nuk di të fitojë dhe siguron barazimin e katërt radhazi.

Në ndeshjen e katërt si trajner i Man. United ( më herët në 2021 ka qenë si trajner emergjent), Michael Carrick siguron fitoren e tretë, pasi më herët ka mposhtur Villarrealin e Unai Emery, Arsenalin e Mikel Artetës dhe tanimë Man. Cityn e Pep Guardiolës. Nisje fantastike e tij në stolin e ekipit ku si futbollist fitoi 15 trofe.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 17 Janar, 12:58

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për Kuvend me 100 deputetë?