TIRANE- Çdo veprim për largimin nga detyra të Ina Ramës në nëntor të këtij viti do të ishte i kundraligjshëm, sipas juristit, Spiro Peçi. Këshilltari ligjor i ish-presidentit Topi që emëroi në këtë detyrë Prokuroren e Përgjithshme 5 vite më parë, thotë se këtë rast do të bëhej fjalë për shkarkim, e për një hap të tillë, maxhorancës i duhet të faktojë shkeljet e Ramës.

"Ndërmarrja e veprimeve për ta konsideruar një mbarim të mandatit në nëntor të këtij viti meqënëse është emëruar në nëntor të vitit 2007, s'do ishte largim për shkak të mbarimit të mandatit, por do të ishte një shkarkim nga detyra, që pë mua do të ishte i paligjshëm. Efektivisht Kushtetuta e ka të përcaktuar kur mund të shkarkohet një Prokuror i Përgjithshëm para mbarimit të mandatit. Mund të shkarkohet me kërkesë të Kuvendit e miratim nga Presidenti, kur ka shkel Kushtetutën, kur ka shkelur rëndë ligjin e kur ka kryer veprime që cënojnë rëndë figurën e Prokurorit të Përgjithshëm", deklaron Peçi. Ai është i bindur në faktin se llogaritja e mandatit 5-vjeçar të Prokurores së Përgjithshme fillon që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të 2008. Ai mendon se beteja për largimin në nëntor apo në maj të Prokurores së Përgjithshme aktuale, do pasohet në Gjykatën Kushtetuese.
(Shqiptarja.com)