Mandala: De Rada dhe Zef Skiroi
janë censuruar dhe manipulua

Mandala: De Rada dhe Zef Skiroi<br />janë censuruar dhe manipulua
TIRANE - Tradita shkrimore shqipe e lëvruar përtej Adriatikut, letërsia romantike arbëreshe ka qenë e censuruar në 50 vjet diktaturë, konstaton studiuesi arbëresh Matteo Mandala. “Ka pasur censurime, shtrembërime, manipulime, etj”, thotë ai në intervistën për “Shqiptarja.com, duke shpjeguar se edhe pse është parimisht për përdorimin dhe ruajtjen e gjuhës standarde shqipe, shkrimtarët duhet të studiohen në gjuhën e tyre.

Për Mandala-in është një parim shkencor. Libri i tij “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, është promovuar dje në Akademinë e Shkencave e Shqipërisë. Libri ka dalë në dritën e botimit nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”. Studiues të njohur kumtuan opinionet dhe vlerësimet e tyre rreth vlerave të librit.

Për prof. dr. Francesco Altimari libri i Matteo Mandala-s “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” përbën një sintezë të kërkimeve shkencore të autorit. Akademikët Jorgo Bulo dhe Floresha Dado vlerësuan metodologjinë që ka ndjekur Mateo Mandala-i në kërkimet dhe parashtrimet për kulturën dhe letërsisë shqiptare. Prof. dr. Roland Zisi e vlerësoi librin e ri të prof.

Matteo Mandala-i si një kontribut me vlera të reja për kulturën dhe filologjinë shqiptare, një model pune për studiuesit. Me këtë rast kumtuesi tha se në bashkëpunim me albanologët italianë do të organizohet në Gjirokastër një konferencë shkencore me temën “Një Rilindje (e vogël) para Rilindjes (së madhe). “Letërsia romantike arbëreshe, gjatë një shekulli të historiografisë letrare shqiptare, është njohur me shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme.

Kjo është një prej të vërtetave më të thjeshta që duhen pranuar në rastin e botimit të librit më të ri“Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-it, albanolog i njohur, profesor në Universitetin e Palermos, Itali” tha studiuesi i njohur Shaban Sinani.


Profesor Mandala, libri u prit me admirim. Cili qe qëllimi i botimit të veprës në Tiranë?
-Duke qenë studiues i letërsisë dhe duke dëgjuar kolegët për vlerat dhe mënyrën sesi e çmuan librin kam pasur një dyzim që më ka tronditur. Nuk e prisja. Më duket se u vlerësua me tepri. Jam unë ai që duhet të bëjë vlerësime. Duhet të them pak fjalë për “zonjën” Akademi të Shkencave për këtë festë, sepse ky libër që është një domosdoshmëri për sjelljen e letërsisë së plotësuar arbëreshe në Shqipëri.

Nuk është idealizuar vepra juaj. Vërtet nuk e dini, profesor Mandala, se letërsia arbëreshe u studiua me pasion në shkollat tona të letërsisë, edhe për faktin se mbushte letërsinë e munguar të periudhës së para Rilindjes Kombëtare!
-Megjithatë këtu ka një lloj mitizimi. Nuk është kështu taman. Unë mendoj se nuk pasur boshllëqe ose letërsi të munguar të asaj periudhe në Shqipëri, por ka një letërsi të pa studiuar. Fakti që shqiptarët arritën të mbartin kulturën dhe qytetërimin edhe në vendin e tyre të pushtuar dhe pjesa tjetër në mërgim bashkëpunoi do të thotë se letërsia e para periudhës së Rilindjes së vonë ka ekzistuar.

Thjesht ne na duhet ta mësojmë siç duhet. Ky është problemi, tek mungesa e studimit. Nëse e shikojmë tek arkivat ne do të gjejmë një çelës të marrëdhënieve të përhershme të letërsisë shqiptare me atë arbëreshe. Ka materiale, dorëshkrime burime të jashtëzakonshme. Është shkëmbyer letërsi dhe kulturë me arbëreshët dhe shqiptarët këtu edhe në shekujt më të errët.

Ju si autorë sillni një risi në gjykimin e veprave, nisur nga studimi i tekstit. Kjo metodologji shkencore ka ardhur nga shqiptarët jashtë Shqipërisë, më parë te arbëreshët dhe pastaj në Prishtinë. Në tiranë edhe pas 20 vjetësh të rënies së diktaturës ende autorët gjykohen si personalitete, jo për tekstin letrar...
-Për letërsinë shqiptare ky është një problem që ka ndikuar edhe tek studimi i letërsisë arbëreshe. Por për sa i përket letërsisë arbëreshe unë mund t’ju them se pse nuk janë kryer studime; se kanë munguar tekstet, nuk kanë qenë të plota. 20 vjet më parë ishin botuar në Shqipëri vetëm disa variante të letërsisë klasike arbëreshe, me tekste jo origjinale, të përshtatura ose të përshtatura keq.

