Gjykata e Lartë ka hapur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili do të zëvendësojë Sokol Sadushin pas përfundimit të mandatit të tij trevjeçar. Kryetari i Gjykatës nuk gëzon të drejtën e rizgjedhjes.
Sadushi u zgjodh në krye të Gjykatës së Lartë më 17 tetor 2023, dhe mandati i tij përfundon më 17 tetor të këtij viti. Procedura për zgjedhjen e kreut të ri është hapur 60 ditë përpara përfundimit të mandatit, sipas parashikimeve ligjore.
Të drejtën për të kandiduar e kanë të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, me të paktën 3 (tre) vite përvojë profesionale si gjyqtar në këtë gjykatë, që nuk kanë masa disiplinore në fuqi e që kanë marrë vlerësime maksimale etike e profesionale.
Për shkak të procesit të vettingut, Gjykata e lartë thuajse u zbras nga anëtarët e saj. Ajo arriti të plotësohet me gjyqtarë, kryesisht pas vitit 2020. Për pasojë, të gjithë gjyqtarët aktualë, me përjashtim të Genti Shalës, i emëruar në vitin 2025, plotësojnë kriterin e përvojës tri vjeçare, dhe janë potencialisht kandidatë për të drejtuar Gjykatën e lartë deri në vitin 2029.
Gjyqtarët e interesuar duhet të dorëzojnë kandidaturat deri më 11 shtator 2026. Brenda tre ditëve nga kjo datë caktohet data dhe ora e thirrjes së mbledhjes së përgjithshme e cila duhet të zhvillohet të paktën dy javë para mbarimit të mandatit të kryetarit. Drejtuesi i ri, zgjidhet me votim të fshehtë, ndërsa vetë procesi i votimit është i hapur për publikun dhe rezultati bëhet publik menjëherë.
Kryetari i ri pritet të nisë ushtrimin e detyrës më 18 tetor 2026, një ditë pas përfundimit të mandatit të Sokol Sadushit, me qëllim që të mos krijohet ndërprerje në drejtimin e Gjykatës së Lartë.
Sadushi do të vijojë të ushtrojë detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë deri në vitin 2029 pasi është emëruar si gjyqtar në 2020 dhe mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë zgjat 9 vjet.










Komente
Komento