KOSOVË- Pas raportimit se 3 ngarkesa me mandarina nga Shqipëria janë kthyer pas nga Kroacia për shkak se nga analizat kanë rezultuar se ata përmbanin mbetje të pesticideve, Kosova ka marrë masat e para.
Për median Indeks Online, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka theksuar se kanë nisur kontrollet për mandarinat, duke përfshirë testimin e çdo ngarkese për mbetje pesticide. Çdo ngarkesë që mbërrin në Kosovë do të qëndrojë në Pikat e Kontrollit Kufitar deri në marrjen e rezultateve të analizave laboratorike.
Përveç masave të brendshme, AUV ka theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për shkëmbimin e informacionit dhe ndihmën në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
“AUV-i është duke e monitoruar situatën e njoftimeve të dërguara nga RASFF për vendet e tjera. Për gjetje të prezencës se pesticideve mbi nivelet e lejuara në produktin mandarina ( mandarina/ clemantina te fërkata), me orgjinë nga Shqipëria. AUV-i nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë. Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me ketë produkte, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik në me qëllim testimi/përcaktimi të nivelit të mbetjeve në pesticide përfshihet (lloji parametri i dyshuar për testim ( MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet). Ngarkesat qëndrojnë në Pike Kontrollet Kufitare deri në rezultat te analizave laboratorike.
Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjmë me qellim të eliminimit të dyshimeve të ngritura. Synim kryesorë të punës tonë, qe buron edhe nga mandati ligjorë kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetareve konsumator. Deri me tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi ketë produkte. Jemi në kontakt me autoritete shqiptare në shkëmbim të informacioneve mbi secilën risi qe ndodh në gjetjet eventuale në produkte. Mbrojtja e konsumatorëve bëhet pa dallim” thuhet në përgjigjen e AUV për Indeksonline.
Denoncimi fillimisht u bë nga Presidenti i Urdhrit veterinar Ervin Resuli, i cili tha se mandarinat shqiptare kishin rezultuar me pesticidin Chlorpyrifos dhe Phosmet, që shkaktojnë dëme që nga sistemi nervor e deri në kancer.
Ministria e Bujqësisë sqaroi se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina clementine, nga fshati Gorican i Dimalit, Berat dhe fshati Mursi i Konispolit të cilat janë mbledhur nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier dhe janë eksportuar.
Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës, njëra prej tyre është asgjësuar nga fermerët, tjetra është bllokuar ndërsa ngarkesa e tretë nuk ka mbërritur.