Ndaj ky libër i plotësuar vjen për të nxjerrë në pah nevojën e një modeli epistemologjik, ku ndërthuret: -rindërtimi i filologjisë; përshkrimi kritik; interpretimi hermetik. Kjo mungesë ka ardhur për dy arsye; letërsia arbëreshe ka ardhur jo e plotë meqë nga fundi shekullit të kaluar nuk ka arritur të plotësohet dhe së dyti këtë boshllëk e ka sjellë edhe censura e 50-vjeçarit të diktaturës, ku pasur censurime, shtrembërime, manipulime, etj.

Konkretisht cilët autorë dhe vepra janë censuruar ose pezulluar?
-Janë manipuluar veprat e De Radës, janë përshtatur në shqipen bashkëkohore. Kjo nuk ka lidhje se nuk duhet përdorur standardi, por duhet respektuar vepra origjinale për efekt studimi dhe njohjeje shkencore. Është censuruar Zef Skiroi se ishte një klerik arbëresh dhe i është zvogëluar merita e tij letrare.

FLASIN MANDALA E ALTIMARI

Albanologjia me probleme serioze. Jo ndryshimit të standardit dhe historisë

Dy studiuesit më të njohur arbëreshë, dy korifenj të albanologjisë, profesor Matteo Mandala dhe Dr. Francesko Altimari ishin dje në Tiranë. Në intervistat me ta ata kundërshtojnë dy nga çështjet më të bujshme të studimeve albanologjike që kanë nisur aktualisht në Shqipëri.

Njëra nga çështjet ka lidhje me problemet e drejtshkrimit dhe tjera me ndryshimin e historisë nën ndikim e qeverisë turke, duke i quajtur turqit jo pushtues por administrator. Megjithëse të dyja tezat janë pritur me peticione të njëpasnjëshme të studiuesve e intelektualëve, “kokëfortësish” përkrahen me prirjen për të ndryshime nga krerët e Institutit të Studimeve Albanologjike në Tiranë.

Profesor Mandala, ju pashë duke shkruar një autograf dhe drejtshkrimi juaj në shqip ishte i mahnitshëm. I keni dëgjuar debate e fundit për standardin?
-Ne studiojmë standardin,mësojmë standardin dhe mbrojmë standardin. Standardi na sjell zhvillimin gjuhësor dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Sigurisht që do të shkruaj mirë në standard si gjuhëtar, edhe pse e folura ka ndikime nga dialekti arbëresh dhe gjuha italiane. Është gabim të mendosh sot të ndryshosh standardin.

Është një problem i shpikur kot. Standardi e kryen funksionin e tij më së miri duke bashkuar kulturën gjuhën dhe të njëjtë duhet t’ua lëmë brezave. Të ndryshosh standardin nuk është një ndërmarrje serioze. Nuk duhet ngatërruar me atë që thashë se letërsia duhet studiuar ne gjuhën origjinale. Kështu kemi të bëjmë me një vërtetësi shkencore në studim. Ndërsa standardi është gjuha moderne shqipe.

Si mendoni, ju cilat janë problemet e albanologjisë sot?
-Sipas meje problemet albanologjisë sot janë të mëdha, se nuk po merret me probleme serioze. Ajo po shpik probleme, po shpik probleme që nuk diskutohen, që të tërheqin vëmendjen.

Po ju profesor Francesko Altimari ç’mendin kemi për ndryshimin e historisë?
-Nuk mund të vendosin turqit për ndryshimin e historisë. Dhe nuk duhet thënë se ka ndikuar ideologjia 50-vjeçare që të quhen pushtues. Historia e pushtimit të Shqipërisë nga Turqia ka 500 vjet që është studiuar dhe dalim në konkluzion se turqit na pushtuan neve. C’duan të thonë me këtë që turqit na shpërngulën, na larguan nga Shqipëria dhe na çuan për turizëm në Itali, sepse ishim të varfër e duhet të fitonim lekë atje?!

BIOGRAFIA

Matteo Mandalá

Matteo Mandalá është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali. Ka bërë studime për Z. Skiroin, G. Darën, N. Filjen, L.Matrangën dhe për autorë më të pak të njohur gjatë katër shekujve letërsi arbëreshe, realizuar në tri vëllime, me titullin “Profi lo storico-antologico della letteratura degli Albanesi di Sicilia” (2005-2007-2012).

Ka botuar “Diaspora dhe rikthimi: miti, historia dhe kultura tradicionale në veprën e Zef Skiroit” [“La diaspora e il ritorno. Mito, storia, cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schiro”, 1990] dhe “Botës i pëlqen të mashtrohet: mitet e historiografi - së arbëreshe” [“Mundus vult decipi: I miti della storiografi a Arbëreshë”, 2007].

Prof. Mandalá ka përgatitur dhe botuar një bibliotekë të tërë veprash akademike me studime mbi Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, Rilindjen Kombëtare e Pavarësinë e kombit, historinë e letërsisë shqipe, De Radën, M. Camajn, I. Kadarenë etj.

Prof. Matteo Mandalá bëri të mundur themelimin e revistës shkencore të albanologjisë “Res Albanicae”, një tribunë shkencore, që synon të mbledhë rreth vetes forcat më të mira intelektuale që merren me kërkime albanologjike në mbarë Europën.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset